Udhëzimi i ri, pedagogët, pagë shtesë për udhëheqjen dhe oponencën e doktoraturave
Jonida Tashi
Pedagogët e Universitetit të Tiranës do të marrin pagë shtesë për udhëheqjen dhe oponencën e tezave të doktoraturës. Së fundi, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule ka firmosur udhëzimin e ri për ngarkesën e personelit akademik në varësi të tij, pasi më parë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj kishte shqyrtuar udhëzimin nr.20, datë 09.05.2008 “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”, në të cilin janë bërë vetëm dy ndryshime. Konkretisht në pikën 12 të këtij udhëzimi është shtuar një paragraf që ka të bëjë me pagesën e pedagogëve që udhëheqin teza doktorature, ndërsa janë shfuqizuar edhe dy shkronja të saj që përkatësisht janë: d)udhëheqje teze doktorate 90 orë mësimore/vit; k)oponencë teze doktorate 20 orë mësimore/oponencë. Sipas ndryshime të bëra, personeli akademik që angazhohet me udhëheqje teze doktorature dhe oponencë teze doktorate konsiderohen ngarkesë jashtë ngarkesës mësimore vjetore. Ndërsa pagesa do të kryhet sipas akteve në fuqi.
Orët shtesë
Pedagogët e Universitetit të Tiranës, qofshin të brendshëm apo të jashtëm do të paguhen 100 për qind për orët shtesë. Rektori i këtij universiteti, Dhori Kule, vendosi pak kohë më parë ta zgjidhte këtë “ngërç” në institucionin që ai drejton, duke nxjerrë një udhëzim të posaçëm për pagesën e pedagogëve. Por, urdhri i nxjerrë nga rektori i Universitetit të Tiranës, përveç zbatimit për vitin akademik 2009-2010, do të ketë edhe efekt prapaveprues. Në udhëzimin për pagesën e pedagogëve, që mban firmën e Dhori Kules, përcaktohet që: “Të kryhet pagesa në masën 100 % për tejkalimin e ngarkesës mësimore të realizuar nga personeli akademik efektiv i Universitetit të Tiranës, për vitin akademik 2008-2009”. Por, ndërsa nga njëra anë rektori Kule ka plotësuar nevojën e pedagogëve për t’u paguar sa më mirë për orët shtesë, nga ana tjetër, ai ka bërë të ditur edhe masat ndëshkimore që do të merren nëse udhëzimet do të “shkelen”. Pikësëpari bëhet fjalë për moszbatimin e udhëzimit për të mos dhënë mësim edhe në një universitet privat, i cili është pasuar me këtë të pagesës për orët shtesë. Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, nëse udhëzimet do të shkelen, masa ndëshkimore është pushim nga puna. Udhëzimi për t’i paguar pedagogët në masën 100 për qind për orët shtesë është marrë fill pas nxjerrjes së vendimit po nga rektori i Universiteti të Tiranës, për të mos i lejuar pedagogët që të jepnin mësim dhe në privat. Nëpërmjet këtij udhëzimi, rektori Kule kërkon që t’i jepet zgjidhje interpretimit të ligjit “Për arsimin e lartë”, e mbi të gjitha udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, për pagesat e stafit akademik kur tejkalohet ngarkesa mësimore. Ky i fundit është kundërshtuar jo pak nga trupa akademike e universiteteve.
Pagesat
Pas nxjerrjes së udhëzimit të ri për pagesën e pedagogëve, Rektorati i Universitetit të Tiranës ka urdhëruar drejtuesit e tetë fakulteteve në varësi të tij si dhe kancelarët që të zbatojnë Kodin e Punës sa i përket orëve mësimore në ditët e pushimit, ku pagesat do të jenë minimalisht dy herë më të larta se në ditët normale. Po ashtu, atyre do t’u lihen hapësira edhe për të caktuar tarifa të veçanta për një orë mësimi në fakultete.
Me ndryshimet e fundit, mesatarisht një pedagog do të marrë në një vit akademik rreth 300 mijë lekë mbi pagën. Urdhri që mban firmën e rektorit Dhori Kule është dhënë bazuar në situatën faktike të konstatuar për problemin e pagesës së personelit akademik për tejkalimin e ngarkesës mësimore për vitin akademik 2008-2009, si dhe pagesën e pedagogëve të jashtëm për ngarkesën e realizuar. Përsa i përket lekëve që do të nevojiten për pagesën e orëve shtesë, në udhëzimin e Kules saktësohet se përballmi i shpenzimeve për pedagogët efektiv do të kryhet deri në masën 30 për qind nga fondet e buxhetit të shtetit, të miratuara për këtë drejtim dhe pjesa tjetër nga të ardhurat e Universitetit të Tiranës. Kështu, në rastet kur nuk do të mjaftojnë fondet e buxhetit të shtetit, për të përballuar pagesat deri në 30% të tejkalime të stafit pedagogjik efektiv, atëherë do të përdoren të ardhurat e vetë Universitetit të Tiranës. Sipas Rektoratit, në këtë mënyrë rritet motivimi dhe krijohet fleksibilitet në trajtimin e stafit akademik.
Pagat e pedagogëve gjatë vitit akademik 2009-2010
Pagat e pedagogëve dhe gjatë vitit akademik 2009-2010 janë përcaktuar në varësi të titullit që ata kanë si dhe orëve të mësimit që do të japin. Sipas vendimit të marrë nga qeveria, pagat e pedagogëve do të variojnë nga 61 mijë lekë, deri në 12 500 lekë. Ndërsa shtesa për vjetërsinë e punës është parashikuar të jetë 0.5 për qind për çdo vit akademik, por jo më shumë se për 15 vjet. Për orët mbi normën mësimore të miratuar nga aktet përkatëse, pedagogët do të paguhen sipas gradave. Kështu, profesorët do të përfitojnë 1200 lekë për çdo orë 60-minutëshe. Personeli akademik që mban gradën “Profesor i asociuar”, do të marrë 1100 lekë, ndërsa “Docentët”, 1000 lekë. Pagesë më të ulët për orët shtesë do të përfitojnë “Lektorët”, të cilët për çdo orë shtesë do paguhen 600 lekë kurse “Lektorët e asociuar”, 800 lekë. Si orë shtesë në universitete, pedagogëve do t’u njihet edhe pjesëmarrja e tyre në mbledhjet e organeve drejtuese të universiteteve. Kështu, anëtarët e stafit akademik, që do të marrin pjesë në këto mbledhje do të shpërblehen me 8000 lekë në muaj nga shteti. Në rastet kur një anëtar i personelit akademik, për nevoja të procesit mësimor, punësohet në një vend pune me kërkesa më të ulëta se kualifikimi i tij vetjak, do të përfitojë pagën sipas vendit të punës. Veç saj, do të marrë edhe një shpërblim prej 50 për qind të diferencës së pagës që do merrte në përputhje me kualifikimin.
Çfarë përcakton pika 12 e udhëzimit për pedagogët
12. Disa nga elementet e veprimtarive për përgatitjen dhe mbështetjen e procesit mësimor dhe veprimtarive për kërkim, njehsohen në orë mësimore si vijon:
a) provime/mbrojtje teze diplome 0.4/0.5 orë mësimore/student;
b) udhëheqje teze diplome cikli I/II 15/30 orë mësimore/diplomë;
c) udhëheqje teze diplome master niveli I/II 15/30 orë mësimore/diplomë;
e) udhëheqje e projekteve të lëndëve 2 orë mësimore/projekt;
f) udhëheqje e detyrave të lëndëve 0.5 orë mësimore/detyrë;
g) përgatitje shfaqjeje, ekspozite, gare 10-30 orë mësimore/shfaqje;
h) kontrolle të pjesshme të programuara të dijeve 0.3 orë mësimore/student;
i) recensë teze diplome cikli I/II 5/10 orë mësimore/recensë;
j) recensë teze diplome master niveli I/II 5/10 orë mësimore/recensë;
l) konsultime të programuara deri 20% e orëve në auditor për leksione, ushtrime e seminare.
Dy shkronjat që janë shfuqizuar:
d) udhëheqje teze doktorate 90 orë mësimore/vit;
k) oponencë teze doktorate 20 orë mësimore/oponencë.
Paragrafi që është shtuar:
Personeli akademik që angazhohet me udhëheqje teze doktorature dhe oponencë teze doktorate konsiderohen ngarkesë jashtë ngarkesës mësimore vjetore. Pagesa do të kryhet sipas akteve në fuqi.
Mësimdhënia e normuar vjetore sipas titujve
Mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, e shprehur në orë mësimore, është, përkatësisht:
Për personelin akademik
Kategoria “Profesorë”:
me titullin akademik “Profesor” 200 orë mësimore
me titullin akademik “Profesor i asociuar” 220 orë mësimore
Kategoria “Docentë”:
me titullin akademik “Docent” 300 orë mësimore
me gradën shkencore “Doktor” 260 orë mësimore
Kategoria “Lektorë” 260 orë mësimore
Për autoritetet drejtuese të universiteteve publike:
Rektor/drejtor Qendre Ndëruniversitare 50/50 orë mësimore
Kryetar i Këshillit të Administrimit 120 orë mësimore
Zëvendësrektor/zëvendësdrejtor Qendre
Ndëruniversitare 70/50 orë mësimore
Dekan/drejtor Instituti 70/50 orë mësimore
Zëvendësdekan/zëvendësdrejtor Instituti 150/60 orë mësimore
Përgjegjës Departamenti/Qendre Kërkimi
e Zhvillimi 170/60 orë mësimore
Për personelin akademik me kohë të plotë në institut dhe qendër të kërkimit e zhvillimit, mësimdhënia e normuar vjetore do të jetë 20-30% e orëve mësimore.
Për nevoja të veçanta të kërkimit, për këtë personel akademik mund të planifikohet mësimdhënie e normuar vjetore më e pakët.
Konvertimi në orë mësimore
Elementët e mësimdhënies së normuar vjetore, konvertohen në orë mësimore si më poshtë:
1 orë leksion 1.5 orë mësimore
1 orë ushtrime/seminare 1.0 orë mësimore
1 orë laborator 0.8 orë mësimore
1 orë praktikë mësimore/profesionale 0.5 orë mësimore
1 orë mësim shoqërimi në Akademinë e Arteve 0.5 orë mësimore
14 Janar 2010