“Kokaina” e kroates del niseshte
Trazhgim Sokolaj
Arrestimi i shtetases kroate dhe buja policore, që shoqëroi kapjen e saj në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit në Shkodër, me tre kilogramë “kokainë” ka përfunduar me blofin e radhës. Ekspertiza shkencore e lëndës që u sekuestrua nga policia në makinën tip “Wolksvagen Golf” që drejtohej nga shtetasja kroate Mirjana Nisanoviç, ka provuar se nuk bëhej fjalë për lëndë narkotike, por për një përzierje krejt të ligjshme mielli të ngjashme me niseshtenë. Tri ditë më parë, policia bëri publik lajmin për kapjen e kroates 36-vjeçare duke pohuar se në makinën e saj që po kalonte në pikën kufitare të Muriqanit në Shkodër, ishin gjetur tri kile lëndë e fortë narkotike e llojit kokainë. Ngjarja menjëherë u referua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për shkak se policia dyshoi se, bëhej fjalë për një korriere droge, pjesë e linjave ndërkombëtare të narkotrafikut. Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Laboratori Shkencor i Kriminalistikës ka zhvilluar menjëherë analizat e lëndës së gjetur në formë pluhuri në makinën e shtetases kroate. Sipas burimeve zyrtare nga ky laborator, është provuar shkencërisht se policia kishte bllokuar gjatë kontrollit të saj në Shkodër, vetëm tre kilogramë përzierje të një lënde të ngjashme me përzierjen e miellit me niseshtenë, e cila nuk kishte asgjë të përbashkët me kokainën. Burimet nga Laboratori Shkencor i Kriminalistikës, konfirmuan se sipas procedurave ligjore, një rezultat i tillë për analizën e pluhurit të bllokuar do t’i komunikohet menjëherë Prokurorisë dhe Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, e cila bëri edhe ndalimin e shtetases kroate. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e pyetur për këtë fakt, tha se nëse analizat shkencore të pluhurit tregojnë se, shtetasja kroate nuk ka pasur në makinë lëndë të ndaluara, atëherë do të bëhet lirimi i menjëhershëm i saj nga paraburgimi, pasi mbajtja në gjendje arresti në këto kushte, është e paligjshme. Shtetasja kroate Mirjana Nisanoviç, 36 vjeçe, u arrestua nga policia në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, rreth orës 02:00 të mëngjesit të ditës së diel. Ajo kishte hyrë në Shqipëri nga porti i Durrësit dhe po tentonte kalimin në drejtim të Malit të Zi, kur një duzinë agjentësh të Sektorit Kundër Krimit të Organizuar i kanë vënë prangat. Ka qenë një telefonatë e dalë nga policia e Lezhës, ajo që ka lajmëruar policinë e Shkodrës se kroatja kishte drogë në makinë. Dezinformimi dyshohet se është bërë me qëllim përqendrimin e policisë tek kroatja, me qëllim kalimin e një ngarkese me lëndë narkotike prej vërteti në një drejtim tjetër.