Bojkoti, Rama thërret kryesinë
Aristir Lumezi
Socialistët do të mbledhin sot kryesinë dhe në fundjavë Asamblenë Kombëtare në Berat, ku do të merren disa vendime. Vetë kryetari socialist, Edi Rama, në mënyrë të përsëritur ditët e fundit është shprehur për një vendimmarrje të Asamblesë Kombëtare për këto zgjedhje, që sipas tij janë vijim i qëndrimit dhe ndaj rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Rama është shprehur se do t’i propozojë Asamblesë Kombëtare mos pjesëmarrjen e PS në zgjedhjet e pjesshme, ndërkohë që një propozim i tillë mbetet formalisht për t’u miratuar në këtë forum. Por mos regjistrimi i PS-së pranë KQZ-së, si subjekt që garon në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, e bën vendimin e Asamblesë Kombëtare formal, pasi afati i regjistrimit në institucionin qendror të zgjedhjeve skadoi mbrëmë në orën 24:00. Kryesia socialiste, e cila është e para pas kongresit të jashtëzakonshëm socialist, do t’i hapë rrugë vendimmarrjes së asamblesë për çështjet që mbeten të hapura për socialistët. Burime pranë selisë rozë, pohojnë se përveç vendimit për moshyrje në këto zgjedhje, në PS tashmë ka disa propozime që tregojnë rrugën përmes së cilës socialistët do të hyjnë në Parlament. Një prej tyre, ka nisur të realizohet që ditën e mitingut të protestës, kur nisën të mblidhen 20 mijë firma të zgjedhësve, të cilët do t’i paraqesin një projektligj Parlamentit të Shqipërisë. Përmes këtij projektligji, nëse merr shumicën në Parlament, parashikohet të nisë një hetim i gjerë i procesit zgjedhor të 28 qershorit, deri dhe në hapjen e kutive të votimit. Socialistët kërkojnë që numri i firmëtarëve të arrijë në disa dhjetëra mijëra qytetarë, për të detyruar shumicën në Kuvend të mendojë mirë para se ta hedhë poshtë këtë propozim. Ende nuk jepen detaje se cilat janë rrugët e tjera që bëjnë të mundur dhe përfundimin e bojkotit të socialistëve, por mbledhja e Asamblesë Kombëtare pritet të jetë dhe hapja e një diskutimi të gjerë në PS, për ndryshimet në statut. Mësohet se paketa Blushi, por dhe ajo e propozuar nga Maqo Lakrori, të jenë baza e platformave të cilave pritet t’u shtohen dhe propozime të tjera. Vetë Rama ka shprehur një propozim të tij për t’u bërë pjesë e paketës, sipas së cilës deputetët aktualë do të votëbesohen nga anëtarësia e qarkut, para se të rifuten në listat e kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme. Paketat do të nisin një fushatë diskutimi të gjerë në strukturat e PS-së, të cilat do të përfshihen nga zgjedhjet e kryetarëve të organizatave socialiste dhe analizës së zgjedhjeve të 28 qershorit në bazën e partisë. Në përfundim të këtij procesi, socialistët do të mbledhin kongresin e jashtëzakonshëm, i cili do të miratojë ndryshimet statutore dhe do të nxjerrë dobësitë e fushatës zgjedhore të PS-së.