Bojkoti i PS-së, Naço: Do të presim deri në dhjetor
Në rast se deputetët e Partisë Socialiste nuk do të tërhiqen nga bojkoti i tyre, atëherë Kuvendi do të respektojë rregulloren dhe Kodin Zgjedhor për të kaluar mandatin e tyre tek të tjerë. Por, çështjes së afatit se kur deputetët e PS-së mund të hyjnë në Kuvend, i ka dhënë një përgjigje nënkryetari i Kuvendit, deputeti i LSI-së, Nasip Naço, i cili deklaroi se do të pritet deri në muajin dhjetor. Sipas Naços, duke shprehur edhe bindjen e tij, deputetët e PS-së do të hyjnë në Kuvend në muajin dhjetor, por në rast të kundërt, ata do të përballen me humbjen e mandatit. “Nuk besoj se do të arrijmë deri tek shterimi i listës së partive politike, pasi përpjekjet janë të gjithanshme që opozita të zërë vendin e saj në Parlament. Unë kam bindjen se brenda dhjetorit opozita do të zërë vendin e saj në Parlament”, - deklaroi Naço. Nënkryetari i Kuvendit foli dje edhe për procedurën ligjore, në rast se situata nuk kthen. Sipas tij, Kuvendi në bazë të rregullores së tij, bazuar edhe në Kodin Zgjedhor, mund t’i kërkojë në çdo kohë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mandatojë fituesit e listës poshtë deputetëve që nuk bënë betimin. Edhe në rast se lista përfundon, Kodi Zgjedhor e ka zgjidhur këtë pikë, pasi ka përcaktuar se në rast se lista mbaron, atëherë aleati që ka herësin më të madh, përfiton. “Detyrimisht, nëse do të vazhdojë me rrugën e bojkotit, do të zbatohet si Rregullorja e Parlamentit si dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Parashikohet që deputeti duhet të vijë dhe të bëjë betimin. Në rast se ai i shmanget betimit, atëherë sekretariati i përkohshëm do t’i drejtohet KQZ-së me një relacion për t’i shpjeguar se një grup deputetësh apo një deputet i veçantë nuk pranon të bëjë betimin, detyrimisht do të zbatohet Kodi Zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, - sqaroi Naço. Çështja e mandateve të deputetëve socialistë është kthyer në shqetësim dite jo vetëm në politikë, por edhe tek juristët, të cilët japin mundësitë që kanë deputetët e majtë që të shpëtojnë mandatet. Pavarësisht shumë komenteve, konstitucionalistët bien dakord se në rast se ka mbi 6 muaj bojkot, deputetët e PS-së humbasin automatikisht mandatin, pasi një fakt të tillë e qartëson Kushtetuta e vendit. Ndonëse flitet për një afat 6-mujor, ekspertët e Kodit Zgjedhor janë shprehur se edhe në kushtet aktuale deputetët e PS-së mund të humbasin mandatin. Sipas Kristaq Kumes, ish-kreut të KQZ-së, në rast se Kuvendi në këto momente i kërkon KQZ-së të sjellë listën e re të deputetëve me çfarëdo lloj argumenti që e zgjedh vetë Kuvendi, KQZ-ja është e detyruar që të japë një përgjigje pozitive. Kjo përgjigje është zbritja e listës së kandidatëve dhe mandatimi i të tjerëve që vijnë më poshtë. Sipas Kodit Zgjedhor, pas shterimit të listës së deputetëve të një partie, vendet e lëna bosh në Parlament prej saj zihen nga aleatët brenda të njëjtit koalicion.