Bojkoti i opozitës, maxhoranca, favorite për të “sunduar” institucionet kushtetuese
Përfundon mandati i gjashtë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Zgjedhja e anëtarëve të rinj, në dorën e Partisë Demokratike
Eljona Ballhysa
Viti 2010 sjell përfundimin e mandatit të disa anëtarëve të institucioneve kushtetuese. Në bazë të Kushtetutës, zgjedhja e anëtarëve të rinj bëhet me emërimin e Presidentit të Republikës dhe me dhënien e pëlqimit të Kuvendit. Në kushtet e mungesës së opozitës në Kuvend, maxhoranca fiton epërsi duke pasur të gjitha hapësirat e mundshme për të zgjedhur anëtarët e institucioneve kushtetuese që ajo dëshiron. Bojkoti i deputetëve të Partisë Socialiste rrit hapësirat e Partisë Demokratike për të vendosur në kontroll të plotë institucionet kushtetuese. Këtu mund të përfshijmë rastin e Gjykatës Kushtetuese kur gjatë vitit 2010 përfundojnë mandatin shumica e anëtarëve. Megjithëse anëtarët e kësaj gjykate emërohen nga Presidenti i Republikës, ky i fundit duhet doemos të marrë pëlqimin e partive politike, dhe veçanërisht PD-së, përndryshe dekretet e tij mund të rrëzohen duke risjellë të njëjtën skemë si në rastin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në rast se PS-ja do të ishte e pranishme në Kuvend, do të kishte të drejtën t’i impononte maxhorancës vendosjen e balancës në përbërjen e anëtarëve të institucioneve kushtetuese.
Institucionet
Për shkak të mbarimit të mandatit, shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të zëvendësohen me emra të rinj brenda 6-mujorit të parë të këtij viti. Brenda 2010-s përfundojnë mandatin anëtarët Kujtim Puto, Fehmi Abdiu, Sokol Sadushi, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza. Kjo do t’i japë maxhorancës mundësinë për të "sunduar" një nga institucionet më të rëndësishme kushtetuese. Gjykata Kushtetuese është një ndër institucionet që gjatë katër viteve të shkuara e ka vënë në vështirësi shumicën qeverisëse në disa raste, duke i rrëzuar një sërë ligjesh të rëndësishme. Pikërisht ky institucion, gjatë muajve të parë të këtij viti, do të përfshihet nga një stuhi e vërtetë ndryshimesh në përbërjen e saj. Plot dy të tretat e trupës aktuale të gjyqtarëve, ose thënë me shifra të tjera, 6 anëtarë të tij, do të duhet që brenda gjashtëmujorit të parë të vitit t’ua lënë karrigen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese 6 emrave të rinj, që natyrisht do të kalojnë përmes procedurave normale të propozimit nga Presidenti dhe më pas të miratimit nga Kuvendi, ku pritet që maxhoranca të tentojë të ndryshojë balancat e përfaqësimit në favorin e vet. Po kështu, një tjetër institucion kushtetues është dhe Gjykata e Lartë, ku sipas burimeve, brenda këtij viti përfundon mandati i dy anëtarëve të saj. Edhe anëtarët e kësaj gjykate propozohen nga Presidenti i Republikës dhe miratohen nga Kuvendi, pjesë e të cilit janë deputetët e maxhorancës.
Emërimet
Në Kushtetutë është e përcaktuar qartë se zëvendësimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë bëhet me emërim të Presidentit të Republikës dhe dhënie pëlqimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Duke nisur nga rëndësia që ka një gjykatë e tillë për shkak të natyrës së saj, si institucioni më i lartë vendimmarrës në vend, kryerja e zëvendësimeve pritet të kthehet në një betejë të vërtetë mes institucionit të kreut të shtetit si garant i Kushtetutës dhe maxhorancës qeverisëse, që do të përpiqet që të marrë shumicën e anëtarëve duke garantuar kështu vendimmarrjen e mëtejshme në favorin e saj. Pavarësisht se Kushtetuta i jep Presidentit kompetencën e emërimit të anëtarëve të kësaj gjykate, për të marrë fuqi ligjore një emërim i tillë, duhet të marrë më parë edhe pëlqimin e Kuvendit, çka do të thotë që çdo kandidaturë do të votohet. Një procedurë e tillë bën të detyrueshme për Presidentin që të marrë pëlqimin e shumicës në pushtet, e cila, në rastin konkret, pritet të bëjë përpjekje për t’i imponuar kreut të shtetit emrat e saj për të marrë në këtë mënyrë shumicën në Gjykatën Kushtetuese dhe në institucionet e tjera, me qëllim garantimin e vendimmarrjes në favorin e saj. Në rast se Presidenti nuk do të marrë pëlqimin e maxhorancës, atëherë në qendër të skenës politike mund të kthehet precedenti i vitit 2008 kur Kuvendi rrëzoi propozimet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Kushtetuta
Neni 125
1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.
3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj.
4. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh.
5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.
Çështjet e “nxehta” politike në tryezën e Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese është një ndër institucionet më të rëndësishme kushtetuese në vend, e cila, gjatë katër viteve të kaluara, ka treguar se ka qenë e balancuar duke rrëzuar disa ligje të rëndësishme, nismë e qeverisë apo maxhorancës në pushtet. Aktualisht, kur përfundon mandati i shumicës së anëtarëve të kësaj gjykate, ndodhen në tryezën punës së saj çështjet e “nxehta” të politikës së ditës. Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dhënë një vendim të prerë për çështje të tilla si marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve detarë. Po kështu pritet që kjo gjykatë të vendosë për pensionet e ushtarakëve, makinat e të përndjekurve dhe, pse jo, të ndonjë kërkese të mundshme për të interpretuar kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Në një situatë të tillë pritet që maxhoranca të përdorë të gjithë hapësirën ligjore për të zgjedhur anëtarët e rinj të kësaj gjykate.
Vështirësohet funksionimi kushtetues i institucioneve të Drejtësisë
Mungesa e opozitës në Kuvend ka bllokuar miratimin e një sërë projektligjeve që janë pjesë e reformës në sistemin e Drejtësisë dhe që kërkojnë 3/5 e votave të deputetëve në Kuvend, ose 84 të tilla. Kjo shifër e përcaktuar në Kushtetutë kërkon domosdoshmërisht praninë e deputetëve të opozitës në Kuvend dhe konsensusin e tyre për miratimin e projektligjeve që lidhen me funksionimin e organeve të Drejtësisë. Pak kohë më parë mosmiratimi i projektligjit për mënyrën e funksionimit të Konferencës Gjyqësore nxiti një debat për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Një pjesë e aktorëve të interesuar për këtë proces vunë në dukje se zgjedhja e anëtarëve të rinj të KLD-së me një Konferencë Gjyqësore pa u miratuar ligji, do të thotë shkelje e hapur e Kushtetutës. Por ligji për organizimin e Konferencës Gjyqësore nuk mund të miratohet në Kuvend pa praninë dhe konsensusin e opozitës. Kjo vendos në vështirësi funksionimin kushtetues të një sërë institucioneve të Drejtësisë.
Reforma në Drejtësi dhe projektligjet që presin votën e opozitës
Reforma në Drejtësisë varet nga pjesëmarrja e opozitës në Kuvend dhe konsensusi që ajo do të japë për projektet e qeverisë. Prej muajsh qëndrojnë në sirtarët e Kuvendit një grup projektligjesh që kanë të bëjnë me mirëfunksionimin e sistemit të Drejtësisë dhe që nuk mund të miratohen për shkak se duhen 84 vota. Reforma në Drejtësi duhet të jetë konsensuale, por pa praninë e deputetëve të opozitës, kjo reformë nuk mund të bëhet. Prania e opozitës në Kuvend tashmë shihet si një domosdoshmëri jetike. Ndërsa pritet që të miratohet ligji i ri për Konferencën Gjyqësore dhe për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, disa anëtarëve u ka mbaruar mandati. Por në sirtarët e Kuvendit presin edhe disa ligje me rëndësi që të miratohen, si ndryshimet në ligjin për noterinë, ndryshimet në Kodin Civil, si dhe projektligji për Gjykatat Administrative. Deputetët e opozitës, ndonëse e miratuan në komisione parlamentare me konsensus, në seancën e fundit të Legjislaturës 2005-2009 nuk e miratuan projektin, ndonëse ai ishte i këshilluar nga organizatat ndërkombëtare. Projektligji për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative kërkon shumicë prej 84 votash, por mungesa e opozitës e ka lënë këtë projekt ende pa jetë.
6 Janar 2010