E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA e BE: Zgjedhjet, të lira; opozita të pranojë humbjen



Pasi ka kaluar në filtër të gjithë ecurinë e zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë të zhvilluara me datën 28 qershor, Asambleja Parlamentare e OSBE-së arrin në konkluzionin se ato ishin të lira dhe të rregullta, arritën shumicën e standardeve, ndaj opozita duhet të pranojë humbjen dhe të kthehet në Kuvend. Gjatë punimeve treditore në Athinë të Greqisë, OSBE argumentoi se zgjedhjet në Shqipëri ishin të ndershme e për këtë arsye iu kërkua opozitës shqiptare të pranojë rezultatin dhe të futet sa më shpejt në Kuvend. Zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, bëri të ditur se njohja e rezultatit është pjesë e pjekurisë demokratike. Kurse, kryetari i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Ricardo Migliori, u shpreh se zgjedhjet rritën besueshmërinë e Shqipërisë në raport me proceset integruese ku është përfshirë vendi. Për sa i takon qëndrimit të opozitës, Migliori duket i prerë kur pohon se zgjedhësit votuan qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha. Opozitës, sipas tij, i mbetet detyrim thelbësor të përfaqësojë në Kuvend zgjedhësit e saj. Një tjetër anëtar i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, përfaqësues i Zvicrës, Christian Miesch, nënvizon faktin se pavarësisht përballjes për herë të parë me një sistem të ri zgjedhor, Shqipëria e kaloi testin për zgjedhje demokratike. Anëtari i Kongresit Amerikan, Alcee Hastings, bashkëkryetar i Komitetit Amerikan të Helsinkit thotë se Shqipëria po dëshmon gjithnjë e më shumë maturi politike, duke nënkuptuar funksionimin në një koalicion të PD-së me LSI-në. Grossruck, Migliori, Miesch dhe Hastings kanë marrë pjesë në hartimin e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjen e 28 qershorit. Një raport që ngre Shqipërinë në një shkallë cilësisht të re për standardet e arritura. Përmes raportit të OSBE-së për zgjedhjet në Shqipëri, ku u përshëndet progresi i arrirë në Shqipëri, përfaqësuesit e kësaj asambleje i bënë thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend dhe të bëhet pjesë e ndryshimeve të vendit.

OSBE, Grossruck: Pjekuri, të pranosh rezultatin e zgjedhjeve

Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck (Austri), kryetari i delegacionit të Italisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Ricardo Migliori, anëtari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Christian Miesch (Zvicër), si dhe Alcee Hastings, anëtar i Kongresit Amerikan, bashkëkryetar i Komitetit Amerikan të Helsinkit, që kanë marrë pjesë në hartimin e raportit final të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri, deklaruan se procesi i 28 qershorit ishte demokratik. “Ramë plotësisht dakord për rezultatin e zgjedhjeve dhe vlerësimin e tyre”, - deklaroi zëvendëspresidenti Grossruck, duke shtuar se është për të ardhur keq që opozita nuk merr pjesë në Kuvend. “Konkluzioni ynë është se zgjedhjet ishin të lira e të ndershme dhe në rrugën e drejtë të një demokracie të plotë. Është për të ardhur keq që opozita nuk po merr pjesë në Parlament. Pjesë e pjekurisë demokratike është edhe të pranosh rezultatin e zgjedhjeve dhe shpresoj që partia e opozitës të marrë sa më shpejt pjesë në Parlament. Kjo është e vetmja rrugëdalje për të zhvilluar më tej demokracinë”, - deklaroi më tej ai.

Parlamenti italian, Migliori: Zgjedhjet, gjithçka në rregull

Edhe parlamentari italian, Migliori, vuri në dukje: “Zgjedhjet në Shqipëri, sipas mendimit të OSBE-së, ishin më të mirat nga pikëpamja organizative, që janë zhvilluar në vendin tuaj”. Në lidhje me bojkotin e opozitës, ai tha se është një deformim i demokracisë fakti që deputetët socialistë nuk ulen në Kuvend. “Qytetarët kanë votuar partinë e Kryeministrit Berisha, për partinë, që së bashku me Kryeministrin Berisha qeveris Shqipërinë, por jo pak prej tyre kanë votuar edhe për Partinë Socialiste dhe këta qytetarë duhen përfaqësuar. Është një gabim, një deformim i demokracisë fakti që këta parlamentarë të mos ulen në Parlament”, - tha më tej Migliori. Anëtari zviceran i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Christian Miesch, tha: “Nuk ka asnjë vend në botë, ku zgjedhjet të mos kalojnë pa gabime të vogla, por unë kam mbetur i habitur, që zgjedhjet në Shqipëri, me sistemin e ri, u zhvilluan në rregull. Për mua, pjesa teknike e zgjedhjeve ishte krejt në rregull”.

SHBA-të, Hastings: Nuk pajtohemi me bojkotin e Ramës

Një vlerësim pozitiv ka ardhur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bashkëkryetari i Komitetit Amerikan të Helsinkit, Alcee Hastings, deklaroi se është shumë i kënaqur me hapat që ka bërë vendin. Sipas tij, vendi po maturohet shpejt dhe se koalicioni mes PD-së dhe LSI-së, sipas Hastings, “është një tregues i shëndetshëm për demokracinë në Shqipëri”. “Shqipëria ka një ndikim substancial në rajon dhe pikërisht këtu qëndron ajo që unë besoj se është “xhevahiri i fshehur” i asaj që sjell pjekuria e procesit elektoral. Në këtë kontekst jam shumë i kënaqur për hapat pozitivë që u kryen. Ka pasur, natyrisht, mangësi që mbeten për t’u zgjidhur në zgjedhjet e ardhshme dhe jam i bindur që do të ketë përmirësime. Arsyeja se përse unë jam i bindur për këtë, është se edhe ne, në Shtetet e Bashkuara, ende vazhdojmë të përmirësojmë zgjedhjet, pasi edhe tek ne, ato jo gjithmonë janë të lira, sidomos, nëse je nga Florida, siç jam unë, e kupton më mirë këtë”, - tha kongresmeni amerikan. Në lidhje me bojkotin e opozitës, ai tha se nuk pranohet me këtë qëndrim. “Nuk do të kishte qenë ky qëndrimi im, po të kisha qenë unë lideri. Për sa më përket mua, unë po pres zgjedhjet e ardhshme pas katër vitesh. Mendoj që të njëjtët individë duhet të ndalen në çështjet që janë jetësore për to. Koalicioni i sotëm që drejton vendin, duhet të vazhdojë të ruajë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, i cili është i fokusuar për të ndihmuar Shqipërinë që të bëhen hapa të mëtejshëm përpara”, -deklaroi kongresmeni Alcee Hastings.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›