Qëlloi të afërmit e “Ben Qimes”, identifikohet
FIER - Policia e Fierit identifikoi dhe shpalli në kërkim 28- vjeçarin Angjelo Sado nga Vlora. I riu dyshohet se është autor i ngjarjes së ndodhur të dielën në mbrëmje kur në lagjen “Sheq i Madh”, në ndërtesën në pronësi të Ahmet Isufit hapi zjarr me pistoletë. Për pasojë, u plagos i zoti i shtëpisë, 45-vjeç, i biri 23-vjeçar, Amarildo Isufi, Tomorr Jarua 48-vjeç dhe Gentian Mata 30-vjeç. Tashmë vlonjati po kërkohet për akuzat e “Vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Burimet pohuan se në hyrje dhe dalje të dy qyteteve janë vendosur postblloqe. Dyshohet se, 28-vjeçari pas krimit të jetë fshehur në një zonë pyjore në qytetin e Vlorës. Policia po heton edhe në pistën e ndonjë vrasjeje të mundshme me pagesë. Kjo për faktin se dy nga të plagosurit, janë familjarë të Arben Isufit, i njohur ndryshe me pseudonimin “Ben Qimja”, i cili ndodhet prej muajsh në burg. Pas kontrollit, mjeti me të cilin udhëtonte autori, një “Benz” me targë TR 7529 P, u gjet i braktisur në aksin nacional Fier-Vlorë. m.r