E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, qeveria do të hedhë 300 milionë euro

 

Vetëm pak ditë pas deklaratës së përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, se rritja ekonomike në 2009 do të jetën 3.5 për qind, ka reaguar kreu i financave shqiptare, Bode. Për Ministrin e Financave, rënia ekonomike nuk do të jetë aq sa e ka parashikuar Fondi. Lidhur me krizën financiare që ka përfshirë shumë ekonomi të mëdha, Bode ka garantuar se qeveria ka marrë masat që efektet e krizës globale të jenë minimale në vendin tonë. Madje, sipas tij, për financimin e investimeve qeveria do të marrë hua 300 milionë euro nga bankat e huaja.
Rritja ekonomike
Niveli i rritjes ekonomike është venë në qendër të vëmendjes jo vetëm të analistëve vendas por edhe të vetë ndërkombëtarëve. Pak ditë më parë, shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Bell, deklaroi se rritja ekonomike në 2009-ën do të jetë nën 3.5 për qind, pra nën parashikimin e kryer nga Fondi. Por Ministri i Financave, Ridvan Bode, nuk ka ndarë të njëjtin mendim me ndërkombëtarët. Lidhur me këtë ministri është shprehur se “Të mos bëjmë Kasandrën për ekonominë shqiptare. Rënia e mundshme e eksporteve po kompensohet me eksportet e energjisë. Kërkesën do e mbajmë të lartë përmes vëllimit të madh të investimeve publike dhe rritjes së pagave”, u shpreh Bode. Sipas tij, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 9.9 përqind gjatë 9-mujorit të parë të vitit, megjithëse kjo rritje vlerësohet të jetë ngadalësuar në 3-mujorin e fundit. Si rrjedhojë, për vitin 2008 rritja ekonomike vlerësohet të jetë 7.2 për qind, krahasuar me 6 për qind në vitin 2007. Gjatë analizës së muajit janar, Bode theksoi se edhe ky muaj rezultoi goxha pozitiv përsa i përket treguesve ekonomik.
Kredia
Pavarësisht krizës financiare ndërkombëtare, qeveria nuk dp të kursejë para për investimet publike. “Nuk është koha për të kursyer, por për të shpenzuar në mënyrë efektive. Investimet publike nuk do të preken” theksoi kreu u financave, Bode. Për këtë qeveria ka vendosur që të marrë plot 300 milionë euro hua nga institucionet ndërkombëtare. “Qeveria tashmë nuk do të marrë kredi në bankat vendase, në mënyrë që të mos dëmtohet tregu i brendshëm financiar. Ato do të vazhdojnë të jenë një institucion kreditimi ndaj ekonomisë”, tha Bode. Sipas tij, “marrja e kredisë në bankat ndërkombëtare, nga pikëpamja e menaxhimit makro, jo vetëm nuk do të shkaktojë probleme, por në këtë rast qeveria do të jetë një nxitëse e mëtejshme e ekonomisë”. Lidhur më ketë hua, burime nga Ministria e Financave sqarojnë se ka përfunduar procesi i pranimit të ofertave për financimin e një huaje prej rreth 300 milionë eurosh, për të financuar investimet publike të vitit 2009, sipas programit të buxhetit. Në këtë fazë janë paraqitur 7 oferta nga institucione financiare ndërkombëtare me shumë reputacion në tregun financiar botëror të tilla si: Raiffeissen, Deutche Bank, Alpha Bank, J.P. Morgan, Citigroup, Credit Suisse dhe BNP Paribas. Së shpejti Ministria e Financave do të bëjë vlerësimin e ofertave për të shpallur fituesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›