E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama: Jo dasmës së krimit elektoral, Blushi: Po rrezikoi PS do ta refuzoj bojkotin

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist në detyrë, Edi Rama, akuzoi dje qeverinë se do të thellojë krizën në vend. “Dje në sytë e të gjithë shqiptarëve e shqiptareve, u kurorëzua një maskaradë zgjedhore, e cila ka në themelin e saj krimin elektoral dhe ka për fytyrë të saj pazarin e hershëm dhe të paralajmëruar prej nesh të Sali Berishës me Ilir Metën, i cili besoj kreu veprën më shembullore të mashtrimit publik, duke marrë 83 mijë vota në emër të çlirimit të shqiptarëve nga Sali Berisha, dhe duke i përdorur ato vota për t’u ulur në prehrin e Sali Berishës”, u shpreh Rama dje gjatë një konference për mediat. Sipas Ramës, me këto standarde të zgjedhjeve Parlamenti nuk mund të ketë legjitimitetin e kërkuar, duke justifikuar në këtë mënyrë qëndrimin e socialistëve për bojkotin e Kuvendit të ri. “Krimi elektoral e bën Kuvendin një institucion me legjitimet thellësisht të cunguar dhe qeverinë një nënprodukt të deformimit zgjedhor. Kurse mashtrimi publik i Ilir Metës, që u kurorëzua me marrëveshjen e tij të hapur me Sali Berishën, thellon krizën e rëndë të besimit të njerëzve te politika dhe e bën politikën të duket më shumë se kurrë një gënjeshtër tallëse me ata që zgjedhin. Në fakt, kjo është një arsye më shumë për t’u bashkuar dhe për t’i dhënë politikës atë përmasë që ajo duhet të ketë, si një art dhe një instrument për të zgjidhur problemet e përbashkëta dhe jo si një gënjeshtër tallëse, për të marrë votat në emër të problemeve që pretendohen se zgjidhen dhe pastaj për të zgjidhur vetëm probleme dhe shuajtur orekse krejt personale”, u shpreh Rama. Për kreun socialist në detyrë, zgjedhjet e 28 qershorit nuk kërkoheshin të ishin më të mira se zgjedhjet e kaluara, por standarde të një vendi anëtar të NATO-s. “Ne nuk luftuam për zgjedhje më të mira se të kaluarat, por për t’i dhënë fund asaj vazhde të shëmtuar zgjedhjesh të kërcënuara, trysnuara dhe abuzuara. Për t’ju dhënë shqiptarëve dinjitetin dhe lirinë që buron nga dinjiteti dhe liria e zgjedhjeve. Zgjedhjet e 28 qershorit nuk patën dinjitet dhe liri. Ne nuk mund të pajtohemi me këtë realitet dhe nuk mund të lejojmë që me këtë realitet të marrë fund çdo besim dhe shpresë për zgjedhjet, tek liria dhe fuqia e votës. Kemi kontribuar me sa kemi mundur dhe kemi bërë gjithçka që Shqipëria të dilte nga qerthulli i zgjedhjeve, që gjithmonë janë quajtur më të mira se të tjerat, por që gjithmonë kanë mbetur brenda qerthullit të zgjedhjeve me probleme dhe pa standarde. I kemi dhënë një shans historik vendit dhe qeverisë së tij, që më në fund Shqipëria të kishte zgjedhje si në çdo vend të BE-së dhe si në çdo vend anëtarë të NATO-s. Kjo sforco dhe sakrificë politike e jona nuk është bërë për të shkuar kot dhe ne nuk do të lejojmë që të shkojë kot”, u shpreh Rama. Sipas kreut socialist, ky është momenti që të majtët të bashkohen. “Unë sot dua të përsërit jo vetëm që nga ky pazar dhe mbi themelet e kësaj maskarade zgjedhore nuk mund të lindë asgjë tjetër, përveçse një qeverie e cila do të thellojë krizën e demokracisë, krizën e shtetit të së drejtës, krizën ekonomike. Por dua njëkohësisht të përsëris se ky është momenti për t’u bashkuar që të gjithë dhe për ta ribërë apelin në adresë të të gjitha atyre që sinqerisht e ndershmërisht besuan tek Ilir Meta, në emër të asaj çka ai premtoi, që të bëhej pjesë e familjes së madhe politike të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj. Është koha për t’u bërë të gjithë bashkë kundër kësaj krushqie të turpshme, sepse dasma e kryeplakut të politikës së vjetër me nusen e re të xhuvelizmit do t’ju kushtojë shumë Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Rama.

Rehn: Zgjedhjet, më të mirat

Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit u cilësuan nga komisioneri Oli Rehn si më të mirat nga ato të mëparshmet. Dy ditë më parë komisioneri për Zgjerim zhvilloi një takim në Parlamentin Evropian me anëtarët e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, mbi zhvillimet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Komisioneri Rehn vlerësoi zgjedhjet parlamentare si më të mira, në krahasim me ato të mëparshme, duke vënë në dukje se, megjithatë u konstatuan mangësi. Komisioneri i lartë njoftoi anëtarët e AFET-it se Komisioni Evropian është në pritje të raportit të OSBE-së për të dhënë vlerësimin përfundimtar në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. “Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë opinionin mbi kërkesën e Shqipërisë për aderim në BE, nëse Këshilli i BE-së do të na japë mandat për këtë”, u shpreh Rehn.

Blushi: Bojkoti, arsye personale e Ramës

Aristir Lumezi

Bojkoti i Parlamentit po bëhet për arsye personale të Edi Ramës. Anëtari i Kryesisë socialiste, Ben Blushi, i ftuar mbrëmë në “Top Story” në Top Channel me gazetarin Sokol Balla, e cilësoi përpjekjen e grupit të deputetëve socialistë në Kuvend si pjesë e alibisë personale të Edi Ramës. “PS-ja po del nga Parlamenti për arsye të Edi Ramës. Kjo për t’i shkuar deri në fund alibisë së zgjedhjeve të 28 qershorit. Është alibi personale vjedhja e zgjedhjeve”, u shpreh Blushi i pyetur nga gazetarët në studio.
Blushi i kërkoi të gjithë deputetëve të rinj socialistë dhe Kryesisë socialiste të presin raportin e OSBE-ODIHR për të vendosur mbi bojkotin e Kuvendit, një hap për të cilin nesër mund të pendoheshin. Blushi iu referua edhe deklaratës së Oli Rehn dy ditë më parë, sipas të cilit zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mira se të kaluarat. “Unë besoj që është detyrim i të gjithë neve të komentojmë dhe të kuptojmë deklaratën e Oli Rehn dhe të Bashkimit Evropian dhe besoj që sidomos Partia Socialiste ka detyrim të adaptojë këtë qëndrim, të adaptojë për të marrë vendimet e duhura, të arsyeshme në raport me zgjedhjet, dhe në raport me Kuvendin e Shqipërisë. Besoj që deklarata e Oli Rehnit që i paraprin raportit të OSBE/ODIHR-it për këto zgjedhje, së pari, njeh disa defekte që u vunë re në këto zgjedhje, gjë për të cilën PS-ja është angazhuar t’i zbardhë dhe, së dyti, është qëndrim i pastër kundër bojkotit të Kuvendit të Shqipërisë. I kërkoj të gjithë deputetëve të PS-së të jenë të arsyeshëm, mos të marrin vendime nën imponim, për interesa personale të Edi Ramës, por të gjykojnë se luhet për fatet e PS-së, që është votuar në 28 qershor për të shkuar në institucione dhe jo për të dalë në rrugë. Duke u nisur dhe nga deklaratat e Oli Rehnit, duhet të presë raportin e OSBE/ODIHR për të marrë vendim në raport me institucionin e Kuvendit”, u shpreh Blushi. I pyetur nëse do ta respektojë vendimin e shumicës për të bojkotuar Kuvendin, Blushi iu përgjigj se do t’i bindet deri në kufijtë e logjikës. “Do respektoj këtë vendim deri në kufijtë e logjikës. Ditën që mendoj se PS-ja rrezikon për shkak të bojkotit, do ta refuzoj atë. Unë jam votuar për të bërë një punë në Kuvend dhe jo për të ndenjur në trotuar apo te lulishtja e Parlamentit. Duhet të ketë arsye të forta të dalim nga Parlamenti. Nuk merret ky vendim për t’i rritur PS-së kuotat elektorale, por për t’i krijuar Edi Ramës alibinë e humbjes. Kjo është shumë personale. Sot kam dëgjuar Skënder Gjinushin dhe flet për bojkotin e PS në një kohë që ai dhe Rama nuk janë në Parlament”, u shpreh Blushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›