Bogu ‘ngrin’ kuqezinjtë “S’di nëse mund të luaj”
Jetmir Halilaj
Një nga shumë problemet e Ari Hani është edhe Erjon Bogdani. Sulmuesi shtatlartë është dëmtuar para pak ditësh në stërvitje me ekipin e tij Kievo. Ai ka çarë vetullën dhe kjo i ka kushtuar 8 të qepura. “Ende nuk jam i sigurt nëse do të luaj, do të konsultohem edhe me mjekët dhe trajnerin”, ka thënë ai për “Kohën Ditore” të martën. Ai e ka vlerësuar si ndeshje shumë të vështirë përballjen me Maltën. Bogdani do të ishte i lumtur sikur të shënonin një gol. “Një ndeshje e vështirë do të varet si do të luajmë ne. Por them se do të bëjmë gjithçka është e mundur për t’i marrë këto tri pikë, që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen tonë si ekip. Shpresoj të shënoj një gol që të jetë vendimtar”, ka thënë ai. “Kemi mungesa shumë të mëdha, por shpresojmë t’i rikuperojmë në mënyrën më të mirë. Janë lojtarë me përvojë dhe për këtë arsye është e madhe mungesa e tyre”.
Bogdani pati shënuar golin e parë kundër Maltës në fitoren 3:0 të Shqipërisë, shtatorin e kaluar. Ndërkaq, sipas medias italiane, mjekët e Kievos janë të bindur se shtatlarti nuk do të luajë në ndeshjen e sotme, madje ata janë të shqetësuar edhe për ndeshjen kundër Kaljarit. Trajneri i skuadrës venete, Domeniko Di karlo nuk e ka fshehur shqetësimin për mungesën e Bogdanit. “Fati vazhdon të mos jetë me ne – ka thënë ai për mediat italiane – Kundër Katanias është një ndeshje shumë e rëndësishme, por megjithëse skuadra gëzon një formë të mirë, kam frikë se të dielën do të na mungojnë Bogdani dhe Yepes, të cilët janë të dëmtuar”. Në rast se 32-vjeçari nga Tirana do të mungojë, në vend të tij do të luajë Hamdi Salihi. Ky i fundit gëzon një formë të mirë fizike dhe do të ketë shansin që të tregojë vlerat e tij edhe në përfaqësuese. Vijën e sulmit do ta ndihmojnë Skela dhe Duro, dy mesfushorët e avancuar, tek të cilët Ari han ka shumë shpresa.