E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti i opozitës, thyhet përfundimisht në fillim të muajit shkurt

Deputeti socialist Andis Harasani deklaron se ai dhe kolegë të tjerë nuk do të presin më për të hyrë në parlament: “Kërkesa e Pëllumbit për zgjedhje të parakohshme, absurde, këto pretendime ngrihen vetëm me praninë në Kuvend”    Deputetët e pa mandatuar të Partisë Socialiste pritet të kryejnë betimin si përfaqësues të sovranit në muajin shkurt, duke shënuar kështu skadencën e vendimit personal të Edi Ramës, për të bojkotuar pa shkak punimet e Kuvendit. Kësisoj, deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS presin që i gjithë grupi parlamentar i Partisë Socialiste të vendosë të hyjë në Kuvend para fillimit të marsit, kur ndërpriten mandatet e tyre. Deputeti Andis Harasai u shpreh për 55-ën, se vetë duke qenë në parlament PS mund të ngrejë pretendimet e saj. Harasani shprehet se PS nuk ka realizuar asnjë nga detyrimet ndaj elektoratit që e ka votuar, dhe për këtë duhet sa më parë që, ligjvënësit socialistë t’i drejtohen sallës së Kuvendit.  Lidhur me një propozim qesharak të ish-kreut socialist të Kuvendit, Servet Pëllumbi, se Presidenti në rast të mos hapjes së kutive duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme, Harasani shprehet se kërkesa e tij është absurde përsa kohë në parlament nuk ka asnjë deputet të PS që të ngrejë pretendime të tilla politike. “Nuk e di se si mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme kur deputetët janë jashtë parlamentit”. Kjo, sipas Harasanit, nuk mund të arrihet në këtë mënyrë. “Berisha e ka thënë qartë që nuk do të pranojë t’i hapë kutitë”, tha Harasani, duke shtuar se veprimi më i mirë i PS-së është të shkojë në parlament. “Kur u diskutuan ndryshimet kushtetuese, Rama dhe Berisha, me të drejtë, duke pasur parasysh në radhë të parë stabilitetin e vendit, ndryshuan Kushtetutën dhe tashmë duhen 71 vota për të kaluar në zgjedhje të parakohshme. Dhe sikur PS-ja të hyjë në parlament, ne nuk i kemi këto vota, kështu që nuk e kuptoj këtë kërkesë të z. Pëllumbi”, u shpreh deputeti i Lëvizjes për Mendim Ndryshe, Andis Harasani. Në vijim të prononcimit të tij, ai shprehet se “jam i sigurt që brenda janarit apo shkurtit do të ketë një mbledhje të Asamblesë së Partisë Socialiste ku do vendoset”. “Unë dyshoj që do merret vendimi për të hyrë në parlament. Të mos harrojmë që ky qëndrim u kushtëzua me hapjen e kutive. Ka qenë një qëndrim i vendosur i zotit Rama ku është kërkuar hapja e kutive dhe në qoftë se kutitë nuk hapen, nuk hyjmë në parlament”, shton  deputeti socialist, i pozicionuar tashmë si një prej kundërshtarëve të kreut të partisë, Edi Rama. Megjithatë, Harasani nuk është i vetëm në këtë qëndrim. Dy prej deputetëve të Lëvizjes për Mendim Ndryshe, Marko Bello e Kastriot Islami janë shprehur se mund të hyjnë në Kuvend kur vota e tyre të jetë e domosdoshme për proceset integruese të vendit. Sidoqoftë, një gjë është e sigurtë, ecejakjet e Edvin Ramës do të marrin fund. Ai nuk do jetë në gjendje më që të penalizojë pa arsye punimet e parlamentit shqiptar, në këto momente të rëndësishme për proceset integruese, siç është veçanërisht liberalizimi i vizave Shqipëri-BE që pritet të realizohet me një vendim të posaçëm të Komisionit Evropian, brenda pranverës së këtij viti....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›