E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “Ndaluam shkarkimet në diga, Fierza ka rënë 75 cm”

TIRANË - Shkarkimet e ujit të bëra mbrëmjen e së hënës, si dhe prodhimi i energjisë në nivelet rekord të 28.8 milionë kilovat-orëve, kanë ulur me 75 cm nivelin e Fierzës, duke shmangur kështu një katastrofë kombëtare. Ky ka qenë shpjegimi i dhënë dje nga ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, në lidhje me situatën e krijuar në basenet e hidrocentraleve të vendit. Sipas tij, të gjitha HEC-et po punojnë me kapacitet të plotë, ndërkohë që vazhdon eksporti i energjisë në nivelet maksimale. Gjatë orëve të fundit KESH-i ka eksportuar rreth 12.2 milionë kilovat-orë, një pjesë e të cilës janë depozitime.
“Për momentin niveli i ujit në Fierzë është 292.27 m, në Koman 174.4 m dhe gjatë natës ka pësuar rritje për shkak të shkarkimeve në Fierzë. Situata është nën kontroll, e disiplinuar për momentin, por varet shumë edhe nga kushtet e motit, të cilat parashikohen që të vijojnë më reshje në ditët në vijim”, - tha Prifti, duke shtuar se “këtë emergjencë po e monitorojmë nga afër me grupe të tëra të KESH-it, OST-së, OSSH-së dhe të Ministrisë, të cilët janë në vëzhgim të vazhdueshëm pa pushim për të bashkëmenaxhuar situatën me grupet e gatshme atje". Kreu i Ministrisë së Energjetikës ka bërë të ditur se ka ftuar për të marrë konsulencë ekspertët më të mirë në vend, përfshirë edhe Farudin Hoxhën. Ai sqaroi se sistemi ynë energjetik nuk rrezikon nga mbingarkesat që krijohen nga prodhimi dhe eksporti në nivele maksimale.

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›