Bojkoti i seancës së parë të Kuvendit, sot vendos kryesia e PS
Socialistët do të mbledhin sot kryesinë e tyre për të marrë vendimin e bojkotit të Parlamentit. Vetëm një javë pas kongresit të jashtëzakonshëm, i cili e la të hapur çështjen e bojkotit, do të jetë kryesia e cila do të përcaktojë qëndrimin politik të PS-së për t’ia lënë më pas grupit parlamentar. Por në PS janë përcaktuar dy qëndrime rreth bojkotit; një qëndrim që përfaqësohet nga kryetari në detyrë Edi Rama kërkon bojkotin e Kuvendit, duke e quajtur atë ilegjitim të dalë nga zgjedhje të cunguara në standarde. Qëndrimi oponent i Ramës, është ai i grupit të deputetëve dhe anëtarëve të Asamblesë, kryesuar nga Ben Blushi dhe Arben Malaj, të cilët kërkojnë hyrjen e grupit parlamentar socialist në Kuvend. Madje, ata akuzojnë Edi Ramën se po i imponon bojkotin deputetëve socialistë vetëm për shkak të zgjedhjeve të brendshme në parti. Ishte kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së, i cili në momentin e fundit, përmes një propozimi të ardhur nga delegatë të Tropojës dhe Tiranës, ndryshoi rezolutën e miratuar nga Asambleja Kombëtare, duke përfshirë në të dhe opsionin e bojkotit, duke ia lënë kryesisë të vendosë një gjë të tillë. Në këtë klimë dhe qëndrime të kundërta, pritet që mbledhja e kryesisë të ketë debate të ashpra mes anëtarëve të saj rreth qëndrimit që Edi Rama kërkon t’ia përcjellë grupit parlamentar socialist qëndrimin e tij për të bojkotuar parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit.