E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zhduket” dëshmitari, pa atentatin e Ardian Nunit

 

Etleva Delia

Atentati i orëve të vona ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, e ka një dëshmitar. Një person okular, i cili ka parë gjithçka ka ndodhur veçse, nga sa u ka treguar hetuesve, autorin e krimit nuk ka mundur ta njohë. Ky person, që mësohet se është një banor i zonës i vetëpunësuar në një aktivitet privat te “Komuna e Parisit”, është marrë në pyetje mbrëmjen e të hënës, 24 orë pasi një person qëlloi katër herë me armë zjarri mbi gjyqtarin 40-vjeçar, Ardian Nuni, duke arritur ta godasë vetëm dy herë. Por pas marrjes në pyetje, dëshmitari okular i ngjarjes ku mbeti i plagosur gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, është “zhdukur” pa lënë gjurmë. Burime të sigurta pranë grupit hetimor, që është ngritur për këtë ngjarje, bënë të ditur se mbrëmjen e së hënës policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje, të vetmin të pranishëm që ka parë ngjarjen. Për arsye të sigurisë së hetimeve, por edhe për ruajtjen e identitetit të personit që është marrë në pyetje dy ditë më parë, policia nuk ka bërë të ditur emrin e tij. Megjithatë burime të hetimit shpjeguan se ai është një person që punon si roje në një objekt aty pranë e që ndodhej shumë afër vendit të ngjarjes, në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë. Të njëjtat burime sqaruan se ai është një burrë në moshë, rreth të 70-ve dhe me origjinë nga Shkodra. Gjatë dëshmisë së tij, ai ka dhënë të njëjtin përshkrim për ngjarjen, sikurse ka deklaruar edhe vetë juristi Ardian Nuni në Spitalin Ushtarak. Dëshmitari okular, ka pohuar se ka parë një djalë të ri, i cili kishte një kapuç në kokë dhe që armën e ka nxjerrë nga një letër që mbante mbështjellë në duar. Atentatori ka qëlluar katër herë në drejtim të gjyqtarit Nuni dhe më pas është larguar në drejtim të kundërt me hyrjen e pallatit ku banon gjyqtari. Pasi ka dhënë deklarimet e tij, dëshmitari nga Shkodra ka dalë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, për t’u kontaktuar sërish nga oficerët e policisë, ndërkohë që nuk është marrë më në pyetje, pasi nuk është gjetur në banesë dhe as në vendin e tij të punës. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se ai është kërkuar dje gjatë gjithë ditës, për t’u marrë në pyetje, por policia nuk e ka gjetur dhe nuk ka arritur të lidhet më me të. Ky person konsiderohet dëshmitari kyç që mund të japë detaje të rëndësishme për dosjen hetimore të plagosjes së gjyqtarit Ardian Nuni, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është gjetur për të dëshmuar në lidhje me këtë atentat, fatmirësisht të dështuar. Policia ka hedhur dyshime se i moshuari që ka deklaruar se ka parë ngjarjen, mund të jetë fshehur enkas për të shmangur vazhdimin e dëshmisë por nuk përjashtohet mundësia që ai mund të jetë kërcënuar nga atentatorët, në mënyrë që të mos flasë për policinë. Tashmë përveç hetimeve për identifikimin e personave që kanë tentuar të vrasin gjyqtarin Nuni, policia ka nisur hetimet edhe për “zhdukjen” e dëshmitarit okular, i cili jo vetëm që nuk është paraqitur për të dëshmuar, por edhe nuk gjendet nga policia as në vendin e punës as në vendbanimin e tij.

Policia vazhdon pyetjen e dëshmitarëve

TIRANE – Policia e kryeqytetit, e asistuar edhe nga oficerë të strukturave qendrore të policisë, ka vazhduar dje marrjen në pyetje të dëshmitarëve apo personave të dyshuar, me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Mësohet se dhjetë persona janë marrë në Drejtorinë e Policisë dhe në komisariatet e ndryshme sipas zonave ku janë verifikuar, me anë të skedimit të shenjave të gishtave dhe pyetjes lidhur me ngjarjen. Të shoqëruarit janë përzgjedhur me anë të informacioneve të grumbulluara prej agjentëve të policisë, lidhur me dëshmitarët e mundshëm të atentatit ndaj gjyqtarit, si dhe njerëzve që janë ndodhur aty pranë dhe që mund të kenë parë ndonjë sekuencë të sulmit ndaj juristit 40-vjeçar. Nga deklarimet e marra prej personave të shoqëruar në polici, hetuesit nuk kanë arritur dje të mësojnë detaje të reja që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes. Pas dokumentimit të deklarimeve nga personat e shoqëruar, ata janë lënë të lirë nga grupi i hetimit.

Në hetim edhe Prokuroria e Tiranës

TIRANE – Zyrtarët e Prokurorisë së Tiranës qëndruan dje në një takim që ka zgjatur më shumë se dy orë me drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Tema e bisedës në takimin mes zyrtarëve të organit qendror të akuzës, ka qenë edhe ngjarja e ndodhur,ajo e atentatit ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë. Mësohet se në hetimin e ngjarjes tashmë është angazhuar një grup i përbashkët hetimi nga Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria e Përgjithshme. Dosja penale për atentatin ndaj gjyqtarit, gjithsesi ndodhet ende në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi ende nuk është përcaktuar përfundimisht nëse ngjarja ka të bëjë me detyrën apo me çështje private të juristit 40-vjeçar. Gjithsesi mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda, mund ta kalojë dosjen në Prokurorinë e Tiranës, në rast se rezulton se sulmi nuk ka qenë për shkak të detyrës së Ardian Nunit si gjyqtar i Gjykatës së Lartë apo si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë. Gjatë takimit të krerëve të Prokurorisë së Tiranës dhe Krimeve të Rënda, në disa momente ka asistuar edhe kryeprokurorja Ina Rama, të cilës vartësit e saj i kanë konfirmuar bashkëpunimin mes dy prokurorive.

Atentati gjyqtarit, pyeten tre pedagogët e Juridikut

Trazhgim Sokolaj

Një zyrtar i Fakultetit të Drejtësisë dhe dy pedagogë të këtij institucioni u morën dje në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me atentatin me armë zjarri ndaj Ardian Nunit. Lajmi konfirmohet nga burime konfidenciale të hetimit, sipas të cilave, administrimi i deklarimeve të personave të pyetur është bërë nga oficerët e Krimeve të rënda, në prani të agjentëve të sektorit të Antiterrorit në Policinë e shtetit. Tre zyrtarët e Fakultetit Juridik kanë treguar në deklarimet e tyre në Prokurori, se lënda që jepte profesori Ardian Nuni, “E Drejta Civile” është një nga programet më të vështira të fakultetit dhe për këtë shkak, numri i studentëve ngelës ka qenë i lartë. Mësohet se javën e fundit, Ardian Nuni kishte marrë në provim 100 studentë mbetës në provime, të mbartura prej tri vitesh në lëndën e të Drejtës Civile. Prokuroria është duke verifikuar nëse ndonjëri nga studentët që nuk ka arritur të marrë provimin, është implikuar në agresionin ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë. Ndërkaq mësohet se provimet e dhëna nuk ishin korrigjuar nga 40-vjeçari por nga një kolege e tij, e cila është marrë dje në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Dy pedagogët dhe zyrtari që kujdeset për aspektin administrativ të punës në Fakultetin e Drejtësisë, kanë hedhur poshtë mundësinë që provimet dhe detyra e Ardian Nunit si pedagog, të kenë qenë shkak i atentatit. Ata kanë përshkruar një komunikim të rregullt dhe raporte korrekte mes gjyqtarit dhe studentëve të Juridikut.
Pista personale
Siç duket në zbatim të rekomandimit të bërë tri ditë më parë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zyrtarët e policisë dhe Prokurorisë bënë kujdes në deklarime lidhur me hetimin e atentatit ndaj gjyqtarit Ardian Nuni. Megjithatë burimet hetimore konfirmojnë verifikimin e pistës së problemeve private të gjyqtarit madje thanë se në këtë version janë shoqëruar persona konkretë për t’u marrë në pyetje. Nga ana tjetër, gjyqtari 40-vjeçar ka pohuar se nuk kishte asnjë konflikt apo mosmarrëveshje, duke hedhur poshtë çdo pakënaqësi të personave të tjerë ndaj tij. Megjithatë prokuroria insiston në verifikimet për pistën e problemeve personale, për shkak se 40-vjeçari kishte kohë që nuk kishte dhënë vendime në Gjykatën e Lartë, madje nuk kishte marrë pjesë as në shqyrtimin e çështjeve civile. Sipas burimeve të konfirmuara nga hetimi, mësohet se Ardian Nuni nuk ka shqyrtuar asnjë çështje madje nuk ka dhënë asnjë vendim gjyqësor në Gjykatën e Lartë gjatë vitit 2009. Vendimet e fundit të dhëna prej tij mësohet se janë shpallur në dhjetor 2008 dhe kanë pasur të bëjnë me çështje pronësie dhe konflikte civile. Pas fundit të vitit të kaluar, për shkak të ngarkesës, anëtari i Gjykatës së Lartë Ardian Nuni nuk ka dhënë asnjë vendim gjyqësor çka mund të ishte bërë shkak për agresionin ndaj tij. Vendimet e fundit të dhëna nga 40-vjeçari janë verifikuar imtësisht nga Prokuroria, e cila është përpjekur të identifikojë ndonjë person potenacialisht të rrezikshëm apo të pa kënaqur ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, që mund të kishte ndërmarrë veprimin kriminal të mesnatës së diel. Drejtues të lartë të Sektorit të Antiterrorit dhe Prokurorisë së Përgjithshme kanë qenë edhe gjatë ditës së djeshme në kontakt me grupin e hetimit ndërsa mësohet se tashmë janë ravijëzuar të dhënat e para për shkakun e ngjarjes madje edhe autorin e mundshëm të saj.

Sulmi ndaj Nunit, Withers takon Beçajn: Të ndëshkohen autorët
TIRANE – “Agjencitë ligj-zbatuese do të bëjnë më së miri punën e tyre në kuadër të zbulimit dhe vënies përpara drejtësisë të autorëve të ngjarjes ndaj gjyqtarit Ardian Nuni”. Ambasadori amerikan në Tiranë John L. Withers II është shprehur në këtë mënyrë gjatë një takimi që kishte dje me Kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, pasi shprehu dhe shqetësimin e tij personal në lidhje me këtë ngjarje të ndodhur dy ditë më parë, ndaj gjyqtarit Nuni. Gjatë takimit, me rastin e zgjedhjes së saj në këtë post, mësohet se Kryetarja e Gjykatës së Lartë ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme që qeveria amerikane i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në vendin tonë, me anë të organizmave të ndryshëm që operojnë në Shqipëri në këtë fushë, në kuadër të arritjes së një drejtësie sa më bashkëkohore. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë pohojnë se ambasadori Withers, pasi e përgëzoi dhe uroi kryegjyqtaren për detyrën e re, u shpreh i sigurt se Beçaj do ta kryejë më së miri detyrën e saj shumë të rëndësishme në krye të këtij institucioni, duke vlerësuar gjithashtu dhe përgatitjen profesionale të saj. Më tej, mësohet se, sipas Beçaj, sistemi i drejtësisë në Shqipëri përbëhet nga gjyqtarë profesionistë dhe me integritet të lartë, të cilët janë të përkushtuar në zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve. Ndërkohë, ambasadori Withers gjatë takimit të përbashkët me Kryetaren e Gjykatës së Lartë u shpreh i bindur që organet e pavarura të drejtësisë duhet të jenë në frontin e luftës antikorrupsion, në respekt absolut ndaj parimeve demokratike. Sipas Withers, i cili ndan të njëjtin mendim me kryegjyqtaren Beçaj, sistemi gjyqësor në një vend demokratik është një nga hallkat më të rëndësishme me një vlerë të pazëvendësueshme. Ndërsa në fund të takimit Withers, duke dhënë një mesazh, për drejtësinë mësohet të jetë shprehur se jo vetëm ai, por edhe vendi i tij, do të jenë gjithmonë të gatshëm për të bashkëpunuar me një drejtësi të pavarur.            f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›