E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti i PS-së në zgjedhje, LSI-ja del me kandidatët e vet

PD-ja dhe LSI-ja kanë rënë dakord mes tyre për të garuar të dyja me përfaqësuesit e tyre në zgjedhjet e ardhshme


TIRANË - Lëvizja Socialiste për Integrim do të konkurrojë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit me kandidatët e saj, por kjo, jo për të fituar, por për të shpëtuar legjitimitetin e kësaj gare.


Në mungesë të konkurrencës së partive të opozitës, PD-ja dhe LSI-ja kanë rënë dakord mes tyre për të garuar të dyja me përfaqësuesit e tyre në zgjedhjet, që do të mbahen pas një muaji, në mënyrë që të krijojnë përshtypjen te ndërkombëtarët, por edhe tek opinioni publik, të ekzistencës së konkurrencës dhe kandidatëve alternativë.


Lajmin e ka bërë të ditur numri dy i LSI-së, Edmond Haxhinasto, i cili nëpërmjet një komunikimi mediatik ka marrë vendimin për t'u regjistruar në KQZ si subjekt më vete dhe me kandidatët e saj.


"Dëshiroj të bëj publik vendimin e LSI-së për të konkurruar e vetme, me kandidatët e saj, në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit", - tha Haxhinasto. Në deklaratën e tij, ai ka pranuar faktin se kjo forcë politike ishte detyruar që të merrte këtë hap, vetëm për shkak të mospjesëmarrjes në zgjedhje të partive opozitare dhe për të krijuar përshtypjen e kandidatëve alternativë në zgjedhje.


"Natyrisht, ky vendim i LSI-së nuk do të ishte marrë nëse lidershipi i Partisë Socialiste do të respektonte mandatin e saj politik dhe opozitar që i dhanë zgjedhësit më 28 qershor; nëse axhenda personale e lidershipit të saj nuk do të përdorej për të shkatërruar funksionimin normal të sistemit tonë demokratik", - tha më tej Haxhinasto.


Por përpjekjet e mazhorancës për ta bërë të vlefshëm këtë proces zgjedhor, nuk kanë përfunduar me kaq, pasi në KQZ është regjistruar dje edhe një tjetër subjekt politik, Partia e Punës së Shqipërisë e Re, e cila në zgjedhjet e shkuara të përgjithshme u përjashtua nga gara për shkak të një manipulimi masiv firmash, që u konstatua në listat e firmëtarëve mbështetës.


Në këtë mënyrë, duke pasur parasysh vendimin e djeshëm të plotë të KQZ-së, ku u regjistruan si pjesëmarrëse në zgjedhje edhe PD-ja dhe LSI-ja, fleta e votimit që do të përdoret në 15 nëntor do të ketë tre alternativa zgjedhjeje.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›