E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, gjendet pa jetë një 40-vjeçar, shkak overdoza



Trupi i pajetë i një 40-vjeçari u gjet në qendër të qytetit të Vlorës. Pas verifikimit të kryer nga policia, rezultoi se viktima ishte Dritan Muka. Sipas burimeve nga grupi hetimor, shkak i vdekjes së 40-vjeçarit ka qenë konsumimi i lëndëve narkotike, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e ngjarjes. Viktima është dërguar për në morg, ku do t’i kryhet ekspertiza mjeko-ligjore dhe më pas policia do të dalë në një përfundim zyrtar në lidhje me ngjarjen. Janë shoqëruar në komisariat të afërm dhe persona të njohur të tij, të cilët do të japin informacion në lidhje me këtë ngjarje.

Ngjarja

Rreth orëve të para të mëngjesit të djeshëm, kalimtarë të qytetit bregdetar kanë parë trupin e një personi të shtrirë. Ai ishte afër qendrës së qytetit, pranë një gomisterie, në vendin e quajtur “Sheshi i Flamurit”. Personi i paidentifikuar nuk jepte shenja jete. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes. Nga kontrolli i kryer rezultoi se personi kishte humbur jetën. Policia ngriti menjëherë një grup hetimor në lidhje me këtë rast. Sipas burimeve zyrtare, viktima është 40-vjeçari Dritan Muka, lindur dhe banues në qytetin e Vlorës. Menjëherë trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t’iu kryer ekspertiza. Nga hetimet paraprake rezulton se shkak i vdekjes së 40-vjeçarit ishte konsumimi i lëndëve narkotike, të llojit droga të forta. Nga dëshmitë e marra rezulton se viktima Muka ishte konsumues i drogave të forta. Ai dyshohet se ka marrë overdozë gjatë natës të së dielës, që e ka çuar atë drejt vdekjes. Megjithatë, policia po heton edhe faktin se mos vdekja e 40-vjeçarit është një ngjarje e qëllimshme. Trupi i viktimës do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, për të përcaktuar sasinë e drogës në gjakun e viktimës si dhe shkakun e ngjarjes në mënyrë shkencore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›