E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti, Rama refuzon ndërhyrjen e Lohan e Withers



Kreu i PS-së, Edi Rama, duket i vendosur të ecë me tezën antindërkombëtare për sa kohë kërkesat e sugjerimet e përfaqësuesve të huaj diplomatikë i interferojnë me interesat e tij politike. Në dy takime informale që ka pasur ditët e fundit me përfaqësues diplomatikë të Komisionit Evropian dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tirana, kreu i PS-së nuk ka pranuar të tërhiqet nga rruga e bojkotit të zgjedhjeve, bojkot që po përshkallëzohet dhe me bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme të nëntorit. Sipas burimeve pranë këtyre takimeve që Rama ka pasur me ambasadorin e KE-së Helmuth Lohan dhe ambasadorin amerikan John Withers, mësohet se ai nuk ka pranuar këshillën e sugjerimin e tyre që të kthejë deputetët në Kuvend. Po të njëjtën përgjigje negative diplomatët e rëndësishëm kanë marrë dhe për zgjedhjet e pjesshme vendore, ku PS nuk do të marrë pjesë, duke shënuar kështu një precedent. Tashmë nuk ka asnjë dyshim që Rama dhe PS po ecën çdo ditë në një rrugë që vjen e bëhet më shumë antievropiane, duke bërë veshin shurdh ndaj sugjerimeve dhe reagimeve të organizmave ndërkombëtarë dhe ambasadave të vendeve perëndimore, të cilat kanë qenë gjithmonë ndikuese në zhvillimet politike në vendin tonë.

Në këtë linjë ka qenë dhe kreu i Asamblesë së PS-së dhe një nga mbështetësit më të fortë të Ramës, Gramoz Ruçi, i cili me një gjuhë aspak diplomatike ka ironizuar miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë. Duke iu përgjigjur një pyetjeje të BBC-së lidhur me deklaratën e kryeparlamentarit kanadez në Tiranë që opozita të kthehet në Kuvend, Ruçi tha: “Ka perënduar koha e Shqipërisë që mendonte se çfarë thotë njëri apo tjetri, kështu që të gjitha mediat në dispozicion të mazhorancës aktuale trumbetonin me të madhe se çfarë tha mysafiri kanadez”. Ai ka shkuar më tej në artikulimin e tij duke shtuar se “demokracia, liria e fjalës, liria e pronës që ndërkombëtarët na i kanë mësuar këtu e 20 vjet më parë, tashmë janë pronë edhe e shqiptarëve, kështu që ne nuk mund të ndikohemi në shprehje, kërkesa apo ultimatume të tilla, të kujtdo qofshin ato”.

Ndërkohë kryesenatori kanadez, Kinsella, e takoi në emër të PS-së Valentina Leskajn, e cila i sqaroi pse PS po mban këto qëndrime radikale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›