E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: PS në Kuvend,Ruçi: Nuk ndikohemi nga ultimatumet e ndërkombëtarëve

 

ADI SHKEMBI

Asambleja Parlam-entare e OSBE-së vlerëson pozitivisht zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri dhe i bën thirrje Partisë Socialiste t’i japë fund bojkotit dhe të rikthehet në Kuvend. E mbledhur në Athinë, Asambleja diskutoi raportin për zgjedhjet në vendin tonë, përpara se atë tua nisë edhe krerëve më të lartë të shtetit. Në përfundim të këtij takimi, Wolfgang Grossruck, Zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, tha në një prononcim për mediat se zgjedhjet ishin brenda standardeve. “Konkluzioni ynë është se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe në rrugën e drejtë të një demokracie të plotë. Është për të ardhur keq, që opozita nuk po merr pjesë në Parlament. Pjesë e pjekurisë demokratike është edhe të pranosh rezultatin e zgjedhjeve, dhe shpresoj që partia e opozitës të marrë sa më shpejt pjesë në Parlament. Kjo është e vetmja rrugëdalje për të zhvilluar më tej demokracinë”, theksoi zyrtari i lartë i OSBE-së. Me të njëjtat nota pozitive, zgjedhjet u vlerësuan edhe nga përfaqësuesi i Italisë në Asamblenë Parlamentare të këtij misioni, Ricardo Migliori. Sipas tij, shumica votoi partinë e Kryeministrit Berisha, por edhe ata që votuan Partinë Socialiste duhet të përfaqësohen në Kuvend. Ai theksoi se bojkoti i institucioneve është deformim i demokracisë. “Qytetarët kanë votuar partinë e Kryeministrit Berisha, për partinë, që së bashku me Kryeministrin Berisha qeveris Shqipërinë, por jo pak prej tyre kanë votuar edhe për Partinë Socialiste dhe këta qytetarë duhen përfaqësuar. Eshtë një gabim, një deformim i demokracisë, fakti që këta parlamentarë të mos ulen në parlament. Ne dëshirojmë, që në të mirë të demokracisë evropiane, të demokracisë shqiptare, kjo të mund të ndodhë sa më shpejt”, theksoi Migliori. Në të njëjtën kohë edhe Komiteti amerikan i Helsinkit i bën thirrje Partisë Socialiste t’i japë fund bojkotit të Parlamentit. Alcee Hastings, bashkëkryetar i Komitetit amerikan të Helsinkit tha se “nuk do të kishte qenë ky qëndrimi im, po të kisha qenë unë lideri. Përsa më përket mua, unë po pres zgjedhjet e ardhshme pas katër vitesh! Mendoj që të njëjtët individë duhet të ndalen në çështjet që janë vitale për to. Koalicioni i sotëm që drejton vendin duhet të vazhdojë të ruajë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, i cili është i fokusuar për të ndihmuar Shqipërinë, që të bëhen hapa të mëtejshëm përpara”. Nga ana e tij, Christian Miesch, anëtari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, theksoi se në asnjë vend të botës zgjedhjet nuk kalojnë pa gabime të vogla. Sipas tij, është për t’u vlerësuar fakti që pavarësisht se procesi elektoral u zhvillua me një sistem të ri zgjedhor, ato u zhvilluan në rregull. “Për mua, pjesa teknike e zgjedhjeve ishte krejt në rregull”, theksoi përfaqësuesi i Zvicrës në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

KQZ: Vetëm 3 parti në garë për 15 nëntorin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje në mbrëmje vendimin për regjistrimin e Partisë Demokratike, të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë e Riorganizuar, si subjekte zgjedhore që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. Administrata e KQZ-së, duke iu referuar një vendimi të marrë nga ky Komision, u shprehën se “partitë e interesuara për të marrë pjesë në këto zgjedhje kanë pasur afat të fundit për dorëzimin e kërkesës së tyre, datën 11 tetor. Ndërkohë, në KQZ janë paraqitur tre kërkesa, që janë brenda afatit të përcaktuar”. Sipas tyre, PS-ja dhe partitë e tjera nuk kanë më afat ligjor për t’u regjistruar në këto votime. Zgjedhjet në këto njësi bëhen për shkak se 5 krerët e komunave dhe bashkive u zgjodhën deputetë të ardhshëm të Kuvendit. Njësitë e qeverisjes vendore, ku do bëhen votimet, Bashkia e Fushë Arrësit, bashkia Klos në Qarkun e Dibrës, Minibashkia 10 në Tiranë, komuna Fierzë dhe komunën Otllak në Qarkun e Beratit.

“S’ndikohemi nga ultimatume të huaja”

Ilir Kadia/ BBC

Kryetari i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi, del kundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që opozita të jetë pjesë e Kuvendit. Apeli i fundit i kreut, i bërë nga kreu i Senatit kanadez, nuk është pritur mirë nga Ruçi, i cili ka deklaruar se “ka perënduar koha e Shqipërisë që mendonte se çfarë thotë njeri apo tjetri”.
Përse duhen mbështetësit e tyre të hedhin firma në letër, ndërkohë qe mjafton iniciativa e një deputeti në Kuvendin e Shqipërisë?
Më vjen edhe për të qeshur edhe për të qarë me interpretimin që ka bërë Kryetarja e Kuvendit, e cila e paska mësuar rregulloren që paska të drejtë një deputet që të marrë një iniciativë ligjore dhe këtë nuk e di opozita, pra PS. Nuk është thjesht punë mundimi apo mosnjohje, por nisma ka një përmbajtje më të thellë se kush është pronari i kësaj vote. Ne nuk po mundojmë njeri, është elektorati shqiptar ai që do të dijë e të lexojë se ku shkoi vota e tij. Zonja Topalli le të marrë nismën apo të deklarojë që maxhoranca që ajo përfaqëson është e gatshme të bëj transparencën përpara këtyre qytetarëve.
Zoti Rama është shprehur për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit, i ka quajtur ato “farsë”, ndërkohë që ka thënë se vendimin për to do ta marrë forumi kryesori i PS-së, pra Asambleja që ju drejtoni. Cilat janë gjasat për vendimin tuaj?
Brenda kësaj jave PS do të zhvillojë dy aktivitete të rëndësishme, siç është mbledhja e Kryesisë dhe mbledhja e Asamblesë Kombëtare. Në kushtet që kemi të bëjmë, aspak me një reflektim, por përkundrazi një qëndrim tepër të ngurtë dhe aspak premtues të maxhorancës, sigurisht që veprimeve politike të PS-së nuk i mbetet alternativë tjetër vetëm t’i përshkallëzojë ato.
Kreu i senatit kanadez, por më parë edhe mjaft ndërkombëtarë të tjerë kanë përsëritur qëndrimin e tyre që opozita të zërë vendet e saj në Parlament...?
Ju lutem mendojeni zonjën Topalli në Kanada sikur ajo t’i bënte thirrje apo t’i jepte mend opozitës atje. Ka perënduar koha e Shqipërisë që mendonte se çfarë thotë njeri apo tjetri, kështu që të gjitha mediat në dispozicion të maxhorancës aktuale trumbetonin me të madhe se çfarë tha mysafiri kanadez. Demokracia, liria e fjalës, liria e pronës që ndërkombëtarët na i kanë mësuar këtu e 20 vjet më parë, tashmë janë pronë edhe e shqiptarëve, kështu që ne nuk mund të ndikohemi në shprehje, kërkesa, apo ultimatume të tilla, të kujtdo qofshin ato.
Ju keni protestën e radhës në Berat, si është gjeografia e protestës tuaj?
Gjithë Shqipëria do të jetë në përshkallëzim të protestave dhe në kërkim të atyre kushteve që opozita shqiptare ka shtruar. Nëse këto kushte nuk realizohen, ne nuk futemi në Parlament, sepse kemi 20 vjet që bëjmë zgjedhje, 20 vjet me standarde të parealizuara dhe me shkelje të përsëritura.

grupet e punes

Grupi i statutit

Gramoz Ruçi
Maqo Lakrori
Bashkim Fino
Musa Ulqini
Arben Ahmetaj
Blendi Klosi
Agustin Marku
Fatmir Xhafaj
Erion Braçe
Genc Gjonçaj
Ilir Gjoni
Namik Dokle
Saimir Tahiri
Taulant Balla
Damian Gjiknuri

Grupi i Programit

Edi Rama
Rexhep Meidani
Servet Pëllumbi
Vasilika Hysi
Besnik Baraj
Valentina Leskaj
Shkëlqim Cani
Pandeli Majko
Ervin Bushati
Ermelinda Meksi
Eglantina Gjermeni
Ilir Beqja
Namik Kopliku
Olta Xhaçka

Topalli: Deputetët e PS duan të vijnë në Kuvend, Rama i mban peng
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, i bën thirrje deputetëve të PS-së të zënë vendet në Kuvend. Në një intervistë për BBC-në, kryeparlamentarja deklaron se maxhoranca do të respektojë rigorozisht Kushtetutën për kushtin kryesor të opozitës të hapjes së kutive të zgjedhjeve të fundit. “Nuk ka kurrë kushte me Kushtetutën, nuk mund të ketë kurrë kushtëzime me Parlamentin. Mbi Kushtetutën nuk mund të shkelë asnjë, asnjë kryetar partie, në fund të fundit më lë përshtypjen e diçkaje shumë të vjetër, shumë anakronike, për një forcë politike që është një aset në fakt në pasurinë politike të vendit tonë. Ndaj dhe i drejtohem çdo deputeti të ri të PS-së, që të kenë kurajo në Parlament dhe të marrin përsipër pavarësisht kostos që mund të kenë në raport me kryetarin e tyre, detyrën që kanë përballë kombit, ligjit themelor dhe premtimit që ata i kanë bërë qytetarëve socialistë gjatë fushatës”, deklaron Topalli. Kryeparlamentarja shtoi se “Unë e di që secili prej tyre dëshiron të jetë në Parlament, ata po mbahen peng nga kryetari i tyre, ndaj dhe nuk i drejtohem Kryetarit të PS-së që nuk ka vendosur as emrin e tij në listat e deputetëve, por i drejtohem çdo anëtari të ri të zgjedhur dhe shumica janë të rinj që do të ulen për herë të parë në Parlamentin e Shqipërisë për të qenë luajalë me shqiptarët që i votuan më 28 qershor”. “Unë dua të jem e sinqertë që nuk më vjen mirë se, në fund të fundit, ne shihemi si komb dhe si Shqipëri, që deputetët e PS-së nuk kanë kurajon për të respektuar Kushtetutën, nuk gjejnë kurajon për të mos qëndruar peng të kurrkujt, që nuk analizojnë aq sa duhet që ata nuk e kanë për detyrim dhe nuk kanë mundësi për zgjedhje që të rrinë apo jo brenda Parlamentit”, theksoi Topalli. Për votimet e 28 qershorit, ajo shtoi se “këto ishin zgjedhjet më të mira që kemi pasur në Shqipëri”. “Kemi marrë vlerësimet më të mira nga ndërkombëtarët dhe kur pranon arbitri, ti nuk mund t’i refuzosh ato. Ndoshta është hera e parë në 18 vjet që kësaj maxhorance t’i vijnë letrat e urimit për zgjedhjet e 28 qershorit nga Obama, nga Berluskoni, Sarkozi dhe nga gjithë vendet e tjera të Evropës e SHBA-së. Ky është një sinjal tjetër, opozita nuk mund të qëndrojë e shurdhër. Kështu që është një moment kyç për të gjetur kurajon dhe për të ardhur në Parlament e për të kritikuar aty ku duhet, e për të bashkëpunuar dhe negociuar aty ku Kushtetuta na e lejon. Ne kemi nevojë për opozitën, ato nuk mund të dëmtojnë proceset integruese dhe të liberalizimit të vizave”, tha Topalli.

Debat në kryesi, fiton bojkoti

Aristir Lumezi

Kryesia socialiste vendosi dje ashtu siç pritej bojkot të zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit. Mbledhja e djeshme e kryesisë së PS është karakterizuar nga dy qëndrime, shumica e anëtarëve që ishin pro bojkotit të zgjedhjeve për pushtetin vendor në pesë komuna dhe bashki dhe një pjesë tjetër që ishin kundër bojkotit, dhe kërkuan pjesëmarrjen e PS-së në to. Mësohet se nuk ka pasur replika të forta si në dy mbledhjet e kaluara të kryesisë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, por gjatë diskutimeve janë parë qartë qëndrimet kundër vijës së kryetarit socialist, i cili vetë i propozoi kryesisë të përkrahë qëndrimin e bojkotit. Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Eva Allushi dhe Andis Harasani, kanë kërkuar hyrjen e PS-së në zgjedhjet e pjesshme, duke e argumentuar këtë qëndrim me forcimin e partisë dhe provimin e saj në garën elektorale dhe luftën politike që PS duhet të bëjë si opozitë. Ndërsa pjesa tjetër e kryesisë, ka mbështetur qëndrimin e kryetarit. Në mbledhjen e djeshme u miratuan dhe dy grupe pune që do të merren me hartimin e programit politik të PS për katër vitet në opozitë dhe një tjetër grup që do të diskutojë rreth propozimeve për ndryshimet në statutin e PS-së. Arben Malaj dhe Saemira Pino kanë refuzuar të marrin pjesë në grupin e punës për programin, duke e cilësuar përzgjedhjen e anëtarëve të tij jo mbi bazë vlerash e kontributesh. Malaj është shprehur se do të kontribuojë jashtë grupit të krijuar. Kryesia vendosi dhe thirrjen e Asamblesë Kombëtare që do të mblidhet ditën e shtunë, ku do të miratohen qëndrimi i bojkotit, nisja e analizave për zgjedhjet e 28 qershorit por dhe grupet e punës. Pas mbledhjes, kreu socialist Edi Rama e ka cilësuar si të natyrshëm vendimin e Partisë Socialiste për të bojkojtuar zgjedhjet e 15 nëntorit. Sipas Ramës, “Liria për mbrojtjen e votës nuk mund të deformohet, këto janë interesat e një populli të tërë që nuk mund të merren peng nga një pushtet familjar”.
Blushi
Anëtari i kryesisë socialiste, Ben Blushi, e cilësoi dje pas mbledhjes së kryesisë vendimin e marrë prej saj si një vendim personal të kryetarit socialist. “Është një vendim i shpallur në mënyrë personale nga Edi Rama, sipas të cilit nuk duhet të futemi në zgjedhjet e pjesshme të datës 15 nëntor në 5 njësi, nga disa prej të cilave komuna, një bashki dhe një minibashki në Tiranë. Sigurisht që një vendim personal edhe ky si bojkoti, një vendim demotivues, i cili fatkeqësisht i thotë të gjithë socialistëve në të gjithë Shqipërinë, që ne nuk fitojmë dot dhe kjo është arsyeja pse nuk hyjmë në zgjedhjet. Shumë anëtarë kryesie, përfshirë edhe mua, sigurisht që ishin kundër. Kërkuam që të hynim në zgjedhjet e datës 15 nëntor sepse është një mundësi për të treguar se socialistët dinë të mbrojnë votat, ishin një test politik për PS dhe jo për qeverinë, pasi socialistët dinë të fitojnë dhe janë mësuar të fitojnë edhe në kushte të vështira”, u shpreh Blushi. Për deputetin socialist, bojkoti i zgjedhjeve të pjesshme bën që PS të mos pretendojë për zgjedhje të parakohshme, siç kanë deklaruar përfaqësues të lartë të saj. “Pyetja për të gjithë është se nëse ka zgjedhje të parakohshme pas 2-3 apo 6 muajsh, prapë nuk do të hymë në zgjedhjet e parakohshme sepse ndoshta kushtet që kemi vënë për të hyrë në Parlament, edhe atëherë nuk do të jenë plotësuar. ”, u shpreh Blushi.

Debatet në kryesi

Besnik Bare: Baza është e tronditur nga situata paszgjedhore, zgjedhjet e pjesshme zakonisht shkojnë në favor të pushtetit qendror, prandaj hyrja në to do na çonte në humbjen e tyre.
Eva Allushi: Elektorati gjithnjë na ka ndjekur pas. Hajde t’i provojmë atij që ne jemi të zotë të mbrojmë votën dhe të fitojmë.
Erjon Braçe: Jam pro bojkotit, por do doja që qëndrimet e PS të merreshin prej saj dhe jo nga aleatët. Kam tre ditë që dëgjoj nga një aleat se PS do bojkotojë zgjedhjet.
Ben Blushi: Kushtet që i kemi vënë PD kanë lidhje me të shkuarën. PS duhet të shprehet për të ardhmen. Po demotivojmë njerëzit tanë. Rama po i fal 5 njësi vendore Berishës. Ne duhet të futemi në zgjedhjet e pjesshme dhe të ballafaqohemi me kundërshtarin. Këtu dallohet një parti politike nga një OJQ.
Kastriot Islami: Me mosregjistrimin e PS në KQZ, ky diskutim dhe vendim është i pavlerë. Ky është një vendim i marrë dhe ne sot nuk kemi se ç’vendosim. Qëndrimi ynë po kritikohet çdo ditë nga faktori ndërkombëtar.
Gramoz Ruçi: Duhet të bindim ndërkombëtarë për qëndrimin tonë, qëndrimi ynë është i drejtë.
Namik Dokle: Nuk është e vërtetë që nuk na mbështesin ndërkombëtarët, morëm mbështetje nga Internacionalja Socialiste dhe qëndrimi ynë është i drejtë.
Arben Malaj: Të futemi në zgjedhje dhe nëse ka manipulime të mundohemi të faktojmë manipulimet dhe t’i bëjmë ato publike. Kështu do jemi dhe më bindës me zgjedhësit. 

Rama: PS nuk do të ndërpresë bojkotin, Kuvendi si shkollë nate
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, e quan Parlamentin shkollë nate që kryeministri Berisha e mbledh njëherë në javë për t’i shërbyer familjes së tij. Deklarata e Ramës vjen një ditë pasi Kryeparlamentarja Jozefina Topalli komentoi mbledhjen e firmave për kërkesën që do t’i drejtohet Kuvendit për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ne jemi të shqetësuar për gjendjen e vështirë, ku është katandisur Parlamenti shqiptar dhe për kthimin e tij në një hallkë krejt formale të shtetit, e cila një herë në javë funksionon thjesht për interesat e pushtetit. Ky Parlament pa legjitimitet, që mbahet hapur si shkollë nate vetëm falë një pazari interesash familjare e klanore, nuk mund të përballojë asnjë sfidë në këtë kohë kur vendit i duhen hapa të guximshëm politikë e ligjorë për të dalë nga bataku i krizës së demokracisë, i krizës së shtetit të së drejtës, i krizës së ekonomisë që po thellohen dita-ditës”, tha Rama. Protesta tjetër e socialistëve do të jetë në Berat të premten, tha Rama, duke u shprehur i bindur deri në fund për t’i shtrirë protestat në të gjithë vendin. “Ne do të vazhdojmë të theksojmë gatishmërinë tonë për të hyrë në Parlament me t’u krijuar kushtet për hetimin e pakushtëzuar parlamentar të zgjedhjeve dhe ndërkohë do të vijojmë rrugën e protestave qytetare në Berat të premten e ardhshme dhe më tej në qytete të tjera, duke e zgjeruar valën e tyre në çdo rrugë të Shqipërisë. Numri i firmave të qytetarëve mbi nismën ligjore për hapjen e kutive shumë shpejt do të mbërrijë 50 mijë. Shurdhëria e pushtetit ndaj kërkesave tona elementare për një vend demokratik është rruga më e mbrapshtë për vetë pushtetin. Ne nuk ndalemi, nuk mbrapsemi, nuk lodhemi” tha Rama. Socialistët kërkojnë hetim të zgjedhjeve të 28 qershorit, për të zbuluar atë që e quajnë masakër elektorale. Kryetari socialist i bëri thirrje Kryeministrit që të shohë interesat e vendit përpara atyre personale. “Apeli ynë për Sali Berishën është të vendosë interesat e vendit mbi interesat e pushtetit të familjes së tij, të vendos interesin kombëtar të transparencës së zgjedhjeve mbi oreksin familjar, për përfitime të pallogaritshme përmes pushtetit, të vendosë domosdoshmërinë e Shqipërisë për të pasur një Parlament legjitim mbi nevojën e shtëpisë për të pasur një qeveri të tërë në shërbim”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›