E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Diktatura vdiq. Rroftë mendësia e saj!”

Jemi në përkujtim të përzishëm të gjashtë viteve më parë kur, më 9 janar të vitit 2004, qeveria socialiste në fuqi nuk fajësohet për mbytjen e 28 personave në kanalin gllabërues të Otrantos, por për mundësinë e shpëtimit të këtyre viktimave. Krahasimi me fatkeqësinë e Gërdecit, është i detyrueshëm. Por qeverisja e djeshme, që sot është në opozitë, këtë rast të dytë, tepër të dhimbshëm, nuk e sheh si një fatkeqësi objektive, që e ka burimin te psikomania e diktaturës së Enver Hoxhës, që shihte kudo armiq, të jashtëm e të brendshëm. Bunkerët në çdo anë e në çdo cep, sot janë bërë material gazmoresh tragjikomike nga të gjithë hokatarët që e kishin të qartë se Enveri mundohej të luftonte me mullinjtë e erës. Por lufta imagjinare do të kërkonte edhe armatim për të mposhtur mësymjen e imperialistëve amerikanë! Kështu u mbush vendi pëllëmbë e municion, i cili u kalb në rrjedhë të moteve, duke u bërë një rrezik i njëmendët për shpërthime të rrezikshme. Kjo është origjina e origjinave të kësaj ngjarjeje të hidhur që kishte marrë jetë njerëzish edhe në precedentë të mëparshëm, paçka se në përmasa më të kufizuara. Qafë- Shtama është njëri prej tyre, në kohën e qeverisjes socialiste. Por edhe në Poliçan, për një ngrohje të pakujdesshme nga të ftohtit, pati viktima, duke qenë e tillë edhe ajo gruaja fatkeqe që nuk e duroi dot të ftohtit. Vetëm se  askush nuk tha, qoftë edhe nga profesionistët e një propagande të trashëguar, që shihte armiq në halucinacionet e asaj propagande, se këto ishin të qëllimta. Se, në këto raste, “armiku” do të ishte vetvetja. Arsyeja e shëndoshë kërkon që të shmangen shpërthime të tilla, pavarësisht nëse këto ngjarje shoqërohen me viktima. Sipas një logjike të thjeshtë, nuk mund të ngulmohet në mendimin se një shpërthim i kohës kur ministër i Mbrojtjes ishte socialist, ky eksplozion ishte i qëllimshëm për vetë faktin se titullari ishte i PS-së! Numri i viktimave është një problem më vete. Viktima të shumta apo të pakta është një koincidencë. çështja është se pati ngjarje të tilla edhe në atë kohë!Të thuash, pra, se shpërthimi në Gërdec është i qëllimtë, kjo do të ngjante me absurdin që një narciz, që ka veten në qendër të gjithçkaje, të kërkonte të bënte vetëvrasje. . . Do të ishte një bumerang. Askush më tepër se ministri i Mbrojtjes, F. Mediu apo cilido tjetër, nuk do ta donte një gjë të tillë, sidomos në kohën kur drejtonte dikasterin e mbrojtjes. Por eja e mbushua mendjen propagandistëve të nekrofilisë, në synim të zhvatjes së pushtetit sipas kritereve leniniste të kombinimit të veprimtarisë legale, me atë ilegale, që përkthehet: me hir ose me pahir!Mund të duash që i ndjeri Trebicka ta ketë humbur jetën si pasojë e një atentati, jo të një aksidenti. Veçse asnjëri ndër atentatet e këtij rruzulli nuk është bërë në një fushë të hapur, me syprinën  e disa stadiumeve të bashkuara, kur s’ke asnjë mundësi fshehjeje! Por dëshira paranojake është më e fortë se deduksioni i sigurt që mund të nxirret nga një fakt i tejdukshëm. Do të ishte krejt e panevojshme që të vinte një ekspert i rangut ndërkombëtar dhe me integritet të pasyshimtë  që të konfirmonte një të vërtetë e cila, siç thuhet për rastet evidente, është e pakontestueshme. Kësisoj na u shurdhuan veshët nga “atentatorët” e hamendësuar të të sëmurëve për pushtet të pamerituar, gjersa gjykata i bëri të heshtin përfundimisht ata të cilët, për të larë turpin e një zhurmnaje të pakuptimtë, ofshanë: - Po sikur të ketë gabuar gjykata?! (Edhe vendimet e gjykatës janë të vlefshme vetëm kur “përligjin” babëzinë e tyre!).Kur flasim për mendësinë e trashëguar, nuk mund t’u shmangemi termave, që u zvetënuan nga paragjykimet diabolike të enverizmit. Fjala sabotim u bë e rendit të ditës. Një specialist i nivelit të inxhinier Xhaçkës, a mund të pështjellohej nga dëshira sabotimi kur fillimisht miratohej mendimi i tij për të venë sondën për nxjerrje të naftës në një pikë të caktuar të zonës naftëmbajtëse? Gabimi në një rast të ndërlikuar është njerëzor. Njëqind suksese të tjera analoge a mund të injorohen kur në një pikë të vetme nuk del naftë? Sabotim! Ing. Kujtim Beqiri, që e ka emrin të skalitur në lapidarin e aseve të njërit prej universiteteve më të mira austriake, a mund të akuzohet si sabotator, pas disa veprave monumentale në vendin tonë, ku erdhi pas një diplome të shkëlqyer dhe pas shmangies që i bëri ofertës për të dhënë ndihmesën e tij në shkencën vjeneze? Kjo etje prej vampiri e E. Hoxhës, për të vënë para plotonit të ekzekutimit njerëz që s’kanë të bëjnë fare me veprime të qëllimta, u përçua si një sëmundje ngjitëse te pasardhësit e tij shpirtërorë. Diktatori, për të konsoliduar regjimin e tij të krimeve, mori jetë të pafajshmish. Pinjojtë e tij mbështetën E. R.-n i cili, për të justifikuar humbjen zgjedhore, sajoi bojkote të kushtëzuara, pa ditur as vetë se cili e kishte tagrin për të hapur kutitë e votimit.  Synimi: për të  mbajtur ofiqin e kreut të PS-së arbitrarisht, por edhe për të zhvatur pushtetin, siç u bë në 1997-n! Edvin Rama, me hyrjen në NATO, është i pashpresë, tani, me skizofreninë e hapjes së kutive të votimit, kur këto janë certifikuar nga 20.000 komisionerë socialistë, në bazë, dhe nga KQZ-ja e KLD-ja në qendër. Autoritetet kompetente të BE-së, i kanë cilësuar zgjedhjet e 28 qershorit të 2009-s, si më të mirat e gjertanishme. Përse s’i mbushet koka E.R.-s, që po kërkon të bëjë kuadratrurën e rrethit, që është e pamundur? është e qartë: Se kërkon të shkelë me të dy këmbët nenin 28 të statusit të PS-së, e cila e cilëson si mandathumbës!Nga sa thamë, kemi nëpër këmbë një mentalitet zvarritës, pa të cilin sukseset e qeverisjes së re, që zë fill në korrikun e 2005-s, do të ishin pa dyshim më të mëdha. Në dinastitë mbretërore, veçanërisht në Francë, që kishte vetëm tetëmbëdhjetë Luigjë,  kur vdiste mbreti dilte lajmërimi i famshëm: “Le roi est mort. Vive le roi”. Pasardhësit shpirtërorë të diktaturës sonë e adaptuan këtë thënie në: “Diktatura vdiq. Rroftë mendësia e saj!”. Spas kësaj, pushteti mund të merret edhe me sajesa, nëse sovrani e nxjerr në opozitë. Prandaj kemi të bëjmë me një propagandë si ajo e Nexhmijes dhe e Ramizit, që po vazhdon të na trallisë me një demagogji të pakapërdijshme.*   *   *Vijmë sërish te 9 janari i vitit 2004. Krahasimi me Gërdecin është i mundshëm, por jo sipas propagandës rremashe të ekstremizmit majtist. As njëra ngjarje, as tjetra, nuk mbajnë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të qeverisjes së majtë, në rastin e parë dhe asaj të djathtë, në rastin e dytë. Por për ngjarjen e Gërdecit u mobilizuan të gjitha forcat qeverisëse. U vunë në dispozision të banorëve hotelet bregdetare; u rindërtuan shtëpitë e prishura në afate rekord, aq sa Gërdeci mori pamjen e një qyteze të ripërtëritur. Të plagosurit u dërguan rrufeshëm në spitalet e Janinës dhe të Italisë. Filloi menjëherë ndihma ushqimore. U ndërtuan rrugët që lidheshin me autostradën Tiranë-Durrës. Banorët e Gërdecit  nuk i besuan propagandës meskine të majtizmit ekstrem, se shpërthimi ishte i qëllimtë. Kiço Blushi, në një shkrim të disa ditëve më parë, habitej sesi këta banorë votuan për Partinë Demokrastike. Habija e tij na u duk si ajo e Mësié Zhurdenit në komedinë “Borgjezi bujar” të Molierit. Por demokratët e sinqertë nuk kuptojnë as habinë e K. Blushit, as zhgënjimin e tij. Veçse ata kuptojnë mirë se edhe intelektualët e humbasin busullën e drejtpeshimit të gjërave, kur janë të ngërthyer nga ajo nostalgji, që është epiqendra e këtij shkrimi. Ka edhe intelektualë që ende nuk janë zhdroguar nga ai farmak që i bën të habiten se ajo që flasim unë e ti, quhet prozë! (Zhurdeni u habit për këtë zbulim që ia kishte sqaruar mësuersi i tij privat!).Pikërisht gjashtë vite më parë humbën jetën 28 veta, disa milje në largësi të Karaburunit. Koha e keqe i rrezikoi gomonet të mbyteshin. Celularët e të rrezikuarve dhanë alarmin, që në orën 21:00 të 9 janarit të vitit 2004. Gjer në orën 7 të mëngjesit flota detare dhe motovedetat s’u bënë të gjalla. Orgjitë me buzuqe në shtetin fqinj nuk pushuan për ofiqarët tanë të lartë, që s’e bënë qejfin qeder! Përfundimi: zbulimi i mjetit gjysmë të fundosur nga egërsia e valëve të detit, u zbulua në orën 7 të mëngjesit. Tragjedia u bë e njohur pas humbjes së 28 personave. Vetëm gjashtë shpëtuan nga të tridhjetegjashtët!Me të vërtetë të risillet në mendje ai lokucioni që e njohin të gjithë shqiptarët për Stambollin që digjet dhe për atë. . .  që krihet rehat-rehat!Tani vijmë tek ajo gjendje reshjeje dhe dëbore, që nuk ka ndodhur në Shqipëri prej një shekulli! Le të shihet sesi është ngritur e gjithë qeveria në këmbë! Nuk numërohen dot mjetet e ndihmave. Ushtria dhe policia duket sikur janë në ndihmë të të përmbyturve. Ministri Dritan Prifti tha se në mesnatë dhe pas çdo gjysmë ore kryeministri Berisha ishte në marrje dhe në pritje telefonimesh. Kur fle ky njeri?Asnjë humbje jete njerëzore te ne, ndërsa në të gjithë Europën raportohen vdekje te njëpasnjëshme nga kjo katastrofë kohore, që i ra më qafë vendit tonë sikundër s’mbahet mend nga shumë breza.E... megjithatë, kërkohet dorëheqja herë e një ministri, herë e një funksionari tjetër, madje edhe e kryeministrit! Sikur të kishte një kuotë për dorëheqjet, qeveria socialiste e mëparshme duhej të ishte dorëhequr njëqind herë, vetëm për atë talljen që thamë për pallën që ka bërë në rastin e humbjeve të jetëve njerëzore, siç e vumë në dukje për atë katastrofën detare që ngjau bash gjashtë vjet më parë....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›