Malaj: S’duhet ta bojkotojmë Kuvendin
Anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj shprehet kundër qëndrimit të kësaj force për të bojkotuar parlamentin e ri. Në një deklaratë për shtyp ai thekson se pjesëmarrja e deputetëve të opozitës në Kuvend do të ndihmojë në hetimin e manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Bojkotimi parlamentit nga grupi parlamentar i PS, ka efekte negative në të sotmen dhe në ardhmen politike të Partisë Socialiste. Ne nuk mund të jemi deputetë pa bërë betimin kushtetues. Pa qenë deputetë në parlament ne nuk mund ta përdorim autoritetin e parlamentit për të vërtetuar shkeljet e zgjedhjeve dhe për tu përballur me keqqeverisjen dhe dështimet e qeverisë në krijim”, tha Malaj. Sipas kundërshtarit të Ramës në PS “Çdo qëndrim emocional dhe i imponuar që mund ta shndërrojë PS nga një forcë moderne dhe brenda institucioneve të vendit, në një parti radikale, dëmton rëndë investimin e përhershëm të socialistëve për të modernizuar vendin e tyre”.