PS pranon: Bojkot zgjedhjeve nga frika e humbjes
Në prag të një aksioni politik me anë të të cilit PS po mundohet të zbehë humbjen e saj në 28 qershor, shfaqet një përballje e re elektorale. Kjo parti ka zgjedhur rrugën e bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme dhe arsyeja e vërtetë pse e ka bërë këtë është frika nga humbja, një humbje kjo që nuk do të justifikonte argumentin me të cilin po ecën aksioni politik, akuza për vjedhjen e votës në 28 qershor. PS zyrtarisht thotë se bojkoti vjen si pasojë e krijimit të klimës së mosbesimit në procesin zgjedhor, por në të vërtetë një tjetër artikulim bëhet pas deklaratave publike. Ka qenë një nga drejtuesit e kësaj partie, kreu i degës më të madhe në vend, asaj të Tiranës, që ka pranuar se hyrja në zgjedhje do të ishte disfatë për PS-në dhe protestat që ajo ka nisur. Siç bëjnë të ditur burime nga Kryesia e PS-së, në mbledhjen e djeshme të kryesisë, Besnik Bare ka thënë se “nga konsultat që ka bërë më bazën socialiste në kryeqytet ka dalë në përfundimin se hyrja në zgjedhjet e 15 nëntorit do të rezultonte negative për imazhin e partisë, pasi parashikohet një humbje e këtyre komunave e bashkive”. Një deklaratë që duket e sinqertë, por që rrëzon pretendimin mbi të cilin u ngrit vendimi i kryesisë dje për bojkotin e zgjedhjeve. Baren e ka sulmuar anëtarja e kryesisë, Eva Allushi, një nga aktivistet e hershme të kësaj dege, e cila ka kundërshtuar tezën e bojkotit të zgjedhjeve, si një rrugë e gabuar ku po ecën PS-ja. Ajo i ka thënë: “Hajde ta provojmë që ne dimë të fitojmë dhe dimë të ruajmë votën, anëtarësia na ndjek në çdo veprim politik që bëjmë”.
Debati në kryesi
Ben Blushi, Aben Malaj, Kastriot Islami e të tjerë anëtarë kryesie kanë dalë kundër bojkotit numër dy të PS-së. Sipas burimeve nga kryesia, Islami e ka cilësuar nul këtë mbledhje dhe këtë vendim politik, sepse sipas tij, tashmë ka skaduar afati i regjistrimit dhe PS s’ka shkuar të regjistrohet në zgjedhje. “Vendimi që do marrim s’ka vlerë sepse ka skaduar afati për të hyrë në zgjedhje. Duhet të kemi parasysh se ndërkombëtaret vazhdojnë të mos e pranojnë qëndrimin tonë të bojkotit kur ne po shkojmë drejt një bojkoti të dytë”. Por këtij qëndrimi të Islamit, Gramoz Ruçi i është përgjigjur me tezën e antindërkombëtarëve, duke deklaruar: “Ne jemi maturuar si politikë dhe mund t’i marrim vetë vendimet”. Më i ashpër në qëndrime mësohet të ketë qenë deputeti i Korçës, Ben Blushi, i cili është një nga kundërshtarët më të fortë të Ramës në parti. Ai e ka cilësuar vendim personal të Ramës dhe ia ka thënë në sy: “Duhet të përballemi në zgjedhje, sepse jemi parti politike dhe jo OJQ”. Në linjën radikale për të mos dëgjuar këshillat që vijnë nga miqtë e huaj, ka qenë dhe një nga figurat e tjera të vjetra të kësaj partie, Namik Dokle, i cili madje ka peshuar mbështetjen që i dha Internacionalja Socialiste me qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Në përfundim të kryesisë, kryetari i PS-së, Edi Rama, e cilësoi vendimin për bojkotin e zgjedhjeve si të natyrshëm. “Vendi nuk mund të merret peng nga një pushtet familjar. Vota dhe demokracia nuk duhet të deformohen”, - theksoi kreu i selisë rozë.
Blushi: U mor vendimi personal i Ramës
Deputeti Ben Blushi, përfaqësues i “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe”, sapo ka dalë nga mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste është shprehur kundër bojkotit të zgjedhjeve. “Ishim kundër bojkotit të zgjedhjeve, kërkuam të hynim, pasi është një mundësi për të treguar se socialistet dinë të mbrojnë votën”. Sipas tij: “Një parti që nuk hyn në zgjedhje, i heq vetes mundësinë për të ekzistuar”. Ndërsa më tej, ai shtoi se bojkoti është një demotivim i socialistëve, duke propozuar që të hyjnë në zgjedhjet e pjesshme dhe të tregojnë se janë të aftë për të mbrojtur votat e tyre.
Juristi Ibrahimi: Kërkesat e PS-së, të pamundura dhe paradoksale
Kur flasin ekspertët, politika ka pak për të thënë. Kjo vlen në rastin e Partisë Socialiste, e cila po kërkon hapjen e kutive të votimit dhe po mbledh firma nga populli për të dërguar një ligj në Parlament për të bërë të mundur këtë gjë. Krejtësisht paradoksale e quan mbledhjen e firmave dhe në vetvete kërkesën për hapje të kutive juristi i njohur Gent Ibrahimi. Sipas tij, nuk ka pse shkohet në një rrugë të tillë dhe të kërkohet një ligj i posaçëm, kur vetëm një deputet mjafton. “Mjafton një deputet i PS-së të shkojë në Kuvend të bëjë betimin e të marrë mandatin e mund të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor”, - thotë Ibrahimi. Ndërkohë, ai e quan gjithashtu paradoksale kërkesën që ka të bëjë me hapjen e kutive të votimit, pasi sipas tij, “hapja e kutive të votimit është një procedurë që s’ka të bëjë fare me procedurën zgjedhore, të gjithë hapat janë të përcaktuar në procedurën zgjedhore, në Kodin Zgjedhor”. Paradoksi i tretë, sipas tij, ka të bëjë me faktin se edhe sikur të hapen kutitë, nuk do të ketë asnjë efekt në rezultatin e shpallur tashmë të zgjedhjeve. “Edhe sikur një ligj i tillë, në rast se dikujt do i merrte era mendtë, të miratohej, nuk shoh asnjë efekt real të mundshëm, pra s’ka veprim prapaveprues”, - thekson Ibrahimi. Përsëri ai këmbëngul se vetëm një komision hetimor parlamentar e bën të mundur hetimin dhe nuk është i nevojshëm një ligj i veçantë, gjë që po synon PS-ja. Edhe nëse pretendohet se strukturat ligjore që merren me zgjedhjet dhe vendosin për hapje të kutive, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor të jenë të kapura prej pushtetit, atëherë sipas tij, hapja e kutive mund të bëhet ne kuadër të hetimit parlamentar.