Idrizi – Dule, debate në Kuvend për çamët dhe minoritetin
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia për Drejtësi dhe Unitet dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut janë përfshirë në debate të ashpra me njëra-tjetrën. Ka qenë fillimisht deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri, ai që e akuzoi Dulen si antikombëtar e antishqiptar. Sipas Tahirit, Dule duhet dërguar për ndjekje penale. “Jam sot këtu për të denoncuar aludimet e Dules në lidhje me PDU. Pas disfatës së tij elektorale dhe nevojës për të rifituar kolltukun e kryetarit dhe ai, si pjesa tjetër e opozitës, e ka humbur toruan. Ky njeri që nuk njeh gjenocidin, vrasjen, përdhunimin dhe shpërnguljen me forcë të mijëra vetëve e na deklarohet kryetar i një partie të të drejtave të njeriut. E të drejtat e kujt promovon ky njeri, kur ato më themeloret iu dukërkan fantazmë”, - tha ai. Sipas Tahirit, Dule ka provokuar, sulmuar, ofenduar 300.000 mijë shqiptarë dhe për këtë ai smund ta kalojë pa kërkuar falje zyrtare. “Ai nuk mund ta kalojë aq lehtë, sepse ky është antishqiptarizmi më i madh i këtij burri që paturpësisht ulet këtu mes nesh në Parlamentin shqiptar. Askush brenda popullit shqiptar, më shumë se çamët nuk e kërkon integrimin evropian”, - tha ai, duke iu drejtuar kreut të PBDNJ-së. “Si përfaqësues i minoritetit grek në Shqipëri, të respektoj, por si përfaqësues i vetëshpallur i Greqisë në Tiranë, të lajmëroj që erdhi koha që ne të kthehemi në shtëpitë e të parëve tanë e të marrim pronat që na takojnë. Nëse je kundër kësaj, je antishqiptar, e meriton të ndiqesh penalisht për deklaratat e tua publike që nxisin urrejtjen kombëtare”, - tha ai. Tahiri akuzoi Dulen se është kundër integrimit evropian të Shqipërisë. Ndërkaq, Vangjel Dule deklaroi se PDU-ja është në krizë elektorale dhe për këtë arsye përbalt PBDNJ-në se mendon se kështu do të fitojë elektorat. Pas kësaj, menjëherë ka replikuar Shpëtim Idrizi, i cili bëri përgjegjëse PS-në që ka pranuar brenda gjirit të saj PBDNJ-në pas largimit nga Berisha. Sakaq, Dule ka nisur replikën me Idrizin, por për shkak të toneve të larta të debatit në sallë, kryeparlamentarja është detyruar të ndërpresë seancën parlamentare.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009