Topi, në Slloveni: PS fund bojkotit, të dialogojë me PD-në
Presidenti Bamir Topi kërkon ndihmën e Sllovenisë për heqjen e vizave dhe integrimin në BE, së cilës i prezantoi dje në Berdo reformat e suksesshme të qeverisë dhe sigurinë se Shqipëria po ecën e sigurt drejt integrimit në BE. Gjatë takimeve me drejtuesit e shtetit slloven, z. Topi vuri në dukje se demokracia në Shqipëri po funksionon dhe se bojkotimi i Kuvendit nga ana e opozitës nuk duhet të dëmtojë të ardhmen e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Presidenti i vendit, Bamir Topi, i cili ndodhet për një vizitë shtetërore dyditore në Slloveni, deklaroi gjatë takimit me homologun e tij slloven, Danilo Turk, se shpresonte se dialogu politik me opozitën mund të vendosej së shpejti. “Ne sot kemi një sfidë përpara dhe besoj që ju keni qenë të ndjeshëm dhe do ta ndihmoni Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave. Shqiptarët e kanë ndier më shumë se kushdo tjetër izolimin. Sot është një kohë tjetër. Është një erë e re. Shqiptarët janë jo vetëm konsumues të demokracisë, por janë duke luajtur edhe një rol të dukshëm konstruktiviteti në rajon dhe në marrëdhënie bilaterale”, - theksoi z. Topi.
Sipas bashkëbiseduesve, Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe është shteti më dinamik në Evropë për sa i përket zhvillimit të saj politik dhe rritjes mbresëlënëse ekonomike. Presidenti Gyl njoftoi homologun shqiptar se së shpejti do të hapet në Tiranë përfaqësia diplomatike e Republikës së Sllovenisë, e cila do t’i japë një nxitje të mëtejshme zhvillimit të marrëdhënieve tona. Nga ana e tij, Presidenti Bamir Topi vuri në dukje gjatë takimit me homologun slloven se Shqipëria është një vend, i cili “po bën përditë një përparim të dukshëm, qoftë nga pikëpamja e ndërtimit të institucioneve, e ndërtimit të shtetit të së drejtës, e forcimit të ekonomisë dhe besoj ajo që sot citohet nga të gjithë interlokutorët roli i rëndësishëm konstruktiv i Shqipërisë në rajon”. “Ne dëshirojmë që të kemi një rajon në paqe, një rajon të sigurt, që përtej marrëdhënieve dhe dialogut të rëndësishëm politik, të ketë investime të fuqishme në rajon, sepse të gjitha vendet tona e kanë shprehur aspiratën për të qenë pjesë e familjes evropiane. Pa dyshim, vendeve tona u kërkohet jo thjesht predispozicion, por u kërkohet që të ndërtojnë raporte institucionale, të vazhdojnë reformat dhe Shqipëria është e vendosur të vazhdojë reformat e thella në të gjitha fushat e veprimtarisë për të ndërtuar, sikurse thashë, një shtet juridik mbi bazën e standardeve më të mira që kanë vendet e Bashkimit Evropian”, - u shpreh z. Topi. Në Slloveni, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u prit edhe nga Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor. Në këtë takim bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e kësaj vizite në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe shprehën interesin për vazhdimësinë e shkëmbimeve të këtyre vizitave të nivelit të lartë. Presidenti Topi vuri në dukje se bashkëpunimi politik dypalësh mes Shqipërisë dhe Sllovenisë paraqitet i konsoliduar, i hapur e drejt forcimit të mëtejshëm. Kryetari i shtetit bëri një panoramë të arritjeve të politikës sonë të jashtme, duke vënë theksin në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për kontributin e rëndësishëm të Sllovenisë në drejtim të afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, si gjatë kohës kur drejtonte Presidencën e BE-së, ashtu edhe më pas, duke nënvizuar besimin në vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje për Shqipërinë dhe rajonin edhe në të ardhmen. Gjatë bisedës, Presidenti Topi e njohu Kryeministrin slloven dhe me zhvillimet më aktuale të politikës së brendshme, ku nënvizoi realizimin së fundmi të zgjedhjeve sipas një kodi zgjedhor të hartuar me konsensusin e forcave politike. Kryetari i shtetit vuri në dukje vullnetin dhe angazhimin maksimal të shtetit shqiptar për realizimin me sukses të reformave të rëndësishme për zhvillimin e vendit, si ajo në fushën e drejtësisë, të ekonomisë, arsimit etj. Gjithashtu, Presidenti Topi vuri në dukje tendencën pozitive të shkëmbimeve në drejtim të bashkëpunimit ekonomik të Shqipërisë me vendet e rajonit, duke u shprehur se ekzistenca e kuadrit të nevojshëm ligjor për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dypalësh dhe nxitjen e investimeve sllovene në Shqipëri është një faktor thelbësor pozitiv. Po dje, z. Topi u takua edhe me Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Pavel Gantar. Kryeparlamentari slloven e siguroi kreun e shtetit shqiptar se Sllovenia do të vazhdojë të ofrojë si mbështetjen e saj të fuqishme për kryerjen e suksesshme të reformave të duhura politike, ekonomike ashtu edhe për sa i përket shkëmbimit të përvojave pozitive. Z. Topi gjatë qëndrimit në Slloveni nënshkroi në Librin e Artë të Vizitorëve. Bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe situata në rajon janë disa prej çështjeve kryesore të vizitës se Presidentit Bamir Topi në Slloveni.