E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetarët peticion Berishës, kundra Mediut në Qeveri

TIRANË - Një grup gazetarësh dhe opinionistësh janë nismëtarë të peticionit drejtuar Kryeministrit Berisha për mospërfshirjen e Fatmir Mediut në Qeveri. Sipas tyre, kreu i Republikanëve ka një proces gjyqësor të hapur dhe për këtë do të ishte e pamoralshme mbajtja e një posti ministror.

"Mediu është në një proces gjyqësor lidhur me tragjedinë e Gërdecit, e cila mori 26 jetë të pafajshme njerëzish dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, pa llogaritur këtu shkatërrimet materiale. Drejtësia shqiptare po heton dhe gjykon mbi përgjegjësinë e ish- ministrit të mbrojtjes", thuhet në peticion. Dhe më tej vazhdon "ne gjykojmë që prania në kabinetin Berisha e Mediut, paraqet një problem të rëndë moral dhe politik".

Gazetarët i kërkojnë Berishës që edhe pse Partia Republikane ka propozuar këtë emër të marrë masa që drejtësia në vihet në vend për këtë tragjedi të rëndë, ku i akuzuari kryesor është ish-ministri i Mbrojtjes Mediu. Sipas tyre, nëse do të merrte parasysh këtë kërkesë do demonstronte një përgjegjësi politike dhe publike kundrejt kësaj ngjarjeje, në përputhje me angazhimet që ai ka marrë publikisht për t'i shkuar kësaj tragjedie deri në fund lidhur me përgjegjësitë e gjithsecilit, kushdo qofshin ata.

Nismëtarë të këtij peticioni janë: Blendi Kajsiu, Henri Cili, Mentor Nazarko, Mustafa Nano, Skender Mixhozi, Andi Bushati, Alfred Peza, Eni Vasili, Rudina Xhunga, Lorenc Vangjeli. Ky peticion është i hapur për nënshkrime të tjera.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›