Kodheli: “Qeveria i trajton emigrantët si fenomene natyrore”
Partia Socialiste ka denoncuar paaftësinë e kësaj qeverie në përballimin e fluksit të shqiptarëve që vijnë në atdhe për të kaluar disa ditë pushimi. Sipas zëdhënëses së PS-së, Mimi Kodheli, emigrantët shqiptarë në të disatin vit i kalojnë pushimet jo me të afërmit e tyre, por në radhë të gjata kilometrike. “Kjo qeveri, e cila duhet t’u jetë mirënjohëse të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë, që me kontributin e tyre mbajnë në këmbë ende ekonominë e brishtë të Shqipërisë, duhet që të paktën një herë në vit, kur ata kanë nevojë për asistencën e qeverisë së tyre, të jetë e aftë ta bëjë këtë”, - u shpreh Kodheli. Përveç kësaj, Kodheli ka shprehur shqetësimin edhe për radhët e gjata për të marrë pasaportat biometrike. “Edhe gjatë verës e njëjta situatë, radhët po ashtu ishin të gjata, emigrantët tanë përsëri kaluan ditë e javë për të marrë një dokument dhe më pas në radhë kilometrike për t’u larguar nga vendi”, - tha Kodheli. Në këtë kuadër, Kodheli denoncon jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie, por edhe mungesën e vullnetit të saj për t’u paraprirë situatave, të cilat nuk janë fenomene natyrore, por normalisht të pritshme e të njohura. “Qeveritarët të lënë shfaqjet televizive e t’u mundësojnë shqiptarëve që duan të pajisen me pasaporta biometrike kushtet minimale dhe mos t’i sorollatin në radhë të pafundme vetëm e vetëm se nuk mendojnë për ta”, - u shpreh Kodheli.
6 Janar 2010