Bogdanoviç dëbohet nga Kosova. Autoritetet: Shkeli procedurat
Ministri serb Goran Bogdanoviç u dëbua nga Kosova pasi nuk kishte respektuar procedurat që parashikohen për vizitat zyrtare në shtetin e ri. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Julia Reuter, e cila ka theksuar se në raste të tilla duhen respektuar disa parime dhe procedura që ekzistojnë mes Beogradit, BE-së dhe Prishtinës.
“Kur bëhet fjalë për vizitat zyrtare ekzistojnë parime dhe procedura për të cilat kanë rënë dakord Beogradi, BE-ja dhe Prishtina. Në rastin konkret këto parime nuk janë zbatuar”, ka deklaruar Reuter. Zëdhënësja ka shtuar më tej se mënyra se si Bogdanoviç ka zhvilluar vizitën e tij mund të shkaktonte probleme në ruajtjen e rendit publik. Policia e Kosovës ktheu në Serbi ministrin për Kosovën në qeverinë e Serbisë Goran Bogdanoviç, dje rreth mesditës. “Ai është kthyer pasi ka qëndruar në Kosovë pa lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thonë zyrtarët e policisë, duke shtuar se ministri është duke u kthyer në pikën kufitare në Merdare. Bogdanoviç ishte ndaluar nga policia dje në një fshat të Shterpcës, ndërsa po zhvillonte aktivitete politike.
14 Janar 2010