Peqin, shkollë 9-vjeçare për të dënuarit analfabetë
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit nuk do të ketë më analfabetë. Që nga 29 janari i këtij viti, në ambientet e këtij burgu është çelur një shkollë 9-vjeçare. Të dënuarit për vepra të rënda penale, do t’u duhet të ulen në banka dhe pse jo, të bëhen nxënës shembullorë. Në tre klasa me nga 20 nxënës secila, ata do të marrin njohuritë e munguara, me programet që aplikohen edhe në sistemin e arsimit 9-vjeçar në shkollat shtetërore. Në sajë të këtij projekti, i cili aplikohet për herë të parë, Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve kanë rënë dakord që të shtojnë në organikën e mësuesve tre vende. Këta arsimtarë do të mësojnë të dënuarit analfabetë dhe do t’u mundësojnë atyre të marrin njohuri mbi programet mësimore të ciklit të detyrueshëm. Nxënësit që u ulën në banka ishin aq entuziastë sa kanë kërkuar të hapet edhe një shkollë e mesme, pasi ata të përfundojnë këtë sistem. Ambientet kanë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor. Kjo shkollë funksionon si të gjitha të tjerat. Ka regjistrin për mungesat e notat, amzën dhe në fund të shkollës të gjithë të dënuarit do të pajisen me dëftesë. Klasat janë të ndara me nga 20 nxënës, me nga dy të dënuar në çdo bankë. Mësimi vëzhgohet nëpërmjet kamerave të vendosura në klasa. Një kamerë është e vendosur edhe në korridor, ndërsa tek secila derë qëndron një polic i burgjeve për të ndërhyrë në rast të ndonjë situate të pakëndshme. Sipas burimeve në burgun e sigurisë së lartë, hapja e shkollës 9-vjeçare është pritur me interes të madh nga shumica e të dënuarve. Një grup nga të burgosurit, kryesisht për vepra të rënda, i kanë dërguar një kërkesë drejtorit të Burgut të Peqinit, Shkëlqim Kalemi, që të hapë edhe një shkollë të mesme. Kjo kërkesë pritet të depozitohet së shpejti në Ministrinë e Arsimit, e cila do të vendosë nëse do ta miratojë ose jo. Tre mësuesit që kanë nisur të japin mësim në ciklin 9-të vjeçar pranë burgut të Peqinit janë me eksperiencë në mësimdhënie. Ata janë mësues të vjetër dhe me një përvojë shumëvjeçare në arsim. Mësuesit vijnë çdo ditë nga Peqini te burgu në orën 09:00 të mëngjesit për të nisur mësimin dhe largohen prej tij afërsisht rreth orës 13:30. Ata kryejnë çdo ditë nga pesë deri në gjashtë orë mësim, sipas orarit të hartuar prej tyre.
Drejtori
Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë të Peqinit, Shkëlqim Kalemi, u shpreh se hapja e kësaj shkolle ka krijuar një impakt pozitiv tek ata të dënuar që janë duke kryer ciklin 9-vjeçares. “Te këta të dënuar, që nga koha e nisjes së shkollës diçka ka ndryshuar. Ata kanë libra, fletore e të gjithë bazën e nevojshme për të mësuar e për të hequr stresin që mund të sjellë qëndrimi në burg”, u shpreh Kalemi. Sipas tij, pjesa më e madhe e të dënuarve që po frekuentojnë shkollën kanë jo më pak se 15 vite burgim. Për të vijuar shkollën brenda qelive ka pasur shumë kërkesa.