Lakrori: Jo bojkotit,nuk e çon PS-në në zgjedhje të parakohshme
Kandidati për kreun e PS-së, Maqo Lakrori, tha dje se është kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e grupit parlamentar socialist. I pyetur nga gazeta “Panorama” në lidhje me qëndrimin që ai ndan ndaj moshyrjes së deputetëve socialistë në Kuvend, Lakrori tha se nuk e mbështet një qëndrim të tillë. “E kam parashtruar dhe në platformën time konkurruese se bojkoti nuk na çon në objektivin që kongresi dhe Asambleja socialiste i kanë vënë vetes, zgjedhje të parakohshme. Ky objektiv arrihet vetëm në sallën e Kuvendit, ndërsa deputetët socialistë duhet të thonë fjalën e tyre në Kuvend, pasi ky është dhe qëllimi i marrjes së votës nga elektorati ynë”, u shpreh Lakrori. Sipas tij, PS-ja duhet të zhvillojë një opozitë të fortë vetëm në parlament dhe jo jashtë tij, ndërsa shprehet se platforma e tij elektorale për kreun e PS-së ka të sqaruar saktë filozofinë e tij për një opozitë të fortë, që do ta kthejë PS-në në pushtet. Ai beson se socialistët do të bëjnë dallimin mes dy alternativave që ofrohen për drejtimin e partisë. “Bëhet fjalë për metoda të ndryshme drejtimi. Unë ofroj këtë metodë drejtimi, një metodë drejtimi kolegjial, ku secili të ndjehet i respektuar, sipas konceptit tim, kryetari cilido qoftë është zëdhënësi numër një, është përgjegjësi numër një, por vendimet merren në mënyrë kolegjiale dhe për zbatimin e tyre punohet me ekipe”, u shpreh ai.