Mali i Zi dënon të dyshuarin për masakrën e Zall-Herrit
Shqiptari nga Mali i Zi, i dyshuar si një vrasës serial në SHBA, por edhe për një krim të rëndë në Shqipëri, është dënuar me 12 vjet burg. Dy ditë më parë, Gjykata e Podgoricës në Mal të Zi ka vendosur që ta dënojë 69-vjeçarin Smajl Tulja, i arrestuar dy vite më parë. Ai është dënuar për një vrasje të bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1990. 69-vjeçari Smajl Tulja ishte deklaruar i pafajshëm për këtë akuzë, por gjykata, pas disa viteve hetime e gjykimi, arriti në përfundimin se autori i ngjarjes ishte pikërisht Tulja. Gjykatësja Dragica Vukovic deklaroi se nuk kishte asnjë dyshim se 69-vjeçari ishte fajtor për ngjarjen e rëndë, ku humbi jetën emigrantja nga ish-Jugosllavia, e cila jetonte në Nju Jork. Ai e kishte goditur viktimën në kokë me një objekt të fortë dhe më pas e kishte copëtuar atë. Në Shqipëri, Smalj Tulja dyshohet se ishte autori i masakrimit të një vajze në Zall-Herr të Tiranës, por vrasja nuk u arrit të zbardhej ndonjëherë. Nuk dihet sesa vite kishte jetuar i dyshuari si serial-killer në Shqipëri, por në atë kohë policia shqiptare pohonte se ai dyshohej të kishte kryer edhe katër krime të tjera. Pas vrasjeve në seri, Tulja ishte zhvendosur në Podgoricë, ku jetonte i vetëm. Vrasja e vajzës në Shqipëri, për të cilën dyshohej Tulja, është cilësuar në atë kohë si “masakra e Zall-Herrit”. Kjo vrasje u mbyll nga prokuroria pa autor. Prokuroria tha në atë kohë se Tulja ka hyrë në Shqipëri pranverën e vitit 1997 dhe më pas në pikat e kalimit kufitar shqiptar nuk ka gjurmë të tij. Trupi i vajzës u gjet i copëtuar më 22 tetor të vitit 2006. Ajo u gjet në një liqen pranë repartit ushtarak. Më 20 nëntor 2007, hetuesit amerikanë morën kufomën e vajzës, e cila u ekzaminua në zyrat e FBI-së në Bullgari, ku u arrit të bëhej një identikit i viktimës, si dhe të përcaktohej mosha e mundshme e saj, si dhe mekanizmi i vrasjes me mjete prerëse. Në janar 2007 trupi i pajetë i vajzës është kthyer në Shqipëri dhe Prokuroria ka autorizuar varrosjen e saj pa emër me shënimet përkatëse dhe elementët identifikues që ndodhen të arkivuara në dosjen hetimore dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.
#