Bogdanoviç, dënon djegien e pikës kufitare

Ministri serb për Kosovën Goran Bogdanoviç, ka dënuar sot djegien e pikës kufitare në Jarinë dhe u ka bërë thirrje serbëve në veri të Kosovës, që të mos lejojnë që grupet ekstremiste të nxisin konfliktet.
Bogdanoviç ka thënë për mediat serbe se nuk ka qenë i pranishëm në Jarinë, kur një grup i të rinjve ka djegur pikën kufitare, por sipas informacioneve të tij, nuk ka pasur të lënduar.
“Grupet ekstremiste e kanë bërë më të keqen, për të cilën nuk kemi shpresuar. Ajo që ka ndodhur është për çdo gjykim. Nuk mund t`i zgjidhim kështu problemet”, ka thënë Bogdanoviç.
Ai ka thënë se qeveria serbe, do të bëjë gjithçka që “konflikti të mos përshkallëzohet”.