E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kohë bilancesh

• Skënder MinxhoziPolitika shqiptare po shkon mesa duket drejt një zhvillimi historik. Reforma zgjedhore, e fshehur për muaj në sirtarët e një komisioni deri dje inegzistent, po ofron premisa për një riformatim të përgjithshëm të skenës politike shqiptare, ashtu siç e njohim që nga fillimi i viteve ’90. Mbetet të shihet sesa me vendosmëri do të ecet në këtë logjikë të re “proporcionale”, por gjasat janë që kjo të ndodhë ...Kjo është hera e parë në historinë tonë politike pas viteve ’90, që spektri i partive ndahet kaq qartë rreth kriterit “të mëdhenjtë kundër të vegjëlve”. Është pra rasti për të bërë një bilanc virtual mbi atë që ka sjellë situata e derisotme, me një mozaik të ndërlikuar partish dhe partizash nga njëra anë dhe bipolarizmi i frikshëm PD-PS nga ana tjetër.Projekti i një prezence të tretë në mes të dy forcave të mëdha historike, ka qenë një dëshirë dhe nevojë e hershme e shoqërisë shqiptare. Kjo aspiratë iluministe për një vend të shtypur nën peshën e një politike të egër njëpartiake, e më vonë, me rënien e komunizmit, dypartiake, ka zënë vend rregullisht në trutë e lodhur të shqiptarëve, që kërkonin, por fatkeqësisht nuk kontribuonin, në krijimin e një situate, ku PD dhe PS të kishin nevojë për palë të tretë që të qeverisnin. Sot vazhdojmë të kemi ëndrrën, por jo projektin. Arsyet e këtij dështimi janë të shumta dhe lidhen sa me shkallën e emancipimit të shoqërisë tonë, aq edhe me vetë natyrën servile dhe të pandershme që ka marrë loja politike me kalimin e viteve. Më shumë sesa forca politike që bazohen tek programi, partitë satelite të PD e PS kanë qenë trampolina për karrierat vetjake të atyre që i kanë drejtuar. Katapultimi i kreut të partisë në një kabinet qeveritar ka qenë qëllimi final, në vend që të ishte pikënisja e një marrëdhënie ku të vegjlit vinin e uleshin në tryezën e të mëdhenjve me identitetin dhe qëndrimin e tyre. Paradoksalisht kemi sot në Kuvend parti që kanë shumë deputetë, por shumica prej tyre të marrë hua, apo kemi parti që, pasi janë votuar në një krah, kanë kaluar automatikisht në krahun tjetër, vetëm me qëllimin që kryetari të mos zbrazte zyrën ministrore. Kjo histori shtojcash politike është mirë të marrë fund. Historia tregon se asnjëra prej partive të vogla nuk mundi në 17, 15 apo 10 vjetët e fundit, që të kushtëzojë sadopak spektrin politik, duke imponuar elemente të programit të saj politik. Me keqardhje mund të shohim sot se as PSD e Gjinushit nuk ka mundur ta evitojë sadopak arrogancën e PS në pushtet, duke i dhënë asaj më shumë maturi, transparencë dhe vetëpërmbajtje në momente të caktuara, as PR nuk ka mundur të imponojë përballë qeverisjes Berisha tezën e saj historike të ish-pronarëve, as PAD e Cekës nuk ka mundur të rrënjosë në jetën politike diçka nga liberal-demokracia e qendrës që ka predikuar për vite me radhë dhe as Xhuveli nuk ka mundur të pengojë njëfarësoj ndotjen e skajshme të këtij vendi, por ka menduar për të qenë ministri më jetëgjatë i pluralizmit shqiptar. Një rast krejt specifik përbën në këtë mjedis LSI. E distancuar nga shifrat dhe nga pretendimet nga partitë e vogla, LSI shënon një rast të veçantë, por që gjithsesi nuk i jep skeptrin e palës së tretë në politikën shqiptare. Kjo, sepse partia e Metës nuk arriti ta okupojë plotësisht hapësirën e lënë të lirë nga partitë e mëdha dhe nga skepticizmi fiziologjik i elektoratit ndaj PD e PS. Diçka mes një projekti të suksesshëm dhe një premise të papërfunduar, LSI është sot në një pozicion mjaft delikat. Meta u përpoq mjaft që në fillimet e negociatave për reformën zgjedhore, të thyente bipolarizmin e dy partive të mëdha në konceptimin e rregullave të lojës. Dyshja Patozi-Islami do të duhej të ishte në fakt treshe, sipas konceptit të kreut të LSI, nëse socialistët nuk do ta mbanin larg ish-aleatin e tyre në këtë tryezë ekskluzive. Tashmë kjo i përket së shkuarës dhe Metës i duhet që ta marrë kalanë e zgjedhjeve nëpërmjet kryengritjes së të vegjëlve. Një operacion i vështirë, nëse shohim vendosmërinë e deritanishme të Berishës e Ramës për të mbledhur 94 votat magjike që do të ndryshonin paketën zgjedhore. Gjithsesi roli i LSI nuk mbetet këtu. Përtej peshës së saj elektorale, kjo parti duhet të kërkojë të fitojë prej PS po aq shumë sot, nga pozita e konfliktit, sa një vit më parë nga pozita e aleatit. Megjithatë hyrja në llogaritë paraelektorale është sot për LSI dukshëm më e lehtë sesa për partitë e tjera, të cilat nuk kanë shumë karta për të luajtur përballë vullnetit të dy partive të mëdha për ta pastruar pjacën politike para zgjedhjeve të vitit 2009.Kjo logjikë në dukje e ftohtë e që ka të bëjë me atë se çfarë paraqesin sot forcat e vogla politike në spektrin shqiptar, do t’i shkonte, në të tjera terma, edhe vetë partive të mëdha. Vlen të pyetet, në këtë stinë dilemash dhe kryesisht fryme bipolariste, se cili ka qenë avantazhi i qeverisjes me dorë të fortë nga ana e PD dhe PS në këto 17 vjet. Një temë që ju jep jo pak kredi publike partive më të vogla, të cilat kanë pretenduar historikisht se janë në lojë pikërisht për të zbutur efektet e një përplasjeje të egër mes Nanos, Berishës dhe Ramës, sipas rendit kohor dhe emëror. Megjithatë, historinë e bëjnë fituesit dhe mesa duket sot ndodhemi në kushtet kur, për shkak të pamundësisë për të hequr qafe, apo më mirë riformuar nga e para dy “dinozaurët” PS e PD, duhet të kënaqemi me idenë se një pastrim eventual i podiumit nga disa prej emrave të vegjël, është një proces gjithsesi për t’u përshëndetur. Në pritje që pastrimi të kapë, në një mënyrë a një tjetër, edhe ata që sot kanë marrë fshesën në dorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›