Gjysma e Kombëtares në treg

Jetmir Halilaj (Panorama Sport)
Temperaturat në këto ditë të nxehta të korrikut korrespondojnë edhe me klimën në të cilën ndodhet merkatoja e futbollistëve. Vorbulla e kësaj të fundit nuk ka lënë pa përfshirë as lojtarët e Kombëtares shqiptare, një pjesë e mirë e të cilëve janë në qendër të vëmendjes të disa klubeve të rëndësishme në arenën evropiane.
Sulmi- Ashtu sic ka ndodhur shpesh në vitet e fundit, Erjon Bogdani, qendërsulmuesi i përfaqësueses shqiptare, është në lupën e disa skuadrave italiane. E ardhmja e tij te Kievo duket e pasigurt, megjithëse drejtuesit e klubit venet kanë thënë se dëshirojnë ta mbajnë. Përvec tij, edhe Hamdi Salihi mund të ndryshojë ekip deri në 31 gusht, afat kur mbyllet zyrtarisht merkatoja verore. Lojtari ka shprehur dëshirën për të kaluar në një klub të madh dhe nëse shënon sërish në javët e ardhshme me Riedin, atëherë mund të transferohet në kampionatin gjerman. Për të kanë shfaqur interes dy klube të Bundesligës 2 dhe një klub i Bundesligës 1 gjermane. Ndërkohë që edhe Udineze e pëlqen sulmuesin e përfaqësueses shqiptare.
Mesfusha- Lorik Cana deklaroi pak kohë më parë se dëshiron të qëndrojë te Marseja, por nëse ndonjë klub si Arsenali, apo Reali i Madridit (e vëzhgojnë futbollistin prej një viti) do t'i bënin ndonjë ofertë të majme atij dhe Marsejës, ka pak gjasa që ai të qëndrojë në kampionatin francez. Për yllin e përfaqësueses shqiptare interesohen edhe Roma, Napoli dhe Evertoni. Ervin Skela gjithashtu ka marrë një ofertë zyrtare nga klubi izraelit i Makabi Netanjas. Kjo skuadër drejtohet nga gjermani i njohur Lotar Mateus dhe ky i fundit ka miratuar propozimin e drejtuesve për t'i bërë ofertë fantazistit që luan te Kotbusi. Ervin Bulkut, mesfushorit energjik që luan te Krivbasi, i skadon kontrata me ukrainasit pas gjashtë muajsh, por nuk do të ishte cudi që ish-futbollisti i Tiranës të ndryshojë skuadër, meqenëse për të interesohen klube të tjera ukrainase, por edhe nga Rusia. Elis Bakaj, talenti i Partizanit, i cili kohët e fundit është thirrur rregullisht në përfaqësuese, mund të largohet nga të kuqtë në drejtim të Gjermanisë, nëse oferta financiare e klubeve që e kanë kërkuar do të kënaqë kërkesat e larta të krerëve të klubit të kuq.
Mbrojtja- Dyshja kosovare, Dallku e Curri, është padyshim më e përfolura gjatë kësaj vere. Për dy mbrojtësit e përfaqësueses interesohen shumë skuadra. Madje, pak kohë më parë u përfolën edhe Herta e Berlinit dhe Everton. Problemi i tyre është kontrata që kanë me klubin ukrainas të Vorskla Poltavës dhe nëse kjo cështje zgjidhet, atëherë sipas të gjitha gjasave lojtarët do të spostohen në ndonjë skuadër gjermane të Bundesligës 1. Një tjetër mbrojtës kuqezi që mund të largohet nga skuadra aktuale është Kristi Vangjeli, i cili sezonin e fundit nuk arriti të luajë sistematikisht te Aris. Sipas menaxherëve shqiptarë, për të interesohen ekipe gjermane të Bundesligës 2, por problem ka qenë kërkesa e lartë e klubit grek për kartonin e lojtarit.
Portierët - Reparti i mbrojtësve ekstrem është më i stabilizuari për momentin. Arjan Beqaj u shpall kampion i Qipros me Anorthosis Famagustën dhe nuk ka ndërmend të lëvizë. Isli Hidi nënshkroi pak ditë më parë me ekipin qipriot Alqi Larnaka një kontratë 2-vjecare dhe të paktën për këtë sezon nuk ka gjasa që të lëvizë. Ndërkohë që Ilion Lika vështirë se mund të largohet këtë verë nga rusët e FC Terek Groznit, skuadër ku është përshtatur mjaft mirë dhe për më tepër ka pak kohë që është transferuar atje.
Të tjerët-Andi Lila, qendërmbrojtësi i përfaqësueses shqiptare që aktivizohet te Besa, pëlqehet nga disa skuadra të huaja. Madje media italiane ka bërë të ditur se lojtari po vëzhgohet edhe nga Palermo. Samir Ujkani, portieri i përfaqësueses U-21, mund të transferohet te Lece ose te Modena deri më 31 gusht. Xhevahir Sukaj, sulmuesi i Vllaznisë dhe i përfaqësueses U-21, kërkohet gjithashtu nga disa klube bullgare dhe nga ekipe të Bundesligës 2 dhe ka shumë mundësi që ai të ndryshojë ekip gjatë kësaj vere.
Të stabilizuarit, ata që nuk lëvizin
Altin Lala, kapiteni i përfaqësueses shqiptare, tashmë 32 vjec do të qëndrojë te Hanoveri, madje sipas të gjitha gjasave do ta mbyllë në këtë skuadër karrierën, ku aktivizohet prej 10 sezonesh. Për mesfushorët Klodian Duro e Jahmir Hyka nuk pritet më asnjë surprizë, sepse sapo kanë nënshkruar për skuadra të reja. Duro firmosi për qipriotët e Omonias, ndërsa Hyka firmosi disa javë më parë për gjermanët e Mainc 05 që luan në Bundesligën 2 gjermane. Besart Berisha, i cili sapo është rikthyer në fushë pas një dëmtimi të rëndë, nuk ka ndërmend të largohet nga anglezët e Bërnleit. Edhe sulmuesi Edmond Kapllani nuk ka dëshirë të largohet nga Karlsruhe, të paktën jo këtë verë. Altin Haxhi është sistemuar mjaft mirë te Apoel Nikosia, kështu që as ai nuk ka ndërmend të ndryshojë skuadër.
SHIFRA
10 milionë ofroi skuadra e Evertonit për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, por Marseja e refuzoi menjëherë ofertën e klubit anglez, duke e cilësuar të pashitshëm futbollistin.
4 janë lojtarët e Kombëtares që kanë ndryshuar skuadër gjatë kësaj vere. Bogdani (nga Livorno te Kievo), Hyka (nga Tirana te Mainc 05), Duro (nga Tirana te Omonia) dhe Hidi (nga Krivbas te Alki).
3.5 milionë euro pagoi klubi i Maincit për të marrë shërbimet e Jahmir Hykës. Kjo është transferta me shtrenjtë për këtë verë, për sa i përket lëvizjeve të futbollistëve shqiptare.