Bojaxhi: Çmimi i ri i ERE do largojë investitorët
• KESH është e pakënaqur me tarifat e reja të energjisë. Deklarata është dhënë nga vetë kreu i Korporatës, Gjergj Bojaxhi. Sipas tij, rritja e çmimit të energjisë duhet të ishte më e lartë.Fabiola Çela Madje, drejtori i KESH-it ka theksuar se me çmimin aktual të energjisë ulet interesi i investitorëve për privatizimin e Korporatës. Në një situatë të tillë, KESH do t’i kërkojë ERE-së që të rishikojë edhe një herë tarifat e energjisë elektrike. Një muaj më parë, Enti Rregullator i Energjisë miratoi çmimin e ri të energjisë elektrike. Për familjarët që konsumojnë deri 300 kwh, çmimi i energjisë nuk ka pësuar rritje, tarifa për këtë kategori konsumatorësh do të vazhdojë të jetë 7 lekë/kwh. Sipas përllogaritjeve, gati 76 për qind e familjeve shqiptare konsumojnë deri në 300 kwh energji në muaj. Pjesa tjetër konsumojnë më shumë se 300 kwh energji. Për këtë kategori familjesh që nuk e kursejnë energjinë çmimi është 12 lekë/kwh. Pra, për bandën deri në 300 kilovat rritja e çmimit është zero, ndërsa për bandën e dytë mbi 300 kwh rritja është 71.4 për qind. Për prodhuesit e bukës çmimi i energjisë është lënë i pandryshuar 7 lekë/kwh në tension të mesëm dhe 7.5 lekë/kwh në tension të ulët. Sipas ERE-së, me miratimin e këtyre tarifave KESH arrin të sigurojë të ardhurat e mjaftueshme për të garantuar furnizimin me energji 24 orë pa ndërprerje për konsumatorët. Por një gjë e tillë është kundërshtuar nga KESH. Sipas burimeve nga Korporata, tarifat e miratuara nuk eliminojnë kufizimet, sepse nuk janë të bazuara në koston operative për vitin 2008. Për çdo 0.4 lekë më pak nga tarifa e propozuar nga KESH, ekuivalenti është 2 orë kufizime në ditë. Një javë më parë qeveria i ka dhënë ‘ok’ privatizimit të operatorit të sistemit të shpërndarjes në KESH. Këshilli i Ministrave ka miratuar projektvendimin për përcaktimin e formulës së privatizimit, e cila i hap dritën jeshile privatizimit të kësaj shoqërie. Por nëse çmimet e energjisë nuk ndryshojnë, atëherë privatizimi i kësaj shoqërie nuk do të jetë i lehtë.