E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Duhet dialog politik, PS s'po pengon integrimin

Presidenti i Republikës bën thirrje për bashkëpunim dhe pjesëmarrje të opozitës në Kuvend


TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ndan një qëndrim krejt tjetër nga kryeministri Sali Berisha, sa i përket rolit të opozitës në procesin e integrimit.


Në konferencën për shtyp të zhvilluar dje në Slloveni me homologun e tij, Danilo Tyrk, Presidenti i Republikës është pyetur pikërisht për bojkotin e opozitës dhe për faktin nëse ky veprim e pengon ose jo procesin e integrimit të Shqipërisë.


Por, Kreu i shtetit, në përgjigjen e tij, ndryshe nga kryeministri i vendit, ka deklaruar se nuk ka faktorë në vend, që po pengojnë procesin e integrimit. Paralelisht, ai ka saktësuar se ky proces kërkon pjesëmarrje dhe bashkëpunim mes forcave politike.


"Presidenti mund të bëjë apele. Sigurisht çështja e pjesëmarrjes nuk ka të bëjë me vullnetin e Presidentit, por ka të bëjë me vullnetin e partive respektive në këtë proces. Unë besoj që demokracia në Shqipëri funksionon. Natyrisht institucionet konsolidohen çdo ditë.


Unë nuk besoj që të ketë faktorë që të jenë treguar kontestues në procesin e integrimit, por procesi i integrimit kërkon pjesëmarrje, kërkon bashkëpunim dhe besoj që roli i institucioneve të Shqipërisë dhe mënyra e sjelljes së institucioneve të Bashkimit Evropian do të jetë e tillë që nuk do të krijohet asnjë lloj pengese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian",- tha dje Topi gjatë konferencës për shtyp.


Ai shtoi se, "...demokracitë e vendeve që kanë dalë nga një izolim i thellë kanë problemet e veta, por besoj që arritjet pozitive janë ato që dominojnë në atë proces, që ne dëshirojmë ta realizojmë. Dhe besoj që nuk do të ketë elementë substancialë kontestues, që do të pengojnë rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian".


Presidenti i Republikës theksoi se, ai i ka bërë apelet e duhura, për forcimin e dialogut dhe rivendosjen e saj, sepse pa dialog, sipas tij, nuk mund të ketë shanse për zgjidhje racionale dhe demokratike.


Presidenti i Republikës po zhvillon një vizitë zyrtare në Slloveni. Gjatë ditës së parë të vizitës, Topi është takuar edhe me kryeministrin e Sllovenisë dhe Presidentin e Asamblesë Kombëtare të këtij vendi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›