E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në protestë banorët e 3 fshatrave në Portëz

14/10/2009  Rruga lidhëse gangrenë që para fushatës zgjedhore. Bojkotuan dhe zgjedhjet

Kërcënimi: Të shtrohet asfalti ose do bllokojmë dhe rrugën Fier-Gjirokastër

FIER- Rrugët që lidhin 3 fshatrat në komunën Portëz të rrethit të Fierit janë shkatërruar plotësisht. Me gjithë bojkotin që rreth 3000 banorë të këtyre fshatrave kanë bërë ditën e zgjedhjeve më 28 qershor në shenjë proteste ndaj qeverisë, edhe 4 muaj më pas këto akse rrugore ndodhen në gjendje të mjeruar. Kraps, Mbyet dhe Portëz janë 3 fshatrat e kësaj komune ku banorët e tyre ndeshen përditë me vështirësitë e komunikimit me qytetin dhe fshatrat e tjerë përreth. Zemërimi i këtyre banorëve që edhe pas 4 muajsh të bojkotit nuk është bërë asgjë nga qeveria ka arritur kulmin. Këtë bojkot duke refuzuar edhe kutitë e votimit më 28 qershor, ata e kanë vazhduar me protesta të njëpasnjëshme, duke marrë pjesë në to edhe fëmijët e tyre. Shkak është amortizimi i rrugës me një gjatësi prej 9 km, e cila lidh 3 fshatra me rreth 8 mijë banorë. Mungesa e rrugës është jetike për banorët e kësaj zone, të cilët pohojnë se rikonstruksioni i saj është domosdoshmëri për jetën e tyre të përditshme. Dje në orët e para të mëngjesit banorë të këtyre fshatrave kanë protestuar në aksin rrugor që lidh Fierin me Patosin duke dalë në rrugë me parulla dhe thirrje për rikonstruksionin e rrugës. “Qeveria nuk ka bërë asgjë”,- thotë një banor i fshatit Plyk. Ne jemi gjithë kjo zonë dhe për gjallje apo për vdekje kjo rrugë na duhet. Nuk shtyhet me 2 mijë lek çdo ditë që shkojmë në Fier, se edhe shoferit i dridhet mishtë kur mendon se do të bëjë këtë rrugë. Ka të drejtë që na merr 2 mijë lek se kjo rrugë nuk kalohet. Edhe ne duam të jetojmë si gjithë të tjerët”. Banorët 4 muaj pas zgjedhjeve të 28 qershorit thonë se do të përshkallëzojnë protestën deri në bllokimin e rrugës Fier-Gjirokastër. Odiseja e kësaj rruge ka nisur qysh në vitin 2001. Me një fond prej 3 milionë lekësh të vjetra e përdorur nga qeveria e asaj kohe filloi shtrimi i saj, por më vonë u shfrytëzua për shtrimin e vetëm 100 m rrugë, pasi me përfundimin e zgjedhjeve investimi është ndërprerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›