Bojan Maksimoviç: “Shpresojmë për rezultat të mirë në Tiranë”

Kundërshtari i 17-herë kampionëve të Shqipërisë në Ligën e Kampionëve, FK Modrica, prej të dielës në mbrëmje ndodhet i akomoduar në hotel "Tirana International", të shoqëruar edhe nga një ekip i televizionit shtetëror boshnjak, që do të bëjë një reportazh në lidhje me ndeshjen e parë të Modricës në Ligën e Kampioneve.
RELAKS - Paraditen e sotme, lojtarët shfrytëzuan "lirinë" për të njohur kryeqytetin shqiptar, teksa thuajse të gjithë lojtarët të veshur me bluza blu kanë blerë dicka nga dyqanet artistike të Tiranës. "Është një qytet i bukur, shumë i madh në raport me Modricën (rreth 36 mijë banorë), ka shumë gjëra për të parë dhe nga dhomat tona (të hotelit) pamja nga lart është fantastike", - thotë sulmuesi 19-vjecari Peter Matovic, i cili duke qenë se nuk është pjesë e formacionit shartues, kërkon ta shijojë në maksimum kohën.
MAKSIMOVIC- "Ne e dimë se Dinamo e Tiranës është një ekip i mirë, por ne shpresojmë për një rezultat të mirë, kështu që ne besojmë se mund të bëjmë dicka pozitive në Tiranë, për të shpresuar më pas në ndeshjen e kthimit e për të shkuar më tej", - thotë për "Albania-sport.com" mbrojtësi 25-vjecar Bojan Maksimovic (ne foton e vogel), i cili sapo kthehej nga një shoping i shpejtë në Rrugën e Durrësit. "Kemi parë video të Dinamos, por ne e dimë se disa lojtarë kanë ikur, kështu që ne shpresojmë "to do well here" (të bëjmë mirë këtu)", - thotë me një anglishte perfekte Maksimovic, nr. 3 i Modricës.
Lojtare te Modrices duke folur per Albania-sport ne hollin e hotel "Tirana International", Tirane
LUKIC- Modrica nga fundi i muajit maj nuk ka në drejtim trajnerin që e shpalli kampion, Slavisha Bozhicicin, i cili ka marrë tashmë bankinën e skuadrës serbe, Bezanjinjës, ekipi beogradas që u eliminua sezonin e kaluar nga Besa e Kavajës në turin e parë të Kupës UEFA. "Trajneri Mitar Lukic ka ardhur te ne gjatë kësaj vere, por ai na ka drejtuar edhe më parë. Ne e njohim atë dhe ai na njeh shumë mirë, pasi me të kemi fituar edhe Kupën e Bosnjës", - shprehet Maksimovic, i cili luan prej pesë vitesh me Modricën. Kundërshtari i 17-herë kampionëve të Shqipërisë, Fk Modrica është shpallur sezonin e fundit, për herë të parë kampion i Bosnjë-Hercegovinës, një kompeticion i cili ndryshe nga Superliga shqiptare me 12 skuadra, Premier Liga boshnjake numëron 16 të tilla. "Po është hera e parë që ne fituam titullin kampion, por më parë kemi fituar Kupën e Bosnjës në vitin 2004. Ne jemi një ekip serb i Bosnjës. "Niveli i futbollit boshnjak është i përafërt me atë shqiptar, kështu që do të jetë një ndeshje interesante midis dy ekipeve", - shton Maksimovic.
MILJKOVIC – "Ne nuk e njohim shumë mirë ekipin e Dinamos, por nga ndeshja që kemi parë në videokasetë, ajo kundër Partizanit, duket se është një ekip që luan shpejt me topin ", - thotë për "Albania-sport.com", mesfushori 24-vjecar i Modricës, Vladimir Miljkovic në hollin e hotelit "Tirana International", ku dhe është akomoduar kampionia e Bosnjë-Hercegovinës. "Nga ato që kemi parë, them se sulmuesi kroat (Pero Pejic) është shumë i rrezikshëm. Një tjetër lojtar që na është dukur i mirë është qendërmbrojtësi i Dinamos (Pisha)", - shton lojtari i formacionit bazë, pa e ditur se Pero Pejic nuk do të jetë pjesë e Dinamos. "Ka nënshkruar në Austri? Atëhërë, më pak punë për ne", - thotë me të qeshur, numri 16 i Modricës, teksa mëson rishtazi informacionin.
FK MODRICA - Kampionati i Bosnjë-Hercegovinës me formatin e sotëm zhvillohet që nga sezoni 2000-2001, kohë edhe kur Bosnjë-Hercegovina u shkëput zyrtarisht nga ish-Republika e Jugosllavisë, një shtet që nuk ekziston më. Zheljenicar është kampioni i parë (ka fituar 2 tituj), ndërsa Modrica, e themeluar zyrtarisht në vitin 1921 fiton për herë të parë. Listën e kampionëve boshnjakë e kompletojnë kundërshtari i Partizanit në Kupën UEFA, Shiroki Brijeg (2-herë kampion), Leotar Trebinje e Zrinjski Mostar (të dyja nga 1-herë). Ndeshja e dytë (më 23 korrik) do të luhet në stadiumin "Maxima" (4000 shikues). Modrica ka një eksperiencë të vogël ndërkombëtare, vetëm katër ndeshje, por duhet theksuar fakti se në pjesëmarrjen e parë të saj në Kupën UEFA (2004-2005) i fitoi dy takimet e para kundër Santo Koloma të Andorrës, por u eliminua në turin e dytë nga Levski e Sofjes. Në gjirin e skuadrës kampionë e Bosnjë-Hercegovonës ka dhjetë lojtarë serbë të Bosnjës, ndërsa pjesa më e madhe e skuadrës përbëhet nga futbollistë me origjinë boshnjake.