E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarizohet marrëveshja PD-PR. Mediu ministër i Mjedisit

08/09/2009  Kryeministri Berisha premton bashkëqeverisje në nivele të tjera pa kufi

Bashkëpunimi do të përqendrohen te reformat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Partia Demokratike zyrtarizoi dje marrëveshjen e bashkëqeverisjes së Partinë Republikane, sipas së cilës PR-ja krahas postit ministror në qeverinë e re do të marrë dhe dy poste në nivel zv/ministrash, si dhe do të ketë përfaqësim proporcional në të gjitha nivelet. Në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes kryeministri Berisha përmendi kontributin e Partisë Republikane për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe shprehu bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është qëllim i përbashkët i dy forcave tona politike. “Partia Demokratike është partia që bëri shqiptarët pronarë dhe mbetet e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me Partinë Republikane për reformën më të drejtë, më të ndershme të pronësisë dhe në kohën më të shkurtër. Të dyja partitë tona kanë në themel idealin e tyre, idealin evropian të qytetarëve shqiptarë. Unë jam i bindur se të gjitha shtyllat kryesore programore të dy partive janë në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, ndaj dhe në një marrëveshje që sapo firmosëm ne përcaktojmë të gjitha fushat e bashkëpunimit, nga reforma institucionale, ajo pronësore, te lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, te reformat e gjithanshme për të përgatitur Shqipërinë për anëtarësim në BE”, - theksoi Berisha. Në marrëveshjen mes palëve është parashikuar hartimi i një programi të përbashkët qeverisës për vitet 2009-2013 për të realizuar objektivat e përbashkëta. Ato kanë të bëjnë me përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në BE, duke realizuar të gjitha reformat e duhura, për të dhënë rezultate të menjëhershme në realizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të vendit kandidat për anëtarësim në BE; ndërtimi i një sistemi ligjor evropian dhe implementimi i tij në të gjitha fushat; hartimin e përbashkët për reformën e plotë në çështjen e pronësisë, duke realizuar të gjithë kuadrin e nevojshëm juridik me qëllim lidhjen përfundimtare të këtij problemi në favor të pronarëve të ligjshëm; reformimin e Kodit Zgjedhor, me qëllim përfaqësimin sa më real të subjekteve zgjedhore në Kuvend si dhe eliminimin e çdo diskriminimi, që cenon barazinë e konkurrimit politik; konsolidimi i shtetit ligjor, cilësisë dhe zbatueshmërisë së ligjeve, luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; rritja e transparencës qeverisëse etj., ishin të tjera objektiva të platformës bashkëqeverisëse. Në kuadër të krijimit të kabinetit të ri qeveritar, pak ditë më parë Kryeministri Berisha konkretizoi marrëveshjen për bashkëqeverisje me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me të cilën ra dakord për përfaqësimin e saj në qeveri në masën 20 %.

PD dhe PR bien dakord:

- Përfaqësimi proporcional i PR-së në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore dhe lokale, duke garantuar këtë përfaqësim sipas kontributit të PR-së në respektim të ligjit “Për statusin e nëpunësit civil".

- PR do të përfaqësohet në qeveri me kryetarin e saj, zotin Fatmir Mediu në postin e ministrit të Mjedisit dhe me dy zv/ministra.

- Përfaqësimin në pushtetin ekzekutiv në nivelin qendror dhe vendor do të realizohet brenda 30 tetorit 2009.

- Emërimet në institucionet kushtetuese apo institucionet e tjera që varen nga Parlamenti të jenë produkt i konsultimeve dhe konsensusit midis kryetarëve të PD-së dhe PR-së.

- Të koordinojnë qëndrimet politike të rëndësishme të qeverisë dhe parlamentit nëpërmjet kryetarëve të partive apo personave të caktuar prej tyre.

- Zgjedhja e Presidentit të Republikës të realizohet mbi bazë konsensuale.

- Çdo ndryshim i kësaj marrëveshje duhet të bëhet me konsensus dhe i pasuar nga amendament me shkrim të firmosur nga kryetarët e PD-së dhe PR-së.

- Kryetarët e PD-së dhe PR-së të autorizojnë nga një përfaqësues të tyre, që do të ndjekin zbatimin e kësaj marrëveshjeje në të gjitha nivelet qeverisëse dhe përditësimin e saj sipas zhvillimeve të pritshme.

- Kjo marrëveshje lidhet dhe do të ketë efekt për mandatin 4-vjeçar të kësaj legjislature parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›