E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Prifti të kërkojë falje për keqmenaxhimin hidrik

Partia Socialiste u shpreh dje se ministri i Energjetikës duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për keqmenaxhimin e burimeve hidrike. Në një reagim të selisë rozë, menjëherë pas konferencës që dha ministri, zëdhënësja Armela Imeraj u shpreh: “Nuk të beson më asnjë shqiptar zoti Prifti, as ty dhe as Pinokun që ke për shef. Ministri je ti dhe përgjegjësia është e jotja”. Në emër të PS-së, Imeraj tha se Prifti nuk mund të akuzojë opozitën, pasi pikërisht opozita që po organizon vullnetarët e saj për t'u ardhur në ndihmë familjeve shqiptare. “T'u kërkojë ndjesë të gjithë atyre familjeve që sot u duhet të lënë në mëshirën e fatit banesat e tyre. T'u kërkojë ndjesë të gjithë atyre shqiptarëve që sot duhet të sakrifikojnë prodhimet e tyre bujqësore”, - u shpreh Imeraj, duke shtuar: “Turp për Dritan Priftin që në harkun kohor të 2 javëve solli shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe përmbytjet për shkak të keqmenaxhimit të rezervave hidrike”. Sipas zëdhënëses, Armela Imeraj, ministri Prifti, siç ka akuzuar dy javë më parë OSSH-në për rritjen e çmimit të energjisë, edhe sot ai gjeti kurajën të akuzojë OSSH-në për importin e energjisë.
Gjatë ditës së djeshme deputetët socialistë të qarkut të Shkodrës, Ilir Beqja dhe Astrit Beci, kanë ndjekur nga afër situatën në komunën e Anës së Malit, ku situata sa vjen e përkeqësohet. Përveç Obotit janë përmbytur pjesërisht dhe tri fshatra të tjera, Xhakaj, Kurt dhe Goricë. “Niveli i ujit ndërkohë po rritet”, - raportojnë nga terreni deputetët e këtij qarku. Ndërsa deputeti i Lezhës, Gjovalin Kadeli, ka qenë në Tale dhe në Shëngjin. Situata në këto zona, me reshjet e rëna ditën e martë, kanë krijuar sërish problematikë, por jo emergjencë. Dëmet materiale në këto dy zona janë të mëdha, pasi janë përmbytur mjaft shtëpi. Deputeti i PS-së, Kadeli, në bashkëbisedim me banorët e dëmtuar, është shprehur se opozita është solidarizuar me shqetësimin e tyre dhe do bëjë gjithë presionin e duhur ndaj qeverisë që premtimet këtë herë mos mbeten vetëm në ekranet e televizioneve, por banorët e Tales dhe të Shëngjinit të dëmshpërblehen financiarisht.

Eneida Jaçaj

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›