E Diel, 1 Nëntor 2026

Vilat në bregdet, 6 muaj afat për të paguar shtetin



Poseduesit që kanë vila në fshatrat turistike që janë ndërtuar pa kriter, kanë afat vetëm 6 muaj kohë që të paguajnë vilën e tyre me vlerë tregu në shtet, në mënyrë që ta privatizojnë. Ky afat u përcaktua dje në ligj nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve i cili miratoi projektligjin “Për rregullimin e pronësisë për truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin”, i cili përcakton detyrimet për kalimin në pronësi të ndërtimeve pa kritere në fshatrat turistike. Sipas projektligjit, 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligji, subjektet që kanë vila dhe ndërtime pa kritere në fshatrat turistikë duhet të bëjnë pagesën. Në të kundërt ata humbasin të drejtën e privatizimit të ndërtimit.

Procedura

Subjekti i interesuar që gëzon njësinë e ndërtimit, vilën apo shtëpinë, sipas nenit 4 dhe 5 të draftit, duhet të paraqesë pranë ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve pas njoftimit publik, dokumentet: a) kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës; b)kontratën e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar; c) planimetrinë në m2 për njësinë e ndërtuar dhe kopje të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar”. Këto dokumente së bashku me kërkesën depozitohen në zyrat e ALUIZNI-t. Çmimi i truallit duhet të paguhet me vlerën e tregut të parashikuar sipas vlerës së hartës të tokës që aplikon Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Menjëherë pasi përcaktohet vlera e ndërtimit dhe tokës, sipas vlerës së tregut, subjekti ka vetëm 6 muaj afat që të bëjë pagesën tek ALUIZNI, para të cilat do të kalojnë në fondin e kompensimit në AKKP për ish-pronarët.

Mënyra e pagesës

Sipas projektligjit, në rast se poseduesit paguajnë për ndërtimin e tyre, përfitojnë zbritje të shumës që i detyrohen shtetit. Çmimi i truallit i një shtëpie të ndërtuar në një fshat turistik reduktohet në masën 10 për qind, nëse paguhet brenda 3 muajve dhe 20 për qind brenda një muaji. Megjithatë, përveç vlerës së godinës, blerësi duhet t’i paguajë tokën shtetit me çmimin e tregut. Nga ana tjetër, projektligji parashikon që përfituesit do të jenë si qiramarrësit ashtu edhe blerësit e ndërtesave në fshatrave turistike. Parashikohet që 80 për qind të vlerës së tokës paguhet nga këta të fundit, ndërsa 20 për qind nga ndërtuesit e fshatit turistik.

Projektligji

Projektligji, i cili ka për relator deputetin e PD-së, Enkelejd Alibeaj, përcakton detyrimet për kalimin e pronësisë. Alibeaj ka deklaruar se bëhet fjalë për një mekanizëm që poseduesve u jepet mundësia ta gëzojnë ndërtimin e tyre por në të njëjtën kohë, trualli shtesë do të jetë në bashkëpronësi. Kjo do të thotë se ndërtimet në këto zona me prioritet nuk mund të bëhen më pa studime korrekte. Sipas Alibeajt, bëhet fjalë për 20 fshatra turistike, që sipas relacionit të projektligjit, rreth 90 për qind e tyre kanë dalë jashtë destinacionit. Kjo do të thotë që në vend që ata të ndërtonin hotele dhe të zhvillonin turizmin, kanë shitur tokat apo kanë bërë pallate pa kritere, kur toka ishte dhënë me qera nga shteti për 99 vjet.

Procedura dhe dokumentacioni

Subjekti i interesuar, që gëzon njësinë e ndërtimit, duhet të paraqesë pranë ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve pas njoftimit publik, dokumentet e mëposhtme:

a) kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës;

b)kontratën e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar;

c) planimetrinë në m2 për njësinë e ndërtuar dhe kopje të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.

Subjekti i stimuluar gëzon njësinë e ndërtimit, duhet të paraqesë, pranë ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve pas njoftimit publik, dokumentet e mëposhtme:

a) kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës;

b) marrëveshjen e qirasë apo të zhvillimit, të lidhur ndërmjet personit të stimuluar dhe qiradhënësit;

c) lejen e ndërtimit për njësinë e ndërtuar;

d) dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtimit, nëse ka

e) kopje të identifikimit ose ekstrakt të regjistrimit tregtar.

Pas vlerësimit, ALUIZNI përcakton vlerën që subjekti duhet të paguajë në vlerë tregu.

Pas kësaj procedure, poseduesi i vilës në bregdet ka vetëm 6 muaj kohë të bëjë pagesën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›