Veriu në prag katastrofe, të gjithë me sytë nga qielli
Albert Gjoka
Me mijëra banorë tashmë i kanë drejtuar sytë lart nga qielli dhe luten që të pushojnë reshjet, në mënyrë që të mos përsëriten skenarët apokaliptikë. Pesë HEC-et e Veriut shkarkojnë drejt Lezhës dhe Shkodrës çdo ditë mbi 1600 m3 ujë, pa llogaritur sasinë që lëshojnë turbinat që janë në kapacitete maksimale. Situata në digën e Fierzës është në pikat kritike, rreth 2 metra mbi kuotat e lejuara për periudhën. Gjendjen në prag të katastrofës e kanë pohuar dje edhe kryeministri Berisha dhe ministri i Energjetikës, Dritan Prifti. Reshjet e shiut dhe shkarkimet nga hidrocentralet që ndodhen në Veri të vendit po mbajnë nën ujë me mijëra banesa dhe dhjetëra mijë hektarë tokë. Sikur të mos mjaftonte kjo, ditën e djeshme është shënuar edhe një tjetër kërcënim. Baticat e Adriatikut kanë rikthyer përmbytjet në zonën e Shëngjinit, duke rrezikuar përmbytjen e dhjetëra depozitave me naftë që ndodhen në lagunë. Në këtë situatë, shenjat nuk janë optimiste as nga meteorologët. Nëse gjatë ditës së sotme do të ketë një përmirësim të kushteve klimaterike, shiu pritet të rikthehet gjatë ditëve në vijim.
Situata
Banorët e zonave të përmbytura duhet t’i mbajnë sytë nga qielli, me shpresën se shiu do të pushojë, të paktën edhe për një javë. Pavarësisht masave të marra situata mbetet në dorë të motit, pasi liqenet janë drejt kuotave maksimale. Aktualisht Fierza është në kufijtë e 292 metrave, 2 metra mbi nivelin e lejuar në muajin dhjetor. Ndërkohë që shiu duket se s’ka të ndalur. Këtë fakt e pohoi edhe ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, i cili pohoi se “qëllim kryesor është që të ulim nivelin e Fierzës në kuotën e 290 metrave, pasi ky është niveli i lejuar gjatë kësaj periudhe. Sipas Priftit, ecuria do të varet vetëm nga reshjet, të cilat, sipas parashikimit, edhe një javë do të vijojnë të bien. Ndërkohë, edhe pas rritjes së temperaturave, situata nuk mund të konsiderohet e tejkaluar, pasi koha e ngrohtë ndikon në shkrirjen e dëborës, rrjedhimisht rrit nivelin e ujit në liqene.
Shkarkimet nga HEC-et
Prej tri ditësh, portat e emergjencës në hidrocentralin e Fierzës kanë qëndruar të hapura, me qëllim uljen e shpejtë të nivelit të ujit në ujëmbledhësin e këtij hidrocentrali. Sasia e ujit të shkarkuar në lumin Drin është e jashtëzakonshme dhe përveç ujit që shkarkohet nga turbinat e hidrocentralit, të cilat punojnë me sasi të plotë, portat e emergjencës po hedhin në lumë mbi 800 m3 ujë në sekondë. Kjo sasi bën që prurjet në liqenin e Komanit të jenë shumë të mëdha, duke e bërë të paevitueshme hapjen e portave në këtë hidrocentral dhe më pas edhe në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Edhe në dy hidrocentralet e tjera, në Shkopet dhe Ulzë, kanë vazhduar shkarkimet. Drejtori i HEC-it të Shkopetit deklaroi se portat janë hapura në këtë hidrocentral, ku në mëngjes është shkarkuar 30 m3 ujë, ndërsa në mesditë ka arritur në kuotën e 130 m3 për sekondë. Një gjë e tillë është bërë në varësi të reshjeve që shtohen sipas orareve ditore në këtë zonë. Burimet zyrtare pohojnë se bashkë me HEC-n e Ulzës, çdo ditë derdhen rreth 800 m3 ujë. Kjo sasi që shkarkohet nuk përfshin ujin që përdorin turbinat, të cilat janë në kapacitet maksimal. Nga dy lumenjtë, Drin dhe Mat, shkarkohen 1600 m3 ujë, pa llogaritur sasinë që del nga turbinat e pesë hidrocentraleve. Prurje të tilla kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në zonat e Lezhës dhe Nën-Shkodrës.
Rreziku në Shëngjin
Çarja e brezit të rërës dhe depërtimit të detit në kënetë ka gllabëruar dje një sipërfaqe të konsiderueshme toke në zonën e Shëngjinit, duke përmbytur qindra hektarë dhe disa lokale private. Njëkohësisht është bllokuar edhe rruga që lidh Shëngjinin me zonën e Kunës, duke izoluar mjaft familje që jetojnë aty. Erozioni ka dëmtuar edhe brezin e pishave duke vazhduar drejt lagunës. Aktualisht, detin dhe lagunën i ndan vetëm një brez i shkurtër, por reshjet e fundit dhe baticat e detit e rrezikojnë ekzistencën e zonës së mbrojtur në Kunë. Situata rrezikon të përkeqësohet pasi në këtë zonë janë me dhjetëra depozita të mëdha karburantesh të vendosura në lagunë. Në ishull Shëngjin situata është përkeqësuar vetëm ditën e djeshme. Dy ditë më parë forcat e ushtrisë riparuan argjinaturat në këtë zonë dhe shtabet e emergjencës vunë në punë të gjitha hidrovoret.
Varka dhe lundra në Shkodër
Jo vetëm zona e Nën-Shkodrës, por edhe qyteti gjatë ditës së djeshme është përfshirë në hartën e zonave të përmbytura. Të paktën 60 hektarë tokë, pjesë e bashkisë, janë përmbytur nga ujërat. Rritja e nivelit të Drinit dhe reshjet që ende vazhdojnë në zonën e Shkodrës kanë bërë që të rritet edhe niveli i Liqenit të Shkodrës, ndërsa një pjesë e madhe e kanalizimeve të ujërave mbitokësore të mos funksionojnë. Ende nuk ka një bilanc, por disa qindra banesa janë në këtë gjendje. Uji ka rrethuar nga të gjitha anët shtëpitë, ndonëse nuk ka krijuar thellësi. Edhe rrugët e qytetit gjatë ditës së martë kanë qenë të vështira për t’u qarkulluar pasi kishin akumuluar sasi të mëdha uji. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se situata është më e rëndë në dy lagjet e qytetit verior; “Bahçallek” dhe “Ajasem”, ku niveli i ujit ka mbërritur në një lartësi mbi një metër. Një gjë e tillë i ka detyruar banorët që të përdorim varka dhe lundra për t’u lidhur me njëri-tjetrin apo për të marrë furnizime të ndryshme. Në këto dy zona banorët kanë braktisur shtëpitë dhe kanë hyrë ekipet e emergjencës.
Ndërsa zona e Nën-Shkodrës që prej datës 2 janar vazhdon të jetë nën ujë. Shtabet e emergjencës, të ndihmuara nga policia dhe ushtria po largojnë me forcë banorët nga fshatrat e Obotit, Ana Mal dhe Dajç.
Ushtria ndërton argjinatura në Lezhë dhe Shkodër
Ushtria po ndërton argjinatura të gjata në Lezhë dhe në Shkodër për të penguar kapërcimin e ujit në zonat e banuara. Burimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes bëjnë të ditur se gjatë ditës së martë forcat e angazhuara në terren kanë punuar për ndërtimin dhe përforcimin e argjinaturës në Ishull Lezhë, me gjatësi 1000 metra. Deri në mesditë është mbyllur një segment i saj me gjatësi 500 metra. Po kështu vazhdon puna edhe për riparimin e argjinaturës së Dajçit. “Në këtë argjinaturë me gjatësi 14 kilometra, janë vendosur 3000 thasë me rërë dhe janë kryer punime të tjera të domosdoshme për strukturën e argjinaturës”, - thonë burimet zyrtare. Forcat ushtarake kanë përfunduar rreth mesditës së djeshme ndërtimin e urës tip “Bejli”, me gjatësi 9 metër në Muriqan të komunës Obot. Në fshatin Obot janë shpërndarë me anë të gomoneve dhe motobarkave ushtarake rreth 200 pako me ndihma ushqimore, afërsisht tre tonë me materiale të nevojshme për familjet që kanë shtëpitë e përmbytura. Sipas njoftimit zyrtar, forcat e ushtrisë po punojnë për riparimin e infrastrukturës rrugore në zonat e prekura nga përmbytjet dhe po merren edhe me evakuimin e banorëve të zonave të përmbytura.
Burimet zyrtare bëjnë të ditur se “shumë prej banorëve janë vetëzhvendosur te të afërmit ose kanë refuzuar largimin nga banesat”. Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion të banorëve të evakuuar Shtëpinë e Pushimit në Durrës, me një kapacitet prej 420 personash dhe një kamping me kapacitet 130 persona.
Aktualisht janë të angazhuar në terren rreth 164 forca, 48 mjete si; 12 kamionë, 6 gomone, 1 ambulancë, 14 vetëshkarkues, 1 karo-ofiçinë, 4 fadroma, 2 ekskavatorë dhe mjete të tjera. Zonat ku operojnë forcat ushtarake në Qarkun Lezhë janë: Tale dhe Shëngjin; në Qarkun Shkodër: Obot, Oblik, Dajç, Muriqan, Dërgjat, Shirq dhe Vau i Dejës.
Përmbytjet, specialistët: Institucionet nuk vepruan
Përmbytjet në zonën e Shkodrës dhe të Lezhës do të mund të evidentoheshin nëse gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit të gjitha strukturat përkatëse të funksiononin. Specialistët sqarojnë se është e domosdoshme që të inspektohen argjinaturat e lumenjve, digat, të matet niveli i reshjeve të shiut dhe i lumenjve nga institutet, si dhe të mos lejohen ndërtime në zonat pranë shtretërve të lumenjve apo mbi kolektorët e shkarkimeve. ““Institucionet përkatëse duhet që paraprakisht të inspektojnë argjinaturat, të marrin masat paraprake dhe të nxirren përfundimet. Duhet të këtë institucione të bëjnë matje të sakta”, - shprehet inxhinieri Dhimitër Vogli. Sipas tij, lumi Drin nuk mund të përballojë prurje më të mëdha se 1500 metra kub ujë në sekondë, në të kundërt, një gjë e tillë sjell përmbytje dhe në zonën bregdetare të Lezhës do të ketë batica të larta. Nëse në Bunë do të ketë 1500 m3 ujë në sekondë, sërish kjo do të sjellë përmbytje në gjithë Ultësirën e Shkodrës. Vogli shton se në Lezhë mund të ishin shmangur pasojat nëse do të merreshin masa më parë.
Ekspertët e fushës kërkojnë nga shteti që të bëhet një investigim i plotë në të gjithë digat, rrjetet kulluese dhe argjinaturat, në mënyrë që të realizohen investime efikase, të cilat shmangin situata të tilla kaq të rënda. Në muajin nëntor, Dhimitër Cici, një nga inxhinierët më të vjetër dhe pjesëmarrës në ndërtimin e disa HEC-eve në vendin tonë, paralajmëroi skenarin apokaliptik për shkak të mosmirëmbajtjes së portave të hidrocentraleve gjatë 20 viteve të fundit. Në rast të shembjes së njërës nga digat mbi lumin Drin, pasojat do të ishin të paimagjinueshme.
6 Janar 2010