Edi Rama, nga elitist në populist
BELINA BUDINI*
Arsyetimi ynë mbi komunikimin politik të Edi Ramës mbështetet në paradigmën e famshme të Walter Fisher, duke u ndalur veçanërisht në faktorët që cenojnë koherencën narrative të komunikimit politik. Nëpërmjet kësaj qasje, ne do të shohim se modeli i Ramës e humbi koherencën dhe besnikërinë narrative në krye të Partisë Socialiste, teste të cilat masin vërtetësinë dhe besueshmërinë e një fabule. Kjo qasje mund të mos jetë në gjendje të na tregojë nëse një histori është e mirë apo e keqe, e drejtë apo e gabuar, por ky nuk është aspak qëllimi i aplikimit të saj këtu. Qëllimi ynë, siç e zbuluam edhe më lart, është të analizojmë nëse narrativa komunikuese e Edi Ramës, mesazhi ose diskuri i tij ka koherencën dhe besueshmërinë e nevojshme për të tingëlluar vërtetësisht dhe bindshëm. Për më tepër, kur komunikimi shihet si narrativë ose fabul, edhe njerëzit e thjeshtë, pa ekspertizë ose arsyetim të specializuar, mund të gjykojnë nëse është i besueshëm apo jo. Publiku, i marrë si tërësi e paspecializuar në çështjet e komunikimit, mund të vlerësojë kësisoj me kompetencë koherencën dhe besnikërinë e një historie.
Pyetja që mund të shtrohet në rastin e karakterit tonë kryesor është pra: A përbën narrativa e Edi Ramës si aktor i komunikimit në arenën publike shqiptare një tërësi organike? A është sjellja apo performanca e tij konsistente? Konsistenca e brendshme e një narrative është e ngjashme me linjën e argumentimit në paradigmën racionale, pra përbën logjikën e saj. Ka disa mënyra për të vlerësuar koherencën dhe konsistencën e performancës së një aktori komunikimi. Përballja dhe krahasimi i pohimeve të bëra për çështje të caktuara është një mënyrë. Një mënyrë tjetër është kapja e sjelljeve jokarakteristike për personazhin apo aktorin e komunikimit. Sipas Fisher, tingëllojnë të vërteta ato histori të njerëzve që kanë vijimësi mendimi, motivi dhe veprimi.
Elitisti që u bë... ‘populist’
Gjatë kërkimit tonë rreth Edi Ramës, fillimisht si publicist dhe kritik, mandej si ministër kulture dhe kryetar bashkie dhe së fundi si kryetar i Partisë Socialiste, momentet e koherencës së lëkundur të mendimit, motiveve dhe veprimit të tij janë evidentuar kronologjikisht. Një fazë e fundit, me variacione të befta, ishte ajo e udhëheqjes së PS-së drejt zgjedhjeve. Me të marrë kreun e Partisë Socialiste, Rama operoi me një diskur të ri, bëri përpjekje për të dalë me postura ‘të përmbajtura’, tjetër të folur publike. Hoqi dorë nga snobizm-i karakteristik, për të folur jo më si elistist (gjë që kishte qenë organike për të), por në të kundërt, si anti-elitist. Politikisht kërkoi të bindte me versionin gjithëpërfshirës dhe apolitik. Ky lloj populizmi retorik u bë stili i tij politik me kohë të pjesshme, një lajtmotiv i ri diskursiv. Pavarësisht përpjekjes për të ndërtuar një urë verbale me tezën që u provua e pasuksesshme në zgjedhjet e 28 qershorit, slogani i parë në gojën e Edi Ramës pas humbjes së zgjedhjeve, “Koha është e maskarenjve, Shqipëria është e shqiptarëve”, ka më tepër tingëllimën e retorikës së Ramës së vjetër. Ndërsa mënyra e kërkuar e opozicionit, me bojkot parlamentar, ka shijen e thartuar të politikës shqiptare të pardjeshme, një rikthim në stilin radikal të bërjes politikë.
Nga ana tjetër, fondi i thënieve dhe kundërthënieve të Ramës në kohë, role dhe funksione të ndryshme publike, ashtu si edhe i shumë politikanëve të tjerë shqiptarë, është i pashtershëm. Një rast i tillë është ai i qëndrimit ndaj LSI-së pas zgjedhjeve të vitit 2005 dhe pas zgjedhjeve të vitit 2009. Krahasimisht me ligjërimin dhe aksionin politik të 2009-ës, të thënat e 2005-ës në një intervistë të Edi Ramës, botuar pas humbjes së zgjedhjeve të 3 korrikut në gazetën “Zëri i Popullit”, janë diametralisht të kundërta. Nëse në lidhje me votat që shkuan për LSI-në në 2005-ën shprehet se “duhet thënë me plot gojën se ato ishin vota kundër nesh po aq sa ç’ishin të tilla edhe votat që ka marrë e djathta”, në 2009-ën i cilëson votat që shkuan për të njëjtën parti, LSI-në, si “zemra të majta” të trafikuara djathtas...
Së fundi, kursi i ri i Ramës pas zgjedhjeve është një lëvizje in extremis, që rrezikon koherencën, vërtetësinë dhe konsistencën e tij më hapur se kurrë. Vështirësive të tilla ka kohë që liderët e moderuar të botës moderne nuk u dalin më përballë, duke e shpëtuar faqen me aktin e dorëheqjes. Duke rezistuar në krye të Partisë Socialiste, edhe pas mundësisë së humbur për ta sjellë atë në pushtet, lëvizjet e Ramës ngjajnë me ato të një akrobati në arenën e cirkut politik. Sigurisht, çdo aktor politik ruan të drejtën për të rregulluar produktin e vet, por rrezikon që, me variacionet e shumta dhe akrobacitë strategjike, të humbasë besueshmërinë dhe si rrjedhojë edhe klientelën e vet. Variacioni i fundit i Edi Ramës në opozitë e përmbys sërish Edi Ramën e dy viteve të fundit, atë me maskën e konservatorit të ri. Stili i tij i opozicionit ka ndryshuar që ditën e parë pas njohjes me fatin e zgjedhjeve. Në ligjërimin e tij janë rikthyer termat “maskarenj”, “kriminel”, “mafioz”. Se deri ku do të shkojë axhustimi i diskurit të tij politik dhe cilat do të jenë strategjitë e tij të reja të mbijetesës në politikën shqiptare, mund të jenë ende të padefinuara mirë edhe në mendjen e tij. Por, i stërvitur me skandale politike, akuza të vazhdueshme për korrupsion dhe autoritarizëm, si dhe për monstruozitete nga më të pabesueshmet në jetën private, versioni i mbijetesës nuk duket aspak i pamundur. A do të jetë riformatimi i tij kredibël në zgjedhjet e ardhshme? Jemi larg për të arsyetuar mbi këtë, por sigurisht kjo mbetet për t’u parë. Momenti është ende të lexojmë rënien në zgjedhjet e sapombyllura.
I vetëm, kundër të gjithëve
Kërkimi ynë rreth arsyeve që nuk e bënë fitues modelin e Edi Ramës në zgjedhjet e 2009-ës, nuk mund të injorojë rrethana të tjera që çuan në rënien e Ramës në zgjedhje. Një rrethanë e tillë që u bë vendimtare në përcaktimin e fatit elektoral të koalicionit të majtë ishte aplikimi i Kodit të ri Zgjedhor, që erdhi me këmbimin e sistemit zgjedhor nga mazhoritar në proporcional rajonal. E kërkuar prej vetë Ramës, me ndryshime kushtetuese, kjo taktikë elektorale synonte penalizimin e LSI-së dhe partive të tjera të vogla. Në kushtet e një rezultati të ngushtë ndërmjet koalicionit të djathtë dhe të majtë, Kodi u bë ‘boomerang’ në duart e vetë Ramës. Pritshmëria e tij për një fitore prej vigani, në përçarje brenda kampit, tregoi jo vetëm shkëputjen nga realiteti të tij si politikan, por edhe papjekurinë e tij si lider partiak.
Një betejë PR-i dhëmbë për dhëmbë
Një rrethanë tjetër që duhet konsideruar nga afër është ajo që lidhet me kushtet e reja të kompeticionit politik në Shqipërinë e sotme. Kësaj radhe Rama kishte përballë si rival një qëndrestar politik të pashembullt. Kësaj radhe, ai jo vetëm që nuk mbetej aspak prapa në teknologji dhe regji elektorale, në instrumente mediatike dhe amerikanizim të mesazheve elektorale, në imazh dhe në formë, duke e konkurruar madje rivalin e tij ‘pop-star’ edhe me një hit muzikor; por kishte edhe konkretësinë verbale që i mungoi kampit rozë. Përballë konkretësisë dhe fushatës pozitive të kampit të djathtë, ai i udhëhequr nga Edi Rama avancoi një lloj poezie politike në debatin publik, që nuk arriti të tingëllojë bindshëm. Me gjithë një lloj epërsie estetike dhe konceptuale në reklamën politike të Partisë Socialiste, bombardimi publicitar nga ana e Partisë Demokratike ishte epërsor. Një fushatë me kaq shumë elementë marketingu politik, marrëdhëniesh publike dhe amerikanizimi nga ana e të dy kaheve politike, u zhvillua për herë të parë në Shqipëri. Edi Rama është i pari politikan shqiptar që i ka shtënë në punë këto mënyra dhe mjete me mjaft efikasitet, por nuk ka më fatin të jetë i vetmi. Strategu i tij izraelit i fushatës dhe imazhit nuk do të kishte më luksin të përgatiste një betejë të armatosur deri në dhëmbë përballë një ushtrie politikanësh pa parzmore dhe shigjeta, si në betejat e tjera elektorale të përgatitura për Ramën. Në 2005-ën me ‘BG&R’ dhe në 2009-ën me ‘Philtermedia’, tradita e këshilltarëve dhe strategëve amerikanë të marrëdhënieve publike është vendosur tanimë edhe në Partinë Demokratike.
Politikë me logjikën e mediave
Teza “Përtej së majtës dhe së djathtës” është e një logjike mediatike par excellence. E thjeshtëzuar dhe formuluar me një ekonomi gjuhësore tipike për reklamat dhe gjuhën e shou-biznesit. Njohës i mirë i gramatikës së komunikimit mediatik, Rama e ka bërë qëkuri gjuhën e televizionit të tijën. Ai e ka pajtuar kohën e politikës me kohën e lajmeve, pasi e di mirë se ajo që nuk raportohet, nuk ekziston. Marrëdhënia e Edi Ramës me mediat është një simbiozë e hershme. Me angazhimin e tij në politikë, media u bë qendra e sistemit të tij. Ai operon me mediat si ekspert. E njeh dhe përdor tendencën e mediave për t’u marrë me atë që nuk është normë, të veçantën, shmangien, dhe ka ditur të serviret për një kohë të gjatë si i ndryshmi, që meriton pak më shumë vëmendje.
Rama: “Media jam unë”
Megjithatë, marrëdhëniet e Edi Ramës me mediat janë akuzuar gjithashtu si të komprometuara. Investigimet e munguara në lidhje me këto akuza e bëjnë të pamundur marrjen në analizë të kësaj çështje, por disa zhvillime të reja mediatike gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit duhen shqyrtuar në mënyrë kritike. Edi Rama krijoi për herë të parë në këto zgjedhje precedentin e servirjes së gjellës politike të gatshme, duke u dërguar televizioneve kronikën e raportimit mbi aktivitetet elektorale të tij dhe të Partisë Socialiste me kaseta filmike të regjistruara dhe të edituara nga stafi i zyrës së tij elektorale. Gazetarët dhe kamerat jo vetëm që nuk ftoheshin më të raportonin dhe mbulonin veprimtaritë elektorale, por refuzoheshin dhe nuk lejoheshin të filmonin kur kërkonin ta bënin një gjë të tillë me mjetet dhe syrin e tyre ndaj realitetit të fushatës së Ramës. Edicionet e lajmeve u gjendën përpara një vështirësie serioze kur, në zbatim të ligjit, duhej t’i jepnin kohën e mjaftueshme subjektit politik të Partisë Socialiste, pa mundur ta refuzonin furnizimin me pamje dhe zë nga vetë zyra elektorale e kësaj partie. Në kushtet e një deformimi të tillë, të iniciuar nga Rama, edhe selia e Partisë Demokratike iu bashkua iniciativës, duke ofruar edhe ajo gjellën e vet të gatshme elektorale për publikun.
Edi Rama e kishte eksperimentuar këtë “gjetje” të vizibilitetit mediatik të kontrolluar prej tij që në turin e gjatë “Dialog me Shqipërinë”, i organizuar për kronikën e lajmeve më shumë sesa për njerëzit dhe vendet ku shëtiti. Pa kamerat, mënyrat e vjetra të bërjes politikë si takimet fizike me njerëzit, trokitja derë më derë, fjalimet në rrugë, nuk do të kishin asnjë kuptim. Në kushtet kur media është territori i politikës, ture të tilla si ai “Dialog me Shqipërinë” zgjasin aq sa minutazhi i transmetimit të tyre për publikun e gjerë dhe nuk bëhen për fshatin apo lagjen ku ndalet një copë here politikani. Në kushtet e zhvillimit të sotëm mediatik, kur televizioni nuk është më një vrojtues i thjeshtë apo pasqyrues i ngjarjeve, por është vendosur brenda tyre, si pjesë integrale e realitetit që raporton, një ndërhyrje e tillë mediatike si ajo e Ramës përcjell jo vetëm ndjesinë e kthimit pas në periudhën e kontrollit të mediave nga partia, por edhe sinjalin e frikësimit të tij nga realiteti mediatik. Duke e njohur fuqinë dhe forcën e mediave, Rama e ka ndjerë nga ana tjetër konsumimin që sjell rutina politike. Pasi i ka braktisur teprimet dhe ekstravagancën që e bënte të denjë dhe interesant për mediat, tanimë aktor i politikës qendrore, Edi Rama ka të gjitha arsyet për t’u ruajtur nga mediat. Ka kohë që interviston veten në shtypin e përditshëm dhe i është shmangur debatit ballë përballë me rivalët e tij që nga Spartak Ngjela, Sokol Olldashi deri tek Sali Berisha.
Një dashuri mediatike, që vazhdon...
Me gjithë konsumimin e pashmangshëm që sjell qëndrimi i gjatë në pushtet, Edi Ramës mbështetja mediatike nuk i mungon as sot. Sipas raportit paraprak të monitorimit të mediave nga Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR, tre nga televizionet kryesore në vend kanë favorizuar në përmbajtje Partinë Socialiste gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit. Kështu News 24, në 64% të kohës së transmetimit për Partinë Socialiste ka folur me tone pozitive për të, ndërsa 39% të kohës së rezervuar Partisë Demokratike e ka përcjellë me tone negative. Po kështu, edhe Top Channel ka favorizuar Partinë Socialiste me 58% pasqyrim pozitiv, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 39% pasqyrim negativ në kohën e rezervuar për të. Megjithëse më asnjanës në tonin e pasqyrimit të Partisë Socialiste, edhe Vizion Plus ka pasqyruar negativisht Partinë Demokratike me 46%. Së fundi, Tv Klan dhe TVSH kanë qenë më pozitivë në pasqyrim ndaj Partisë Demokratike, të cilës i kanë dhënë edhe shumë më tepër kohë në krahasim me Partinë Socialiste, pa qenë megjithatë negativë në pasqyrimin e rezervuar për veprimtaritë e Partisë Socialiste. As në spektrin e mediave të shkruara Ramës në krye të PS-së nuk i mungoi mbështetja e hapur, si për shembull nga gazeta “Shekulli”, “Gazeta Shqiptare”, gazeta “Shqip”, gazeta “Korrieri”, revista MAPO, ndërsa më e rezervuar ndaj Ramës ka qenë e përditshmja më e madhe në treg, gazeta “Panorama”.
Një zhvillim i ri mediatik i fushatës zgjedhore të 28 qershorit ishin edhe sondazhet e porositura nga tre televizione shqiptare: Top Channel, Tv Klan dhe Ora News. Megjithëse Rama është një konsumator i njohur sondazhesh, të cilat i porosit rregullisht për përdorim të brendshëm institucional nga ana e tij, kjo ishte hera e parë që vetë mediat operonin me sondazhe, për të matur temperaturën e zgjedhjeve dhe shanset e rivalëve kryesorë për të fituar. Përdorimi i sondazheve nga mediat për të përkthyer realitetin e nxehtë elektoral të qershorit në vend u bë shkak për debate e diskutime të zgjatura. Fushata në tërësi u etiketua si virtuale dhe u pa pikërisht media si shtrat i virtualitetit të saj. Mbollën iluzione apo të vërteta mediat dhe sondazhet, kjo e fshehtë është mbyllur në kutitë e votimit të 28 qershorit bashkë me efektet e tyre, pa dashur të spekulojmë këtu mbi ndikimin e tyre të mundshëm. Mbetet e vështirë të ndash virtualizmat nga realizmat në një botë ku siç shprehet Fiske: “Realja nuk është më e vërtetë sesa paraqitja apo shëmbëlltyra e reales”. Në këto kushte, aktorët politikë në Shqipëri, por jo vetëm ata, duhet t’i llogarisin mediat si pjesë të realitetit, pasi është bërë tashmë e qartë se mediat nuk i shtojnë thjesht një element të ri historisë, por e transformojnë atë.
_______________
Ky është një fragment i shkëputur nga epilogu i librit “Edi Rama, politikani pop(ulist)-star”, botim i UET, që del në treg këto ditë