E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat, PS: Qeveria dështoi me vizat

 

Partia Socialiste deklaroi dje se qeveria Berisha-Meta ka dështuar me reformat që do të përmbushnin standardet për heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët. Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni, deklaroi përmes një konference për shtyp se PS bashkohet me qëndrimin e raporteres Tanja Fajon për liberalizimin e vizave në Parlamentin Evropian, ndërsa nënvizon se rruga për të mundësuar heqjen e regjimit të vizave mbetet përmbushja e standardeve dhe jo akuzat e pabazuara që vijnë në drejtim të opozitës. “Partia Socialiste bashkohet me qëndrimin e raporteres për liberalizimin e vizave në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, se rruga për të mundësuar heqjen e regjimit të vizave mbetet përmbushja e standardeve dhe jo akuzat e pabazuara që vijnë nga tellallët e Berishës në drejtim të opozitës”, theksoi Gjoni.  PS vlerëson se asnjë nga masat e parashikuara për t’u zbatuar gjatë muajit shtator, në çështjet që kanë të bëjnë me rendin publik dhe sigurinë sipas Planit të Veprimit, të miratuar nga vetë Qeveria në korrik të këtij viti, nuk është realizuar. “Nuk është zbatuar Strategjia dhe Plani i Veprimit kundër Trafikut të Drogës. Nuk janë përmirësuar masat për aksesin në informacion mbi kapjen e drogës dhe personave të përfshirë në Pikat e Kalimit Kufitar. Nuk është amenduar ligji, Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Gjoni sqaroi më tej se faktori pengues i procesit të liberalizimit të vizave në Shqipëri është, korrupsioni në veçanti, krimi i organizuar e varësia e drejtësisë nga pushteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›