Godo: Brenda 15 nëntorit, Berisha të mbledhë tryezën e koalicionit
Kreu i Asamblesë së PR-së, Sabri Godo, kërkon brenda 15 nëntorit mbledhjen e tryezës së koalicionit qeverisës. Në një deklaratë për median, Godo ka bërë të ditur se aktualisht koalicioni është i paorientuar mirë dhe se duhej që të paktën brenda mesit të muajit të ardhshëm, PD-ja të mbledhë tryezën e koalicionit. "Kemi një neglizhencë nga ana e PD-së, ose më mirë të themi një besim të tepruar se mund t'i fitojmë zgjedhjet, në një kohë që kemi një situatë që partitë e koalicionit janë të paorientuara. Nëse do të vazhdojmë me sistemin proporcional rajonal, them se ne do të shkojmë përsëri drejt sistemit të Dushkut", theksoi Godo. Sipas themeluesit të PR-së, duhet që të mblidhet tryeza e koalicionit dhe të përcaktohet platforma e së djathtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. "Kemi një PBDNJ-së që ka gjini asnjanëse, e cila shkon nga partia që ka fituar zgjedhjet. Prandaj ne duhet të ulemi në një tryezë dhe të përcaktojmë qartë strategjitë tona për një platformë të përbashkët në zgjedhje. Prandaj e shoh si imediate që të paktën brenda 15 nëntorit duhet të mblidhet tryeza e koalicionit", theksoi Godo. Kreu i Asamblesë së PR-së e ka lidhur këtë afat dhe me kohën e mjaftueshme që kanë partitë politike për të realizuar reformën zgjedhore, votimin e Kodit të ri Elektoral. Komisioni i posaçëm i Reformës Elektorale ka si afat brenda datës 31 tetor të paraqesë për votim paketën e re zgjedhore.