Bogdanoviç: “Prishtina nuk ka ndikim për protokollin”
Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç ka deklaruar se marrëveshja e mundshme mes Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe EULEX-it është në të mirë të të gjithë qytetarëve. Ai ka hedhur poshtë vlerësimet se marrëveshja nënkupton pranim direkt të pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, Serbia nuk ka përgjegjësi mbi Kosovën, nuk ka polici, nuk mund t’i ndjekë kriminelët, kështu që marrëveshja sipas tij do të ndihmojë edhe në “zbardhjen e vrasjeve dhe krimeve ndaj serbëve dhe joshqiptarëve”. Bogdanoviç ka thënë se kundërshtimi i Prishtinës nuk mund të ndikojë në marrëveshje sepse sipas tij, Serbia ka marrëveshje me EULEX-in për nënshkrimin e protokolleve të bashkëpunimit.
Serbët e Mitrovicës, peticion për largimin e EULEX-it nga Kosova
Liderët serbë në veri të Kosovës kanë deklaruar se javën e ardhshme do të përgatisin një peticion ku do të kërkojnë largimin e EULEX-it nga Kosova. Zëvendëspresidenti i asamblesë së komunave serbe, Marko Jaksiç tha se serbët e veriut presin që në këtë veprim të mbështeten nga Beogradi. “Jakciç tha se kjo është një çështje shumë e dhimbshme për serbët e Kosovës, së bashku me faktin se Serbia “mbështet futjen e një kufiri të rregullt midis Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që të hiqen vizat për udhëtim në mbarë Bashkimin Europian. Kjo është futja e një kufiri të vërtetë midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe të gjithë bisedimet se kjo është bërë për të ndaluar kontrabandën dhe veprimtaritë kriminale nuk është e vërtetë. Kjo është pjesë e ‘hartës’ që ka qëllim ndarjen e Kosovës nga Serbia, dhe ky është çmimi për liberalizimin e vizave”,- tha Jakshiç.
Rusi, rritet në 64 numri i të vdekurve
Shkon në 64 numri i të vdekurve nga tragjedia në uzinën më të madhe hidroelektrike të Rusisë në Siberi. Një zëdhënës për ekipet e kërkimit tha se 11 persona konsiderohen ende të zhdukur, ndërsa ekziston frika se edhe ata kanë vdekur. Autoritetet përjashtojnë pretendimin e një grupi militant çeçen se kishte nxitur aksidentin, pasi kishte vendosur ekploziv në një pjesë të uzinës. Shpërthimi i së hënës prishi muret duke shkaktuar një vërshim katastrofik në ndërtesë. Putin ka vizituar vendin e ngjarjes dhe ka kërkuar kompensim financiar për familjet e viktimave.
24 Gusht 2009