Ambasadori gjerman: Opozita të dialogojë në Kuvend
Gjermania përmes ambasadorit të saj në Shqipëri i kërkon opozitës shqiptare që dialogun politik ta zhvillojë në sallën e Parlamentit. Diplomati gjerman Borchardt vlerëson zgjedhjet e 28 qershorit që, sipas tij, shënuan progres dhe konfirmon mbështetjen e Gjermanisë në aspiratën integruese të Shqipërisë. Ambasadori sugjeron një zgjidhje në Kuvend të problematikës që lidhet me zgjedhjet, se partitë politike në vend duhet të kenë një dialog konstruktiv në Kuvend, pasi sipas tij, ka shumë reforma që duhen bërë me bashkëpunim. Borchardt u kujton partive politike që krahas ndryshimeve në ligjin e zgjedhjeve, nevojitet shumica e cilësuar dhe për reformën në drejtësi. “Ne së bashku me partnerët e Bashkimit Evropian kemi rekomanduar për të gjitha partitë politike në Shqipëri një dialog konstruktiv. Vetëm kështu mund të zgjidhen problemet e evidentuara nga misioni i ODIHR-it, në mënyrë që të bëhen ndryshimet e nevojshme në ligj, pasi kërkohet një shumicë e cilësuar. Kjo vlen edhe për fushat e tjera të rëndësishme që duhen për në BE dhe kjo përfshin reforma të tjera si ajo në Drejtësi”, - deklaroi ai. Duke folur për procesin e zgjedhjeve, ambasadori iu referua raportit të fundit të OSBE/ODIHR-it, duke thënë se tashmë duhet parë përpara. “Raporti ka treguar progresin e bërë, por edhe problemet e mbetura pa zgjidhje. Ka treguar se Shqipëria ende nuk i ka përmbushur të gjitha standardet. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it, procesi zgjedhor në Shqipëri dhe vlerësimi i tij, shihet i përfunduar dhe e rëndësishme tani është të shihet përpara dhe të shihen problemet që përmend ODIHR që, siç thotë raporti, kanë zbehur progresin”, - theksoi z. Borshardt. Ai bën një vlerësim të kushteve të vendosura nga opozita për pjesëmarrje në Kuvend si dhe qëndrimit të mazhorancës në këtë drejtim. Kryeministri Berisha i ka cilësuar të paligjshme disa nga kushtet e opozitës, siç është ai për rinumërimin e kutive për disa zona zgjedhore. Berisha ka theksuar se partitë politike nuk mund të marrin rrolin e gjykatësit në kushtet kur mbi procesin kanë thënë fjalën e tyre si KQZ ashtu dhe Kolegji Zgjedhor. Përfundimi i zgjedhjeve dhe publikimi i raportit të OSBE/ODIHR-it sjell një tjetër zhvillim të rëndësishëm, atë të shqyrtimit të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Gjermania është një mbështetëse e fuqishme e integrimit të Shqipërisë në BE, një qëndrim që diplomati i lartë gjerman e ilustron dhe me mbështetjen financiare në rritje akorduar vendit tonë. “Pranimi i Shqipërisë në BE është çështje e rëndësishme strategjike për të dy vendet tona. Gjermania mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë në BE”, - deklaroi z. Bernd Borchardt. Ambasadori shtoi më tej se vendi i tij së bashku me partnerët e tjerë evropianë do të diskutojnë raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet dhe më pas do të merret vendimi për aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për në BE. “Ne, - përfundoi ai, - do të diskutojmë tani raportin e ODIHR-it dhe do të marrim vendimin përkatës në lidhje me aplikimin e Shqipërisë”.