E Diel, 1 Nëntor 2026

Gershman, 70 foto me njerëzit e Besës

 

ALMA MILE

Kur shikon aq shumë të rinj që e kanë rrethuar, ai pyet nëse e njohin kodin e besës. Përgjigjja është një heshtje e gjatë e shoqëruar me një buzëqeshje, si të një njeriu që zihet ngushtë. Për vendasit kjo pyetje është gati e pavend. Megjithatë amerikani thotë i kënaqur se kjo është një gjë e mirë, sepse është një pasuri, për të cilën nuk jemi të vetëdijshëm, por që është vërtetë e rrallë. Pasi ka shëtitur shumë vende me ekspozitën e tij, fotografi amerikan Norman Gershman erdhi edhe në Tiranë bashkë me portretet e tij. Ardhja e fotografit pritej prej ditësh. Buja e ekspozitës së tij mbërriti nga Uashingtoni e më pas nga Ramallahu i Izraelit. Arsyeja është e thjeshtë. Ato portrete nuk janë të “huaja”, janë pikërisht fytyra të ngrohta shqiptare, që duket se i kemi mes tonë. “Besa-Shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, titullohet ekspozita, e cila sjell 70 fotografi bardhë e zi. Në një konferencë organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Gershman tregoi si lindi ideja për të ndërmarrë rrugëtimin nëpër Shqipëri, pesë vjet më parë. Atë mision kërkimi, nga i cili do të mësonte mbi ca kode të pashkruara, mbi ca tradita të lindura me vetë shqiptarët, pa të cilët ata nuk bëjnë dot. “Në Yad Vashem, në Muzeun e Holokaustit në Izrael numërohen emrat 35 familjeve shqiptare të dekoruara. E kanë marrë këtë nderim falë dokumenteve dhe dëshmive që ekzistonin mbi ndihmën që u dhanë familjeve hebreje. Por mësova se këto familje janë shumë më shumë se kaq, por që nuk u është “njohur” akti i tyre për shkak se i kanë humbur lidhjet me hebrenjtë e shpëtuar, apo për shkak të emrave myslimanë që u dhanë atyre e që nuk u dokumentuan”, tregon Gershman. Me ndihmën e shoqatës shqiptaro-izraelite, fotografi nisi rrugëtimin nëpër Shqipëri e Kosovë. “Udhëtuam nëpër gjithë Shqipërinë, nëpër ato rrugët e vështira malore, por kjo e bëri misionin tonë edhe më të bukur”. Ata takuan të moshuar që rronin ende dhe kujtonin vitet e luftës, por më së shumti fëmijë e nipër, që ruanin prej prindërve të tyre historitë e hebrenjve të arratisur. E pritën fotografin në shtëpitë e tyre të thjeshta. E gostitën me pijen tradicionale dhe i rrëfyen fotografi e Kur’hanë, që i ruanin brez pas brezi. Në fytyrat e tyre reflektohet një mirësi e paanë. Me dorë në zemër e presin mikun, i cili edhe këtë e quan si një virtyt të rrallë. Ndërsa gjen të njëjtën pritje dhe arsye që i shtyn këta njerëz të ndihmonin hebrenjtë e përndjekur nga nazistët, aq të ndryshme janë historitë që ata rrëfejnë. Në një oborr pas shtëpie, fëmijë shqiptarë e hebrenj luajnë së bashku. Një nënë mend me qumështin e gjirit dy fëmijë me kombësi të ndryshme. Diku të arratisurit me emra mbretërish të shquar si Solomon, apo David, morën emra myslimanë, që të mos binin në gjurmë, edhe pse gjithë gjitonia e dinte se ata ishin të huaj. “Qëllimi ynë ishte regjistrimi i një kulture shumë të rëndësishme në botë, që është kjo e juaja. Ajo e të ndihmuarit të njerëzve në nevojë. Ju e bëni këtë në mënyrë të natyrshme dhe nuk e dini se në këtë mënyrë integroni në kulturën e tjetrit, kulturën e besës”, thotë Gershman. Gjatë rrugëtimit nëpër Shqipëri, ai mblodhi material të mjaftueshëm, jo vetëm për një ekspozitë fotografike, por edhe për një libër, ku numërohen edhe shumë histori, por edhe një dokumentar, i cili do të dalë në fund të këtij viti. “Ajo që ju e quani normale është unike në botë. Është e vërtetë që nuk keni ushtri të mëdha dhe pasuri të mëdha kombëtare, por ju them se besa është gjëja më e rëndësishme në botë. Përkundër idesë së krijuar në perëndim që myslimanët janë terroristë, unë dua të përçoj mesazhin se këta njerëz nuk kanë asnjë lidhje me terrorizmin. Ata janë tërësisht kundër dhunës. Janë njerëz që përcjellin vlera, janë njerëz të mirë, shpëtimtarë”, thotë ai. Për këtë ai është i gatshëm të përballet me këdo që thotë të kundërtën. Nuk ka nguruar ta thotë këtë në muzeumet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ekspozita ka udhëtuar, por as në Izrael, për ditën e Shoahut. Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur në Tiranë deri në datën 17, do të udhëtojë drejt galerisë “Edward Lear” në Berat, nga data 20-28 shkurt dhe më tej në galerinë “Jozef” në Durrës nga data 2-7 mars.

Të mëkuar nga një nënë

“E takuam familjen çifute duke ecur përhumbshëm në rrugët e Beratit. Ata ishim Isak Solomon Adixhes, vajza e tij Sara dhe vajza e tyre foshnje, Sonya”, - kujton Afërdita Gjergjani. “Ata vinin nga Prishtina, nga i kishin shpëtuar nazistëve. Ne kishim një shtëpi të madhe, ku i strehuam ata për më shumë se 6 muaj. Tanimë unë jam e moshuar dhe e sëmurë, po ata i mbaj mend shumë mirë, në veçanti Sarën. Ne të dyja ishim si motra. Djali im i vogël, Përparimi kishte tamam moshën e Sonyas së vogël. Ishte një bekim nga zoti, që ata erdhën në shtëpinë tonë, sepse unë nuk kisha mjaftueshëm qumësht për të ushqyer tim bir dhe Sara kishte mundësi të ushqente me gji edhe djalin tim, bashkë me vajzën e saj. Ne i kushtuam Sarës gjithë vëmendjen e nevojshme, që ajo të mund të vazhdonte t’i ushqente të dy fëmijët. Sipas një tradite shqiptare, kur e njëjta grua ushqen dy fëmijë, ata bëhen vëlla e motër. Kështu që djali im Petriti ka një motër me emrin Sonya në Izrael. Kur nazistët erdhën, familja Adixhes, ashtu si edhe shumë refugjatë të tjerë hebrenj, ishin larguar për në fshatra të tjera të Shqipërisë. Një herë më pyetën nëse një nënë hebreje kishte ushqyer fëmijën tim dhe unë u thashë se “hebrenjtë janë njerëz të mirë, ashtu si ne”.

Objektivi qëndron tek njeriu

Nxënës i emrave të mëdhenj të fotografisë, Norman Gershman, fitoi një stil tërësisht të tijin. Fokusi i tij ishin njerëzit dhe shpesh herë është përfshirë nëpër projekte, që kanë në qendër pikërisht njeriun. Fotografitë e tij janë ekspozuar në galeritë dhe muzeumet më të rëndësishëm, anë e kënd botës, që nga Amerika, në Kinë, në Rusi e Tel Aviv, ku ndodhet një koleksion i përhershëm i tij. Emra të mëdhenj të politikës e nobelistë, nuk mund të mos shprehnin fjalët më të mira për punën e Gershman, e cila nuk është thjesht rastësore. Por përbën një kërkim më vete, si në rastin e projektit të madh “Myslimanët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Ky është edhe projekti me të cilin ai po merret aktualisht. Krahas fotografive, që vazhdon t’i dokumentojë, ka botuar edhe një libër-album dhe në fund të këtij viti, pritet të përfundojë një dokumentar me këtë temë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›