E Diel, 1 Nëntor 2026

Haiti, tragjedi nga tërmeti. Presidenti Preval: “Mijëra të vdekur!”

Blerina Olldashi
Tërmeti 7 ballësh i shkallës Rihter në Haiti ka shkaktuar një tragjedi, ku kanë gjetur vdekjen mijëra persona, kryesisht në kryeqytetin Port-au-Prince. Diplomatët amerikanë janë shprehur se “kanë parë trupa pa jetë në rrugë dhe trotuare, persona të goditur nga ndërtesat dhe objektet pranë”, ka deklaruar Filip Kroulej, zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve. Ndërkohë presidenti i Haitit Rene Preval flet për katastrofën dhe thotë: “Druajmë se të vdekurit nga tërmeti janë me mijëra. Disa shkolla janë mbushur plot me kufoma”. Presidenti në një intervistë për të përditshmen “Herald Tribune” shprehet se ende nuk ka një numër të saktë të personave që kanë humbur jetën nga kjo tragjedi. Nga tërmeti janë shembur ndërtesat e Parlamentit, Ministrisë së Ekonomisë, shkolla e spitale. Brenda pak orësh janë regjistruar dhjetra lëkundje me epiqendër rreth 15 km larg kryeqytetit Port-au-Prince, duke shkaktuar edhe rrëzimin e dhjetra ndërtesave. Në zonën e goditur nga tërmeti jetojnë rreth 1.8 milionë njerëz nga 9 milionë banorë që numëron gjithë vendi. Gjatë momenteve të para u mendua edhe për rrezikun e cunamit, por alarmi rezultoi i rremë. Situata bëhet më e rënduar për faktin se tërmeti ka goditur edhe shumë rajone policie, madje edhe rezidencën presidenciale dhe rendi në kryeqytet është një nga problemet më të mëdha. Haiti është një nga vendet më të varfra në botë dhe me i varfri në kontinentin amerikan. Që prej vitit 2004 në këtë vend është instaluar një forcë ndërkombëtare e OKB-së, e udhëhequr nga Brazili. Kryqi i Kuq dhe agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara thanë se përpiqen ta vlerësojnë shkallën e dëmeve dhe viktimat e mundshme pas dëmtimeve të rënda të rrjetit të komunikimeve. Zëdhënësi i Kryqit të Kuq tha se tërmeti shkaktoi “shkatërrim masiv” në kryeqytetin Port-au-Prince, qytet me 1.9 m milionë banorë. Kina, Jordania dhe Brazili thonë se disa nga ushtarët e tyre paqeruajtës janë vrarë. Ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner tha se pjesëtarë të ambasadës franceze kishin vizituar selinë e OKB-së në Port au Prince dhe kishin njoftuar se të gjithë në ndërtesë duket se kishin vdekur.
Ky është tërmeti më i fuqishëm në Karaibe në 200 vitet e fundit.
Një numër i madh punonjësish të OKB-së njoftohen të humbur nga organizata.

Zhduket nga tërmeti personeli i OKB-së

Të gjithë personat që ndodheshin në ndërtesën e OKB-së gjatë momentit të tërmetit në Haiti, rezultojnë të zhdukur. Mes tyre ndodhej edhe një gjeneral nga Tunizia, i quajtur Hedi Anabi, shef i misionit të OKB-së në Haiti. Lajmin e bën të ditur ministri francez i Jashtëm, Bernard Kushner. Ndërtesa 5 katëshe e misionit është rrëzuar e gjitha gjatë lëkundjeve të shumta që tronditën kryeqytetin e Haitit.

Ndërkombëtarët premtojnë ndihmë të menjëhershme

Menjëherë pas tragjedisë të shkaktuar nga tërmeti, Haiti ka marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve, për ndihmë të menjëhershme. Ndër shtetet që ofruan ndihmën e tyre janë: SHBA-të, Venezuela, Franca dhe Britania e Madhe. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama është shprehur se vendi i tij do t’i ndihmojë në çdo mënyrë viktimat nga tërmeti katastrofik. “E kam udhëzuar administratën time që të përgjigjet me veprime të menjëhershme, të koordinuara dhe agresive për të mbrojtur jetët. Populli i Haitit do të ketë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në përpjekjen urgjente për t’i shpëtuar ata që kanë mbetur nën rrënojat, si dhe për t’u dërguar ndihma, ushqim, ujë dhe barna të gjithë personave, në ditët e ardhshme”, tha Obama.

14 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›