E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti i opozitës Hyrja në Kuvend, Malaj kundër Bellos

Autori i Lajmit: Suela TopiLëvizja për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste nuk ka një qëndrim unik lidhur me hyrjen në Parlament. Deputeti Arben Malaj ka pohuar dje për Ballkan se deklarata e bërë nga deputeti socialist Marko Bello për të hyrë në Parlament në vitin 2010 është një qëndrim personal duke lënë të nënkuptohet se nuk mbështet të njëjtin qëndrim. Megjithatë, Malaj ka shtuar se ndan të njëjtin qëndrim me Bellon kur ai deklaron se PS po shkon drejt radikalizmit dhe se nuk është kjo mënyra që duhet të ndiqet. Malaj ka shtuar se është e nevojshme që PS të ndryshojë strategjinë e saj për të qenë një parti më e hapur dhe ndaj mendimit ndryshe.
Deklarata
“Qëndrimi i zotit Bello për të hyrë në Kuvend në vitin 2010 është tërësisht individual. Por pavarësisht kësaj unë ndaj të njëjtin qëndrim me të kur thotë se Partia Socialiste po shkon drejt radikalizimit. Mendoj se PS ka nevojë për një analizë të gjithçkaje po ndodh brenda saj për të pranuar dhe mendimin ndryshe në radhët e saj”, - pohoi dje Malaj. Ndërkohë edhe deputetë të tjerë socialistë të njohur si mbështetës të Ramës kritikojnë deklaratën e Marko Bellos për të hyrë në Kuvend. Sipas tyre, ai do të jetë i humburi në këtë rast, sepse më vonë mund të ketë dhe një vendim të Grupit Parlamentar për tu bërë pjesë e Parlamentit. Debatet për këtë çështje kanë nisur prej disa javësh kur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se do të zëvendësojë deputetët, të cilët nuk paraqiten në seancë përtej afateve ligjore. Madje, ajo pohoi se me skadimin e afatit do ti drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zgjidhur këtë situatë. Kjo deklaratë është kundërshtuar nga kryesocialisti Edi Rama, i cili ka pohuar gjithashtu se PS nuk do të lërë të digjen mandatet. “Deputetët nuk duhet të shqetësohen për mandatet e tyre, pasi nuk do të digjen”, - ka pohuar ai. Ndërkohë që pak ditë më parë është bërë publik dhe një tjetër variant i socialistëve. Sekretari Organizativ në selinë rozë, Blendi Klosi, ka pohuar se Grupi Parlamentar Socialist do të futet në Kuvend, brenda afatit kushtetues të skadimit të mandatit, për të bërë të mundur mosdjegien e mandateve. “Ky është një qëndrim që e kemi thënë edhe më përpara. Për të mos djegur mandatin që na ka dhënë elektorati ne do të hyjmë në Kuvend, para afatit kushtetues, domethënë para datës 7 mars të vitit 2010”, - ka deklaruar Klosi. Duke folur për mënyrën që do të ndjekë opozita, për të mos djegur mandatet e fituara në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, deputeti socialisti ka theksuar se hyrja në Parlament do të jetë vetëm për procesin e betimit dhe se gjithçka do të vijojë sipas qëndrimit zyrtar. “Ne e kemi theksuar që nuk e njohim këtë Parlament, por mund të bëjmë betimin dhe të protestojmë sërish për transparencën e zgjedhjeve”, - është shprehur sekretari i Organizativ në selinë roze.

Bello e Islami përsëritin qëndrimin: “Do të thyejmë bojkotin”

Deputetë të Partisë Socialiste kanë paralajmëruar përsëri dje në media se në janar 2010 mund të thyejnë vendimin e bojkotit dhe të hyjnë në Parlament për të mos djegur mandatin që u ka dhënë populli. Deputetët Marko Bello dhe Kastriot Islami, të cilët janë deklaruar se mund të hyjnë në Parlament në janar 2010, megjithatë ende besojnë se kjo do të ndodhë me gjithë Grupin Parlamentar me një vendim politik kolegjial. Bello dhe Islami janë shprehur se besojnë të hyjnë në Kuvend bashkë me kolegët e tyre të Grupit Parlamentar. Nëse kjo nuk ndodh, ata kanë thënë se do të hyjnë në Kuvend për të mos djegur mandatin që u kanë dhënë votuesit.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›