Qeveria nxjerr në shitje 3 500 makinat e administratës
Deri dje makinat e tyre kishin pronar shtetin, që sot e tutje ato dalin në shitje dhe vetëm nëse paguajnë me para në dorë, mund ta bëjnë pronë private. Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi dje projektligjin e shërbimit të transportit të zyrtarëve, duke bërë të mundur që 3 500 makina që përdoreshin deri më sot nga zyrtarët të dalin në ankand. Projektligji, i cili kishte për relator ish-ministrin e Drejtësisë dhe deputetin Enkelejd Alibeaj, nuk kaloi pa debate apo ankesa nga drejtuesit e institucioneve. Deputeti Alibeaj sqaroi përmbajtjen e këtij projektligji. Sipas Alibeajt, vetëm një numër i caktuar zyrtarësh të shtetit, ku përfshihen funksionarët e lartë, do të kenë mundësi të përdorin makinë shtetërore me shofer, ndërsa zyrtarët e tjerë do të marrin një kompensim mujor për shërbimin e transportit të tyre. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave në Komision deklaroi se nga kjo nismë, 3 500 makina që përdoren aktualisht në shtet, dalin jashtë funksionit, të cilat do të dërgohen në Rezervën e Shtetit ku do të shiten në ankand. Sipas saj, shteti do të kursejë 2.5 miliardë me këtë ligj. Por, në këtë pikë pati debate, pasi një nen i këtij projektligji u njeh të drejtën zyrtarëve që makinat që kanë përdorur, mund t’i blejnë. Madje, sipas këtij projektligji, ata kanë të drejtën e parablerjes. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave tha se bëhet fjalë për 374 zyrtarë që do të kenë të drejtën e parablerjes.
Deputeti demokrat, Dashnor Sula, e kundërshtoi këtë pikë. “Gjithë ato makina të cilat do të dalin në rezervat e shtetit, të jeni të sigurt që shitja që do të bëhet, për mendimin tim do të jetë një shitje fiktive dhe çmime të cilat do të jenë me të vërtetë problematike dhe përsëri tani po i heqim makinat dhe do t’i bëjmë pronarë makinash", - tha Sula. Deputeti tjetër Eduard Halimi tha se nuk do të kenë të gjithë të drejtën e parablerjes. “Zëvendësministri apo drejtori, po themi, i Emergjencave Civile, mundet që të përfitojnë nga blerja e këtyre automjeteve, pra, të kenë të drejtën e parablerjes. Nuk bëhet fjalë që këto 3500 mjete do t’i marrin përsëri 3500 zyrtarë, po bëhet fjalë që këto mjete do të mblidhen, do shiten vetëm për 374 nga këto mjete, do të kenë të drejtën e parablerjes pikërisht këta zyrtarë, të cilët do të përdorin këto para, duke kujtuar që fondi i dhënë këtyre zyrtarëve nuk është fond fiks, është maksimumi që do të jetë 450 mijë lekë”, - tha Halimi.
Alibeaj: Kush paguan më shumë, blen makinën
Relatori i projektligjit, Enkelejd Alibeaj, shpjegoi se 3 500 makinat do të dalin të gjitha në ankand. Ai tha se një zyrtar do të ketë të drejtën e parablerjes së makinës, vetëm atëherë kur çmimi i dhënë për atë makinë është i njëjtë. Pra, sipas Alibeajt, në rast se një qytetar i thjeshtë ofron më shumë për makinën, atëherë ai ligjërisht është pronar i saj dhe në këtë pikë parablerja s’ka më vlerë. “Do të doja të sqaroja se nuk bëhet fjalë për t’i bërë këta posedues pronarë. Jo. Procedura ligjore e ankandit është procedurë konkurrimi. Niset në bazë të një çmimi dhe kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë shtetasit shqiptarë, qeveritarë ose jo, me pushtet ose jo. E vetmja gjë preferenciale që mund t’i jepet poseduesit është se në kushte kur për një mjeti të caktuar i ofrohet i njëjti çmim nga disa kërkues dhe për të njëjtin mjet të njëjtin çmim jep edhe funksionuari që e ka poseduar, vetëm në këtë rast do të kishte mundësi për ta blerë ai mjetin. Në rast se çmimi jepet më i lartë nga ndonjë blerës, atëherë ai ka të drejtën për të blerë mjetin. E drejta e parablerjes ka qenë edhe në Kodin Civil Romak, kështu që nuk ka asnjë konotacion negativ në këtë pikë”, - shpjegoi gjerësisht deputeti Alibeaj.
Titullarët e drejtësisë dhe KQZ mbajnë makinat
Projektligji për heqjen e makinave zyrtare parashikonte që edhe zyrtarët e sistemit të drejtësisë të hiqnin dorë nga makinat, por relatori Enkelejd Alibeaj tha se gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë një ligj më vete për këtë pjesë dhe nuk duhet të përfshihen në këtë projektligj. Deputeti i PD-së, Dashnor Sula, kërkoi që makinat të mos u hiqen prokurorëve të Krimeve të Rënda, ndërsa deputeti Alibeaj dhe Halimi sqaruan se prokurorëve nuk u hiqen makinat, pasi ata do të mund të përdorin makinat e institucionit sa herë që e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Por, për heqjen e makinave u ankua edhe kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili nëpërmjet një letre drejtuar Komisionit shprehej se sipas ligjit, anëtari i KQZ-së barazohet me gjykatësin e lartë, çka e parashikon ligji i veçantë për përdorimin e makinës. “E ka barazuar me anëtarin e Gjykatës se Lartë anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kështu që ne do të kërkonim që në këtë lidhje të shtohen anëtaret e KQZ-së”, - tha kryetari i Komisionit, Rusmali.
Neni 8,
Zyrtarët dhe deputetët mund të parablejnë makinat e tyre
Neni 8 i projektligjit thotë se “të gjitha automjetet e tepërta në dispozicion të ministrive, institucioneve qendrore dhe të varësisë, do të transferohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit për tu shitur në ankand ku e drejta e parablerjes u takon funksionarëve të kategorive të mëposhtme:
Deputetët
Kryetarët e bashkive të mëdha
Zv.ministrat
Këshilltarët e Presidentit
Këshilltarët e Parlamentit
Drejtuesit e enteve rregullatore
Kryetari i ILKDP
Kryetari i Këshillit të qarkut
Drejtori i Doganave
Drejtori i Burgjeve
Drejtori i Tatimeve
Komandanti i Forcave të Armatosura
Gjeneralët
Avokati i Shtetit
Prefektët
Drejtuesit e policisë në qarqe
Drejtuesit e SHISH-it në qarqe
Dekanët e universiteteve
Avokati i prokurimit publik
Zv.drejtori i Policisë
Kryetari i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive
Kryetari i Akademisë së Shkencave
Rektorët e universiteteve
Zv.kryetari i KLD-së
Drejtuesit e agjencive
Kryetarët e bashkive të vogla