E Diel, 1 Nëntor 2026

Këtë muaj nisin zëvendësimet politike nëpër ministri

Dhjetëra “militantë” presin të fillojnë punë këtë muaj. Vazhdojnë emërimet politike në administratën shtetërore
Eljona Ballhysa
Në muajin janar, ashtu sikurse ishte paralajmëruar kohë më parë, do të nisin emërimet politike në disa ministri. Burimet kanë bërë të ditur se janë me dhjetëra persona me kontribute partiake që kanë marrë emërimet prej disa muajsh nga titullarët e institucioneve dhe pritet të nisin punën pikërisht këtë muaj. Sipas burimeve, më të prekur nga ndryshimet e fundit në administratën politike të ministrive të ndryshme janë ata persona që mbajnë poste politike dhe që nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Po kështu ndryshime pritet të bëhen në ato ministri që kanë pasur ndryshim të titullarëve.
Ndryshimet
Sipas burimeve pritet që ndryshime të pësojë administrata e Ministrisë së Mjedisit, në krye të së cilës është vendosur kryetari i Partisë Republikane. Kjo ministri, gjatë katër viteve të kaluara është drejtuar nga Lufter Xhuveli, i cili është kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste. Pikërisht ndryshimi i titullarëve dhe i përkatësisë partiake do të ndikojë në shkarkimet dhe emërimet e reja në administratën e kësaj ministrie. Vala e ndryshimeve, sipas burimeve, do të prekë dhe ministri të tjera, siç është Ministria e Ekonomisë, ajo e Shëndetësisë, apo Ministria e Jashtme. Këto institucione drejtohen nga përfaqësues të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe pritet që emërimet e reja t’i përkasin kësaj force politike, e cila, pavarësisht se është aleate me PD-në, në postet politike do të vendosë njerëzit e saj dhe jo të PD-së. Burimet bëjnë të ditur se ndryshime do të kenë edhe ministritë e tjera, titullarët e të cilave vijnë nga Partia Demokratike dhe zëvendësojnë ish-ministrat e PD-së. Kjo për faktin se postet politike kryesisht drejtohen nga njerëz që zgjidhen nga titullarët e këtyre institucioneve dhe që kanë bashkëpunim të ngushtë më të. Këtu përfshihen këshilltarët, sekretarët e Përgjithshëm, ndihmësit, por edhe drejtorët e drejtorive nëpër ministri të ndryshme.
Apeli
Në Shqipëri vazhdojnë ende emërimet politike në administratën shtetërore, pavarësisht apelit që është bërë nga ndërkombëtarët. Pak kohë më parë ky fakt është konstatuar dhe në Progres-Raportin e BE-së për Shqipërinë. “Në Shqipëri lëvizjet e administratës publike janë politike dhe kryhen nëpërmjet procedurave jotransparente”, - shkruhet në këtë raport. Shkarkimet dhe emërimet në administratë kanë përbërë një problem të madh gjatë këtyre viteve të fundit. Opozita socialiste në mënyrë të vazhdueshme ka akuzuar maxhorancën se ka shkarkuar në mënyrë të padrejtë profesionistët për të emëruar militantë partiakë.

Qeveria, strategji të posaçme për punësimet në administratë

Qeveria ka miratuar pak kohë më parë strategjinë ndërsektoriale të reformës në administratën publike 2009-2013, e cila, përveçse parashikon një mënyrë të re të rekrutimit të nëpunësve, vë në dukje një sërë problemesh që shfaq administrata aktuale publike. Dokumenti prek të gjitha lëvizjet në administratë, nga pranimi i zyrtarëve të rinj, lëvizja paralele, si dhe penalizimet. Strategjia propozon një mënyrë të re konkurrimi, ndërsa nuk parashikohet ndryshim në sistemin e pagave. Deri tani për një vend të lirë zhvillohej një konkurs ku duhet të merrnin pjesë të paktën katër kandidatë. Me miratimin e strategjisë do të përdoret rekrutimi në grup për pozicione të ngjashme, çka do të thotë që për postet që kanë të njëjtën natyrë pune, në institucione të ndryshme do të zhvillohet vetëm një konkurs. Pra konkurrenti që del i pari zë vend në postin e mbetur bosh. Nëse pas një periudhe kohe në një institucion tjetër do të ketë një post bosh të ngjashëm me të, nuk do të zhvillohet konkurs tjetër, por do të pranohet konkurrenti i dytë.
“Në nivelin e specialistit, rekrutimi në grup bëhet bazuar në nevojat e pritshme dhe kandidatët e suksesshëm përbëjnë një listë nga ku mund të zgjidhen për t’u emëruar në institucione të ndryshme në momentin e krijimit të një vendi të lirë. Rekrutimi rast për rast për specialistët mund të përdoret për pozicione që kërkojnë specialitete të veçanta”, - parashikohet në strategji. Në strategji preket edhe metoda e testimit të kandidatëve, ku do t’i jepet më shumë peshë formimit, personalitetit dhe aftësive krijuese. Nga pranimi në administratë do të hiqet ajo përmes kontratave paraprake, ndërkohë që eksperienca në punë do të ketë një peshë më të madhe në vlerësimin e kandidatëve. Përsa i përket gjendjes aktuale vërehet se “konkurrimet janë përgjithësisht objektive, por mënyra e vlerësimit në to priret drejt testimeve shabllon dhe teorike, përdoren metoda skematike që vlerësojnë më shumë informacionin e memorizuar në dëm të vlerësimit të aftësive analitike, formimit, potencialit krijues apo personalitetit”. Në strategji parashikohet se nëpunësit e shërbimeve publike, si Arsimi, Shëndetësia, Tatimet, Dogana, Rendi Publik, Mbrojtja, Diplomacia etj., duhet të kenë status të veçantë për shkak të veçantisë së tyre, por gjithsesi, duke përmirësuar elementet bazë të konkurrueshmërisë, karrierës dhe vlerësimit të performancës në lidhje me grupe të tilla të nëpunësve civilë.

Strategjia, ngritja në detyrë e nëpunësve është subjektive

Në strategjinë e qeverisë është cilësuar si subjektive ngritja në detyrë e nëpunësve të administratës shtetërore. Problematike është cilësuar edhe procedura e ngritjes në detyrë pasi vlerësohet si një procedurë tërësisht subjektive. Po kështu në strategji bëhen kritika edhe për mënyrën e vlerësimit të vartëse duke vënë theksin në mungesën e zbatimit të kritereve ligjore. “Vlerësimi i nëpunësve nga eprorët është i cekët dhe kjo vjen për shkak të konformizmit në vlerësim, familjaritetit të nëpunësve, si dhe mungesës së aftësive për të vlerësuar. Ecuria e procesit të vlerësimit të rezultateve vjetore vazhdon të mbetet problematike. Numri i nëpunësve që përfshihen si vlerësues të vartësve të tyre është i madh dhe kjo rrit mundësinë e inkoherencës në vlerësim. Në këtë drejtim ndikojnë dhe ndryshimet e shpeshta të stafeve”, - shkruhet në strategjinë e qeverisë. Në strategji vërehen një sërë problemesh që shfaq administrata aktuale shtetërore. “Përgjithësisht vërehet delegim i kufizuar i vendimmarrjes brenda institucioneve. Komunikimi ndërmjet njësive brenda një ministrie rezulton relativisht i vështirë duke penguar shpesh proceset e konsultimit dhe duke vështirësuar koordinimin e veprimeve”, - shkruhet në strategjinë e qeverisë.

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›